Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Jorgo Papingji, poeti i muzikës shqiptare

Çerçiz Loloçi

Njohja e parë me Jorgo Papingjin ka qenë në fëmijërinë e hershme, në moshën e shkollës tetëvjeçare kur në të vetmen radio, atë të Tiranës, ndiqnim plot emoçion këngët e festivaleve të fëmijëve ku shfaqej si protagonist edhe emri i tij.

Kohë më vonë në shkollë të mesme dhe sidomos në ato universitare në kryeqytet e kam njohur më nga afër, kam lexuar prej tij me mijëra vargje, por edhe e kam takuar disa herë për t’i lexuar ndër të parët dorëshkrimet poetike.

Papingji i qëndroi besnik poezisë nga adoleshença e deri tashmë që i ka kaluar të tetëdhjetat, ka shkruar për fëmijë dhe për të rritur dhe, së bashku me disa krijues të tjerë si Gjokë Beci, Arben Duka e Agim Doçi, u shndërrua në ikonë të këngës.

Vargjet e Jorgo Papangjit u muzikuan nga kompozitorët më të njohur, u interpretuan nga këngëtarë më të spikatur, të hershëm dhe të rinj; ato janë fituese në disa nga festivalet vjetore të Radio Televizionit Shqiptar, madje edhe konkuruese në Festivalin Europian. Do të dilte një listë e gjatë nëse do të përmendeshin të gjithë, por mjafton të veçoj disa emra për të treguar mjeshtërinë e tij.

Me poezinw e Papingjit kënduan në vite të ndryshme si Luan Zhegu, Liljana Kondakçi, Anita Bitri, Manjola Nallbani, Mira Konçi, Ardit Gjebreja, Ledina Çelo, Aurela Gaçe, Irma dhe Eranda Libohova, Luiz Ejlli, Evis Mula, Rosela Gjylbegu, Anjeza Shahini, Dorina Garuçi, Bashkim Alibali, Mariza Ikonomi  dhe Hersiana Matmuja.

Natyrisht, ashtu si në një film artistik ku ‘violina e parë’ është regjizori, edhe në një këngë kompozitori merr rëndësi të dorës së parë dhe këtu qëndron merita e autorit që tekstet e tij poetike i kërkonin të gjitha ata që i dhanë vulës muzikës shqiptare në kohët e sotme.

Larmi temash, shumllojshmëri imazhesh, vargje të thjeshta që mësoheshin përmendësh nga një publik i gjerë në qytet e në fshat, brenda dhe jashtë vendit, që pëlqeheshin sapo dilnin në një veprimtari kulturore; poezi me rimë dhe të tjera me varg të lirë-ky mund të ishte një nënvizim për Jorgo Papingjin.

Ai punonte intensivisht dhe ndoshta mund të jetë ndër të paktët që ka shkruar aq shumë vjersha dhe që ka marrë një mirënjohje të gjithmbarshme.

 

 

Please follow and like us: