Albspirit

Media/News/Publishing

Tri ese nga Astrit Lulushi

E braktisur

Legjionet romake ishin forca më e mirë luftarake në botën e lashtë, por nuk mund ta pushtonin dot Gjermaninë; ishin gjermanët që i shkaktuan Romës humbje dërrmuese.

Shqipëria mund ta kishte marrë Kosovën, Çamërinë, Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, dhe më tej… po të kishte dashur. Por udhëheqja e saj është treguar e aftë vetëm për ta shtypur, izoluar e vjedhur popullin e vet.

Nëse Shqipëria, që në fillim, do të kishte dalë plotësisht hapur për të mbrojtur trojet e veta, nuk ka dyshim se sot do të kishim një Shqiponjë më të madhe. Tirana zyrtare nuk u përpoq kurrë për ta bërë këtë, që nga formimi i shtetit më 1912, deri në vazhdim.

Pushteti nën princ, mbret, e diktaturë dhe sot në gjoja demokraci, ka jetuar gjithmonë me frikën se një njeri e fuqishëm me një ushtri të fortë do të vinte dhe do ta rrëzonte.

Në këto pak kthesa historike, me lavdinë e bashkimit të kombit ky njeri do të ishte një rival i frikshëm për këdo; mbret, tiran, autokrat.

Në Romën e lashtë, senati dhe perandorët kishin arsye për t’u mohuar gjeneralëve mandatin dhe forcat e nevojshme për të pushtuar Gjermaninë. Në kohën e Republikës, disa gjeneralë të fuqishëm përdorën ushtritë e tyre për të marrë pushtetin: Marius, Sulla, Pompeu i Madh, Julius Casesar, Octavian. Ata ishin në gjendje ta bënin këtë sepse ushtritë e tyre ishin besnike ndaj tyre, jo ndaj shtetit, Ata që shërbenin nën një gjeneral të suksesshëm, mund të bëheshin të pasur, mund të plaçkisnin qytete dhe fshatra të pushtuara dhe gjenerali shpesh do ta ndante me ushtarët një pjesë të plaçkës së tij.

Perandoria e hershme filloi me Cezarin dhe Augustin. Romakët u rritën me historitë për Pompeun, Cezarin dhe Mariusin. Statujat e tyre ishin në pallat. Teatrot dhe tempujt e ndërtuar nga këta njerëz ishin në qytet. Ata ishin për romakët siç janë për ne Napoleoni, Churchilli, Uashingtoni. Kur një perandor shikonte gjeneralët e tij, pyeste veten: “A është ky njeri një Cezar, që pret të më rrëzojë”? Dhe një perandor i mençur nuk u jepte gjeneralëve ambiciozë komandën e ushtrive të mëdha.

Natyrisht, perandorët mund të kishin shkuar personalisht për të pushtuar Gjermaninë. Ata mund t’i kishin udhëhequr vetë legjionet. Trajani pushtoi Dakinë dhe Mesopotaminë kur ishte perandor. Por pushtimi i Gjermanisë do të kërkonte vite luftimesh të vështira dhe të rrezikshme. Kjo ndoshta ishte tërheqëse për një gjeneral ambicioz, por jo për një perandor.

Nëse një perandor do të shkonte për në luftime ai do të ishte larg Romës, ndoshta për vite me radhë. E rrezikshme të jesh kaq larg nga qendra e pushtetit kur ka shumë njerëz të etur për të provuar të marrin fronin.

Është e mundur të imagjinohet një perandor që do sfida të tilla, dhe kështu romakët nuk e pushtuan kurrë Gjermaninë.

Shqipëria, Kosova e Çamëria nuk u bënë dot bashkë.

Udhëheqësit e liq shqetësohen vetëm për kolltuqet, rehatinë dhe duan një shtet sa më të vogël, ku kryeministri bën sikur punon dhe mikro-menaxhon furrat e bukës.

Të kundërtën bëjnë fqinjët; Athina zyrtare – pa pranuar të përmendet çështja Çame – e quan Himarën greke; dhe Serbia – pa asnjë fjalë për Luginën e Preshevës, Medvegjën e Bujanocin – pretendon Kosovën, e cila ndjehet e ndarë nga nëna – ose Shqipëria gjithmonë ka pasur bijë plangprishës në udhëheqje të saj.

 

Elegji për njeriun që ikën

Në mes të rrugëtimit të jetës, njeriu e gjen veten në pyll të errët, humbet rrugën, ecën udhë pa udhë. Sa e vështirë të përshkruhet ky pyll i zymtë, kujtimi i të cilit kthen frikën.

Aq e hidhur është frika, sa vdekja është më pak e frikshme. Me të vërtetë, nuk e di se si hyri në pyll, sepse ishte aq përgjumur.

Pasi arriti rrëzë një mali, ku mbaronte lugina që i kishte ngrirë zemrën, hodhi një vështrim lart dhe pa majën e malit të ndriçuar nga ato rreze dielli që të çojnë në rrugën përgjatë çdo rruge.

Pastaj tmerri u zbut disi, i cili në thellësi të zemrës kishte zgjatur gjithë natën që kishte duruar aq mjerisht. Ashtu si ai që, pa frymë, del nga deti në breg dhe kthehet për të parë ujërat e rrezikshme, po ashtu edhe shpirti, po ikte nga ai shqetësim.

U kthye për të parë përsëri kalimin nga i cili kurrë nuk doli njeri i gjallë. Pastaj pushoi trupin e lodhur, ndërsa shpirti rifilloi udhëtimin në shpatin e pjerrët të malit të lartë pafund.

 

Epikë biblike

Dhe Adami i tha Evës: “A nuk i sheh këta fiq dhe gjethet e tyre me të cilat u mbuluam kur e pamë veten të zhveshur? Por tani, nuk e dimë se çfarë mjerimi dhe vuajtjeje mund të na vijë nga ngrënia e tyre”.

Kështu, Adami dhe Eva nuk hëngrën më fiq nga kopshti i Edenit. Por faji ishte bërë dhe Zoti kishte ego. Adami filloi t’i lutej Perëndisë që t’i jepte nga fryti i Pemës së Jetës: “O Zot, kur e shkelëm urdhërimin Tënd në orën 18 të së premtes, nuk qëndruam në kopsht më shumë se tre orë. Ti na bëre të dilnim prej andej. Ne mëkatuam kundër Teje një orë, ndërsa sot është dita e dyzet e tretë që na ke ngarkuar me vuatje. Na jep nga fryti i Pemës së Jetës, që të mund ta hamë, të jetojmë dhe të kthehemi për të mos parë vuajtje dhe telashe të tjera. Kur kemi shkelur urdhërimin tënd Ti dërgove një kerubin për të ruajtur Pemën e Jetës, që ne të mos hamë prej saj, të jetojmë dhe të mos dimë asgjë për dobësitë që kemi.

Kemi duruar gjithë këto ditë. Bëjini këto dyzet e tre ditë të barazvlefshme me një orë në të cilën kemi kryer shkelje”.

Dita fillon në perëndim të diellit, ose rreth orës 18:00. Kjo do të thotë se mëkati ka ndodhur në orën e gjashtë, që do të kishte qenë mesnatë dhe nëse Adami dhe Eva u hoqën nga kopshti tre orë më pas, atëherë do të kishte qenë ora 3 e mëngjesit.

Dhe Perëndia iu drejtua Adamit:

“Për sa i përket frutit të Pemës së Jetës që ke kërkuar, do ta hani dhe do të jetoni, ti Eva, dhe pasardhësit tuaj. Por këto dyzet e tre ditë nuk mund të korrigjojnë orën në të cilën ke shkelur urdhërimin tim. Të dhashë frytin e fikut në të cilin u fshehe që ta hash. Pra, ti dhe Eva shkoni dhe hani. Nuk do ta mohoj kërkesën tënde; as nuk do ta zhgënjej shpresën.

Prandaj, duroni deri në përmbushjen e besëlidhjes që bëra me ju – do të prisni 55 ditë ose 5500 vjet me kohën time, para se t’u lejojë të hyni në kopshtin tim”.

Pastaj Adami mori fikun dhe e vuri mbi shufrat e arta. Edhe Eva mori fikun e saj dhe e vuri mbi temjan; ata qëndruan në këmbë dhe agjëruan tërë atë natë deri sa zbardhi mëngjesi.

Kur u ngrit dielli, ata ende luteshin, por pasi mbaruan së luturi, Adami i tha Evës: “Eva, eja të shkojmë në kufirin jugor të kopshtit, deri në vendin nga rrjedh lumi. Atje do t’i lutemi Perëndisë dhe do t’i kërkojmë të na japë të pimë pak nga uji i jetës, sepse Perëndia nuk na ka ushqyer me pemën e jetës që të mos jetojmë”.

Të dy u ngritën dhe shkuan buzë lumit, ku u lutën përpara Zotit dhe i kërkuan që të kujdesej për ta dhe t’i falte. Adami i tha: “O Zot, kur isha në kopsht dhe pashë ujin që rridhte nga poshtë Pemës së Jetës, zemra ime nuk dëshironte, as trupi  nuk kërkonte të pinte prej saj. Nuk e njihja etjen dhe nuk kisha nevojë për ndonjë ushqim. Por tani, trupi më është tharë. Më jep nga uji i jetës që të mund të jetoj. Më shpëto nga këto plagë dhe më dërgo në një vend tjetër të ndryshëm nga ky. Më lër të jetoj në kopshtin tënd”.

Dhe Perëndia i tha: “Asnjë vend tjetër nuk do t’ju sjellë prehje. Është vetëm mbretëria e qiejve ku ka prehje. Por ti nuk mund të hysh në të për momentin, por vetëm pas gjykimit”.

Dhe epika e gabimit të Adamit dhe Evës vazhdon.

Njerëzit kanë humbur shpresat; elitat autoritare, tiranike, të prapambetura, zhvatëse, shpërdoruese, me frymën e rëndë të ateizmit të djeshëm, i thonë turmës të mos i drejtojë sytë nga qielli se “parajsën” e ka në tokë.

Nuk ka lindje apo vdekje, nuk ka perëndim. Nuk ka as ekzistencë apo zhdukje të mëvonshme, por vetëm imagjinata fiktive, të njëjta ose të ndryshme. Profesioni i politikanit është më i paguari. Megjithëse duhet të japësh miliona lekë për t’u futur në lista, përsëri përfitimet janë shumë më të mëdha. Atdheu ështe bërë pasuri e patundëshme, pronë në shitje, ose kamp refugjatësh tranzit nga Afrika, që gjithësesi nuk duan të qëndrojnë në Shqipëri.

Please follow and like us: