Arti nuk kërkon mëshirë, por vetëm e jep: Për “Kur sunduesit grinden” të Kadaresë
Cory Oldweiler, Los Angeles Review
Përktheu Granit Zela
Recensa e Cory Oldweiler-it, shkrimtar dhe kritik letrar për botimin anglisht të “Kur sunduesit grinden” të Kadaresë, tanimë i nominuar për Çmimin Ndërkombëtar Booker. Shkrimet e Oldweiler-it botohen në “Los Angeles Review”, “The Washington Post”, “Boston Globe”, “Star Tribune”, “Words Without Borders”, “Southwest Review” dhe media të tjera ndërkombëtare.
ARTI NUK PËRFUNDOHET KURRË, siç vërejti Paul Valéry, vetëm braktiset. Në epokën digjitale, muzikantët dhe regjisorët e filmave e kanë vërtetuar vazhdimisht pohimin e poetit francez përmes riinterpretimeve, riregjistrimeve dhe rishfaqjeve (shpesh të dobëta) para publikut. Por është shumë më pak e zakonshme që autorët (rishikues a là Walt Whitman) të rishqyrtojnë ose përmirësojnë ndjeshëm veprën që i është besuar botuesit, edhe pse disa rivlerësime të dyshimta kanë ndodhur kohët e fundit për shkak të presionit publik dhe pamaturisë editoriale. Shkrimtarët megjithatë i rikthehen rregullisht veprës së tyre në shkrimet e mëpasme, duke e zhvendosur një histori ose personazh në një kohë ose vend tjetër. Në vitin 2019, Margaret Atwood, e detyruar nga ngjarjet e botës reale (dhe ndoshta kontratat televizive), iu rikthye Gileadit në romanin “Testamentet”, vazhdim i romanit klasik të vitit 1985 “Rrëfenja e shërbëtores”. Dhe së fundmi, në mars 2023, “Raporti i pakicës” i Mary Gaitskill-it ringjalli protagonisten e tregimit të vitit 1988 “Sekretarja”, duke rikontekstualizuar ngjarjet e veprës së mëparshme në dritën e normave tona kulturore në zhvillim. (Gaitskill e arsyetoi rikthimin te ky tregim në “The New Yorker”, ashtu edhe në faqen e saj onlajn).
Eminenca gri e Shqipërisë Ismail Kadare iu rikthye fillimisht veprës së mëhershme me “Pasardhësin” e vitit 2003, një vazhdim i “Vajza e Agamemnonit”, i shkruar në vitin 1985, megjithëse nuk do të botohej deri në 2003. Romani i mëparshëm, që përshkruante çnjerëzimin rrënqethës të jetës pas dehumanizimit për gati katër dekada të regjimit stalinist të Enver Hoxhës, ishte një nga disa dorëshkrime të pabotuara që Kadare i maskoi si përkthime romanesh gjermane dhe i nxori kontrabandë jashtë Shqipërisë në mesin e viteve 1980 me ndihmën e botuesit francez Claude Durand, i cili i fshehu në një bankë pariziane.
Në vitin 1990, pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe pak para përmbysjes së qeverisë komuniste të Shqipërisë, Kadare kërkoi dhe iu dha azil në Francë. Që andej, në vitin 2002, ai iu rikthye alegorive dhe metaforave mitologjike të vajzës së Agamemnonit në variantin e thashethemeve skandaloze dhe satirës së egër te “Pasardhësi”. Përkthimet në anglisht të të dyja romaneve janë bërë nga David Bellos, i cili ka punuar mbështetur në versionet në frëngjisht, një model i përsëritur përkthimi me disa romane të Kadaresë. Romani brilant pasues rimerr në shqyrtim ngjarjen nxitëse të romanit të parë nga një perspektivë e lidhur ngushtë me qeverinë e Hoxhës, ndërkohë që ka si objekt drejtpërdrejt vetë udhëheqësin si një paranojak, që mërmërin pas “paqartësisë së padepërtueshme të syve të verbër” ndërsa mposht armiqtë e përfytyruar në rrethin e tij të brendshëm.
Tani në fund të të tetëdhjetave, Kadare ka shkruar “Një diktator telefonon”, një tjetër roman ku i rikthehet veprës së mëparshme dhe të kaluarës së tij. Megjithëse nuk është një vazhdim i përpiktë i një vepre specifike, kjo vepër e fundit është në dialog të drejtpërdrejtë me romanin e hershëm “Muzgu i perëndive të stepës” (1978), i mbështetur në ngjarjet që ndodhën gjatë kohës së tij në Moskë nga viti 1958 deri në 1960. Libri i ri, në përkthimin e jashtëzakonshëm në anglisht të John Hodgson-it, rimerr në shqyrtim edhe trashëgiminë e Kadaresë dhe trashëgiminë e kujtdo që rravgon të shkruajë nën hijen e një sistemi politik që kërkon t’u diktojë zërin krijues dhe të përcaktojë fatin e tyre.
Ka momente madhështie të vërtetë te “Një diktator telefonon”, por nganjëherë kurba e lartësisë ulet ashtu si edhe ritmi dramatik i veprave më të mira të mëvonshme të Kadaresë, si “Pasardhësi” dhe “Një vajzë në ekzil: Requiem për Linda B” [Në shqip “E penguara”] (2009). Kjo shpjegohet prej faktit ngaqë romani nuk përqendrohet plotësisht në një formë të vetme që mëton të ketë, duke u zhvendosur midis introspeksionit të fuqishëm, teorisë letrare, autobiografisë së letrarizuar dhe hulumtimit historik. Shumica e shembujve letrarë të romanit janë nxjerrë nga panteoni i shkrimtarëve të mëdhenj rusë që po rishqyrtohen që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022. Dhe ndërsa “Një diktator…” është në përputhje me momentin e tanishëm të vlerësimit dhe të nxjerrjes në pah të këtyre shkrimtarëve në lidhje me rëndësinë e kontrollit të narrativës përballë tiranisë, padyshim që nuk përbën kritikë bashkëkohore, duke mos i kushtuar vëmendje të veçantë qëndrimeve aktuale. Megjithatë, është një kod i përshtatshëm (i mundshëm) për një karrierë të jashtëzakonshme dhe duke marrë parasysh temën, thjesht mund t’i sjellë Kadaresë Çmimin Nobel për Letërsinë, i vetmi çmim i madh që ai nuk e ka marrë.
“Një diktator…” mbështetet në një sërë pjesësh lëvizëse për të diskutuar ide shumë më të mëdha, duke e bërë pak të vështirë diskutimin për shkak të rendit të përmbysur të disa çështjeve. Në pamje të parë, diktatori që i jep titullin romanit është udhëheqësi sovjetik Jozef Stalin dhe personi që ai telefonon është Boris Pasternak, autor i “Doktor Zhivago”, veprës më të rëndësishme të tij, roman i cili u botua në Itali në vitin 1957. Më shumë se gjysma e “Një diktator telefonon” analizon 13 rrëfime të ndryshme të një telefonate tri minutëshe që ka ndodhur në 23 qershor 1934. Këto versione janë nxjerrë nga burime (të hamendësuara) parësore si kasetat e KGB-së, si dhe kujtimet e atyre që mund ta kenë dëgjuar bisedën ose të cilëve u është folur për të më pas. Disa nga këta dëshmitarë dëgjuan për telefonatën nga vetë Pasternaku; të tjerët thjesht përsërisnin thashethemet nëpër qytet. Kadare është plotësisht i vetëdijshëm se kjo sipërmarrje është ndoshta marrëzi, duke theksuar se “dy [versione] do të mjaftonin për të krijuar pështjellim”. Pasi paraqitet i katërti, ai madje i kanalizon lexuesit duke shkruar: “Po na çmendni me gjithë këto versione! Ka një kufi për çdo gjë! Mjaft! Megjithatë…”
Në një moment, Kadare shkruan se ai “ka menduar shpesh se tri minutat e Pasternakut ishin një nga idengulitjet e mia stërmunduese”, por ai nuk e beson vërtetë. Menjëherë pas kësaj, në një fragment që tregon aftësitë e mëdha të përkthimit të Hodgsonit, kemi provën: [Ne] që dimë diçka për këtë çështje, jemi të detyruar të dëshmojmë për të, edhe për ato aspekte që është e pamundur të vërtetohen. Çast pas çasti, sekondë pas sekonde… Ashtu siç e dëshmuan ai dhe të gjithë vëllezërit tanë në art, pa e ditur askush dhe pa marrë anën e askujt. Sepse arti, ndryshe nga një tiran, nuk kërkon mëshirë, por vetëm e jep”. Këto fjalë të fuqishme përmbledhin jo vetëm lëndën e romanit dhe harkun e karrierës së Kadaresë, por edhe qëllimin, siç e sheh ai, të artit në përgjithësi.
Në shqip, romani i ri titullohet “Kur sunduesit grinden”. Në faqet e para, përpara se të paraqitet telefonata Stalin/Pasternak, Kadare detajon një tjetër telefonatë, e cila është pothuajse apokrife, mes tij dhe Hoxhës, gjatë së cilës udhëheqësi shqiptar e lavdëron Kadarenë për një poezi që ai kishte botuar në gazetë. Përdorimi i trajtës së pashquar nga Hodgson-i në titullin anglisht sigurisht që lë të hapur mundësinë për më shumë se një diktator, por unë parapëlqej pyetjen e hapur të propozuar nga titulli në shqip, e cila i përgatit lexuesit të marrin në konsideratë se çfarë ndodh kur një kryetar shteti grindet me nënshtetasit e tij, miraton opinionet e tyre – përgjithësisht të papëlqyeshme – ose debaton me ata që priren të mos pajtohen me ta. Kadareja arriti të botonte disa libra në Shqipëri gjatë sundimit të Hoxhës, por vepra e tij gjithmonë eci në zgrip të asaj që ishte politikisht e pranueshme. Meqenëse poema në fjalë nuk është e specifikuar, është e pamundur të përcaktohet nëse kjo telefonatë ka ndodhur në të vërtetë, por duket shumë e pagjasë. Përkundrazi, është thjesht një nga mënyrat e shumta me të cilat Kadare e lidh veten me Pasternakun, i cili gjithashtu nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej siç duhej dhe siç priste Stalini.
Ndërsa nuk është e qartë se përse Stalini i telefonoi Pasternakut, afërmendsh nuk i telefonoi për ta lavdëruar. Para disa javësh, poeti rus Osip Mandelshtam ishte arrestuar dhe dërguar në Lubyanka, ku u torturua dhe u mor në pyetje për një poezi satirike që kishte krijuar një vit më parë. Megjithëse nuk u shkrua kurrë, Mandelshtami thuhet se ua kishte recituar disa miqve. Poema, në përkthimin e W. S. Merwin-it dhe Clarence Brown-it, i referohet Stalinit si “maloku i Kremlinit” me “dhjetë krimba të trashë në gishta, […] buburrecat e mëdha të qeshura në buzën e sipërme”, përpara se të tallte lakejtë dhe qeverisjen e tij të neveritshme. Stalini mendonte se poema, e njohur sot si “Epigrami i Stalinit”, duhej të fshihej nga historia; “Këto ishin fjalë që nuk duhej menduar apo thënë kurrë”, siç shkruan Kadare. Kur Stalini i telefonon Pasternakut, ai e pyet për Mandelshtamin dhe sipas arkivave të KGB-së, Pasternaku mohon të ketë njohur mikun e tij, përpara se të shtojë: “Kështu që nuk mund të them asgjë për Mandelstamin”. Stalini përgjigjet: “Ndërsa mund të them se ti nuk je një shok i vërtetë, shoku Pasternak”, pastaj e mbyll telefonin. Shumica e versioneve të telefonatës bien dakord për këto pika kryesore – domethënë, që atë e telefonoi Stalini; që Pasternaku, ashtu si Juda, e mohoi shokun e tij; dhe se Stalini e ka qortuar.
Pse Stalini kërkoi në radhë të parë mendimin e Pasternakut? Çfarë shpresonte të fitonte duke i telefonuar? A po përpiqej thjesht të fuste në kurth Pasternakun? Dhe, si rrjedhojë, cila është marrëdhënia mes diktatorëve dhe artistëve, ku të dytëve zakonisht u frikësohen të parët? Këto janë disa nga çështjet me të cilat merret Kadare në pjesën më të madhe të “Diktatorit”, por interesi i tij për Pasternakun e ka origjinën në ngjarjet e trajtuara në “Muzgu i perëndive të stepës”, botuar në shqip në vitin 1978, në frëngjisht në vitin 1981 dhe në përkthimin anglisht të Bellos, nga frëngjishtja, në vitin 2014. Kadareja ishte 22 vjeç në vitin 1958 kur u dërgua në Institutin Gorki në Moskë për të mësuar, krahas korifenjve të letërsisë sovjetike, se si të shkruante sipas diktateve të realizmit socialist. Kjo kohë dhe magjepsja nga vajzat e reja të Moskës, u ndërpre në vitin 1960 pasi Hoxha, një stalinist dogmatik deri në ditën e vdekjes, filloi të shkëpuste lidhjet me Bashkimin Sovjetik, sepse Nikita Hrushovi po shkëputej, sipas Hoxhës, nga porositë e Stalinit. (Hoxha do ta përfundonte procesin e izolimit të Shqipërisë nga pjesa tjetër e botës kur u tërhoq nga Traktati i Varshavës në vitin 1968, pasi sovjetikët pushtuan Çekosllovakinë dhe ndërprenë lidhjet me Kinën në fillim të viteve 1970, pasi udhëheqja pas Maos u largua nga rruga e vërtetë e komunizmit.)
Gjatë vitit të parë të Kadaresë në Moskë, Pasternakut iu dha Çmimi Nobel për Letërsinë. Nderimi u pa si “një dhuratë e helmuar e borgjezisë ndërkombëtare”, siç shprehet një personazh te “Muzgu”, duke bërë që e gjithë pesha e sistemit sovjetik të përplasej mbi të me forcë të frikshme. Reagimi ishte aq madh sa Pasternaku më në fund e refuzoi çmimin. Në “Një diktator..”, Kadare shpjegon se për sa i përket Shqipërisë, problemi nuk ishte se sovjetikët kishin sulmuar Pasternakun, por se ata nuk e kishin bërë atë aq ashpër sa duhej. Zgjidhja “e dukshme”, imagjinon ai që propozon qeveria e Hoxhës, ishte “një plumb ballit”. Është një ndjenjë që do të kishte qenë e paimagjinueshme të pohohej, qoftë edhe me shaka (nëse do të kishte një koncept të tillë nën Hoxhën), në vitet 1970.
Kadare shfaq empati të thellë për Pasternakun tek “Një diktator…” diçka gati e pamundur te “Muzgu…”, duke shkruar se zhurmnaja dëshmitar i të cilës kishte qenë në Moskë përfshinte “një element të çuditshëm dhe krejtësisht të ndryshëm. Sikur të mos ishte vetëm për të [Pasternakun] por për dikë tjetër, ndoshta edhe për mua.” Ai ngjall atmosferën: “Imagjinoni të qëndroni vetëm përballë vendit tuaj, i cili ju fyen dhe ju bërtet me urrejtje dhe dashuri në të njëjtën kohë”. Është një rresht që i bën jehonë ndjenjave të tij neutrale nga 45 vjet më parë te “Muzgu…”: “Si duhet të jetë të jesh objektivi, të jesh syri i asaj cikloni? E imagjinova kokën legjendare sllave duke fryrë faqet në mes të stepës. Propaganda sovjetike ishte e tillë.” Ishte në rregull të kritikoje sovjetikët në atë kohë, por jo të ndieje simpati për objektivat e sulmeve të tyre. Te “Një diktator…”, Kadare është i lirë të shkruajë çfarë të dojë, dhe në rast se paralelet mes të shkuarës së tij dhe sulmit ndaj Pasternakut nuk janë ende mjaft të qarta, ai shton: “Është e njëjta zhurmnajë e pandërprerë në Moskë siç dëgjohet në Tiranë”.
Kapitulli i parë i “Një diktator…”, parashtron kthimin e Kadaresë në Shqipëri nga Moska dhe nisjen e përpjekjes për botimin e “Muzgut”. Teksa e lexoja, mund të imagjinoja që dy romanet të ndërthureshin në një vëllim të vetëm, si diçka e shkruar nga Milan Kundera, ku Kadareja do të ndërpriste rrëfimin e “Muzgut…” me komentin në vetën e parë të “Një diktator…”. Do të kisha dashur ta shihja këtë qasje veçanërisht në pjesën e dytë të shkurtër të “Një diktator…”, i cili fillon me mbërritjen në Paris në vitin 2015 të Irina Emelyanovas, vajzës së të dashurës së Pasternakut dhe një personazh i rëndësishëm nga “Muzgu…” (ku emri i saj përkthehet si Ira Emelianova). Kadare shkruan se Irina është me gruan e tij në pritje për të ngrënë drekë, por më pas fillon të heq paralele mes jetës së Mandelshtamit dhe Pasternakut dhe nuk i kthehet më asaj. Shumë më mirë përdoret Stulpansi, një letonez që është miku më i ngushtë i Kadaresë te “Muzgu…” (ku emri i tij përkthehet si Stulpanc). Historia e tij në “Një diktator…” është një nga pikat e pakta të subjektit që nuk duhet zbuluar këtu, por mjafton të thuhet se ai rrënon plotësisht veprimet e Vladimir Leninit, duke theksuar në të njëjtën kohë prirjen e tiranëve për të rënë pre e frikërave dhe mërive të vogla,
Një arsye se pse do të doja që Irina të ketë më shumë zë në “Një diktator…” është sepse Kadare tregon se si gratë, “shpjegueset më të ëmbla dhe më të pamëshirshme të së pashpjegueshmes”, kanë qëndruar “pothuajse krejtësisht të heshtura” që nga koha e Helenës së Trojës. Shumica e rrëfimeve për telefonatën e Stalinit dhe Pasternakut vijnë nga gra, por ato nuk janë, pohon Kadare, të besueshme si dëshmitare për shkak të klisheve që lidhen me personazhin e dashnores/gruas. Do të rrëfej se, pas disa leximeve, ende nuk e kam plotësisht të qartë se çfarë po përpiqet të shtjellojë Kadare për gratë si vëzhguese të historisë. Shënimi tjetër që duket i rremë më del gjatë një shqyrtimi të standardit të dyfishtë që rregullon sjelljen e artistëve dhe politikanëve: Ana e përparme e lavdisë, e famës, rrëzon idhujt politikë, por nuk ka fuqi kundër artistëve. Në të vërtetë, në vend që t’i dëmtojë ato, shpesh i bën më tërheqës. […] Artisit jepet pas qejfeve, grave dhe i pëlqejnë pijet. Punë për të. Por a shkruan mirë? Kjo është kryesorja. Por, ndërsa kjo ishte padiskutim e vërtetë në të kaluarën, nuk mendoj se shumë shkrimtarë, të paktën në Shtetet e Bashkuara, do të pohonin se kështu është edhe sot.
Ndërsa “Një diktator…” shpesh aludon për detaje te “Muzgu..”, vetëm një fjali shfaqet në të dy romanet, një passhkrim kritik nga një letër që e dashura e Kadaresë nga Moska i dërgon pasi ndahen. Në “Muzgu…”, lexojmë: “Gjithë ditën dje në radio flitej pa pushim për një shkrimtar që ka bërë tradhti dhe unë mendoja për ty”. Te “Një diktator…”, Hodgsoni e përkthen: “Dje po flisnin në radio gjatë gjithë ditës për një shkrimtar që ishte kthyer në tradhtar dhe mu kujtove ti”. Kur Kadare, duke reflektuar tek “Një diktator…”, kujton rreshtin, ai i ndalon rrahjet e zemrës. Është vetëm një fjalë – tradhtar – por ky është lloji i aludimit që i bën shkrimtarët të vriten. Është lloji i frikës që ai kurrë nuk mund ta kishte diskutuar në veprën e mëparshme. “Një diktator” vazhdon të theksoj disa përpjekje për censurë, duke përfshirë raste që përqendroheshin te një fjalë të vetme – në Shqipëri, fjala “zonjë”, e përdorur nga nxënësit e shkollës sepse zëvendësohet nga fjala “shoqe”; dhe në Rusinë e shekullit të 19-të, emri i Car Aleksandrit që shfaqet një herë në një poezi të Pushkinit. Kjo e fundit ishte shkak i bastisjes së banesës së Pushkinit, një shembull tjetër i frikës së vogël që ndjehet aq shpesh nga të fuqishmit.
Kadare pyet veten se si do të ishte përgjigjur nëse Hoxha, në telefonatën e tyre të hamendësuar, do ta kishte pyetur për një shkrimtar tjetër shqiptar. Ose për veten e tij. A dëshiron ai që të kishte pasur mundësinë për të sprovuar veten? Apo ndihet sikur ka bërë mjaft me veprën e tij? Ndoshta përgjigja, përgjigja e tij, për pyetjen e fundit dhe për historinë vjen në versionin e 13-të të telefonatës midis Stalinit dhe Pasternakut. Ndryshe nga çdo version tjetër në roman, ky nuk i atribuohet një burimi specifik dhe nuk rrëfen telefonatën. Në vend të kësaj, Kadare thotë se ato “burime të tjera arkivore nuk kanë ndihmuar në krijimin e një versioni të besueshëm të bisedës”. Në këtë version të 13-të, fjala e fundit thuhet nga vetë Kadareja dhe është përfundimtare: Mandelshtami dhe të tjerë si ai që janë të detyruar të dëshmojnë për historinë nuk janë të vetëm, kujtimi dhe zëri i tyre do të jetojë./exlibris.al