Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: KUJTONI, POR MOS I PËRSËRITNI!

 

“E DUEM  SHQIPNINË  SI  GJITHË EUROPA!”

22 MARS 1992

PLOT – 32 VJET MASHTRIM I POPULLIT SHQIPTAR

“Një  “andërr” sa e gzueshme aq e trishtueshme per Popullin Shqiptar! 

22 Mars 1992: Mbasi u zhvilluen zgjedhjet e parakohshme, njoftohet se me një rezultat të thellë kishte fitue PDSh. Rotacioni i rezultatit ishte 90 %. Në krye vjen një qeveri e “djathtë”. Parlamenti i ri zgjedh President të Republikës së Shqipnisë z. Sali Berisha, i pari president i zgjedhun në mënyrë demokratike. Protestat antikomuniste marrin fund.

U tha, po dhe u pat shkrue me shkronja të mëdha gjithkah në Shqipni se:

Revolucioni antikomunist “triumfoi”.

Edhe na shqiptarët me gjithë Europën Lindore besuem se do të ishte e vertetë! Premtimi i parë i Partisë Demokratike Shqiptare PDSh, para se të merrte pushtetin, ishte se Qeveria e re Demokratike do të fillonte me proceset gjyqësore kundër udhëheqjes së PPSH për vrasjet e 2 Prillit 1991 në Shkodër dhe njëkohsisht vrasësit e 47 vjetëve të qeverisjes komuniste me në krye terroristin Ramiz Alia, do të përgjegjen para gjyqit “me akuzën për Gjenocid ndaj Popullit Shqiptar”.

Do të fillonin edhe proceset gjyqësore kundër ish-ushtarakëve, ish-punonjësve të Sigurimit të Shtetit etj., kryesisht për ata që ngarkoheshin me vrasje dhe terror e tortura mizore ndaj Popullit Shqiptar.

Ish të persekutuemit dhe të perndjekunit politikë të Shqipnisë, jo vetem do të kishin trajtimin njerzor, por edhe do të ishin bashkqeverisës së Shqipnisë së re, të Lirë dhe “demokratike”.

U shpërndanë disa “letra me vlerë” dhe disa shuma lekësh nga 2000 lekë për çdo të pushkatuem, (shumë të cilën unë nuk e kam pranue, pa më tregue ku janë eshtnat), tue u “harrue” fare persekucioni 47-vjeçar i “luftës së kllasave”, perderisa në të njajten kohë, iu rriten pensionet dhe ua dhuroi edhe apartamentet shteti vrasësve dhe oficerëve të djeshem… 

Kudo parullat “Liri, Demokraci!” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, po priteshin për me u ba “realitet”.

Në Shkodër, Kavajë, Tiranë, Korçë, Berat e gjithë Shqipninë, atëherë kur filloi me u shkrue ndër mure parulla e ré “prit gomar sa të dalin bari”!

Shpallja e parë e kësaj “parullë” ishte porsa bashkvuejtësit u quejtën me termin e ri “bashkfajtorë”, ndoshta, kjo nga angazhimi i shumë agjentave të Sigurimit në organet e reja të partive dhe të shtetit të ri rreth të cilit u gjetën edhe hetues kriminelë, si “shoku” i njohun Sabri Godo, që u vesh edhe me epitete tjera, që janë turpi i “demokracisë” atëherë dhe sot.

U miratue një ligj për ata që do të zgjidheshin kjoftë edhe nder organet lokale, që para se me u ngarkue me një detyrë, me u paraqitë nga i propozuemi “pastertia e figurës”, gja që “garantonte” para zgjedhësve “hapjen e dosjeve”. Në të vertetë kjo “u zbatue” e u ba e “besueshme” me zgjedhjet e të gjithë deputetëve tue fillue nga kryetari i Kuvendit të ri Popullor, Pjetër Arbnori, e deri tek Gramoz Ruçi me shokë, ku të gjithë bashkë ishin jo vetem bashkvuejtës dhe bashkfajtorë, por ishin edhe “bashkpuntorë të sigurimit të shtetit komunist.”

Të parët njerëz që kanë tregue rrugën e vërtetë në të cilen duhet vendosë pa asnjë kusht dhe lëshim Demokracia në Shqipni janë kenë Don Simon Jubani, Prof. Arshi Pipa dhe At Daniel Gjeçaj.

Don Simoni e ka shpallë botnisht “programin e Tij” në fjalën e mbajtun në Vorrezat e Rrëmajit me 11 Nandor 1990, ora 11.00, kur ka thanë Meshen e Parë, me të cilen Ai solli Lirinë e Fesë në Shqipni, një kusht i domosdoshem për vendosjen e Demokracisë në “Shtetin Ateist”.

Profesor Arshi Pipa, profeti i vërtetë i t’ardhmes Demokratike, shumë shpejtë mbas Don Simonit, nga stacioni i “Zërit Amerikës” (1990), ka ba thirrje per rrëzimin e monumentit të diktatorit mu në qender të Tiranës, akt pa të cilin “nuk mund të vendoset Demokracia”.

At Daniel Gjeçaj, me daten 22 Mars 1992, në radio “Vatikani”, ka lexue Ai vetë “Programin e Qeverisë së Ré Demokratike”, prej ma shumë se 16 pikash, kushte që jo vetem ishin të domosdoshme po të detyrueshme, për me vendosë Demokracinë e vertetë në Shqipninë e porsazgjueme nga robnia e dhuna e pashoqe komuniste e terroriste n’ Europë.

Asnjë nga thirrjet dhe kërkesat e Këtyne Burrave nuk janë marrë parasyshë dhe as nuk janë zbatue n’ afatet e mendueme prej Tyne!

Edhe monumenti i diktatorit Ever Hoxha u hoq mbas sa muejsh në Shkodër, ndersa në Tiranë vazhdoi edhe sa muej të tjerë.

Me miratimin e BSPSH së Shkodrës, para fitores së zgjedhjeve të 22 Marsit 1992, kam paraqitë unë zyrtarisht në Kryesinë e BSPSH në Tiranë, tek Kryetari z. Gëzim Shima, në prani të z. Eqrem Kavaja, kërkesën e zgjedhjes për President të Republikës së Ré Demokratike Shqiptare, Emnat e Shqiptarëve të Nderuem dhe të njohun zotnijve  Prof. Arshi Pipa ose Prof. Sami Repishti dhe, per Kryeminister zonjen Prof. Nermin Vlona, aso kohe Ajo ishte në Itali. As kjo kerkesë nuk asht marrë fare në kosideratë gjoja e “bame pa vend dhe para kohet”.

Edhe kerkesa e BSPSH u shue me vendimin e turpshem, të zgjedhjes së personave që kohët e fundit kanë jetue ma shumë se 20 vjet pashkëputje në Shqipninë komuniste e rrethueme me tela e ferra.

Fatmirёsisht Kёta, nuk ishin komunistё tё kovertuem, per tё cilet ka folё nё mes tё Tiranёs nё vitin 1999, presidenti çek, z. V. Havel.

E verteta asht se trashigimtarët e rijë të qeveritarëve komunistë, perveç pasunimit personal në kolltukët qeveritarë, që këte e kemi traditë që në vitin 1925 me Ahmet Zogollin e ma vonë me Ever Hoxhen, Ramiz Alinë etj., kanë ba disa ndryshime të dukshme, që asht vështirë me t’i rrokë mendja e kokës. Ever Hoxha, djali i bylykbashit turk të Gjinokastres, apo Ramiz Alia, djalë turkoshakut në Bosnje, kishin të drejtë me u krenue me veprat e tyne tradhëtare dhe terroriste ndaj Popullit Shqiptar. Ata u sollen aty nder ata poste vetem per atë qellim që ju kishte caktue PPSh.

Nuk do të zgjatem me biografitë e tyne se asht një çmendi e vertetë!

Sot, në 32 vjetorin e 22 Marsit 1992, kur shpejt do të festojmë edhe 32 vjetorin e “antarësimit” në “Konferencen Islamike”, askush nuk mund të “akuzojnë” asnjë “dr. profesor”, pasues president’ e kryeministra, si mashtrues, hajdutë apo tradhëtarë të Popullit Shqiptar, mbasi të gjithë, njeni mbas tjetri, disa ishin “bijtë e Stalinit”, disa “vëllezer me serbët e Titos”, disa “vëllezër me motrat kurva” të demokracive popullore apo të Bashkimit Sovjetik e të Kinës. Flitet per Europen po nuk bahet asnjë hap.

 Tashti jemi ortakë të “Ballkanit Hapur”, të Italisë dhe së fundi “vëllezer gjaku me turqit e Erdoganit”, miku i qeverisë socialistit komunist Rama.

Të vetmit pesimistë aso kohe që nuk besonin se do të bahen ndryshime ishin Don Simon Jubani, i cili thonte se Jugu kerkon edhe sot:”Vetem Demokraci komuniste dhe me qeverisë të gjithë Shqipninë”. Ndersa,  Ferdinand Temali “mbas revoltës së Vlonës në 1997, nuk besonte ma mbas disa pamjeve në rrugët e Vlonës!” Ndersa, Bardh Shiroka i cili, nuk pranoi me marrë postin e Kryetarit të Persekutuemve Politik n’ Shkoder. nuk i besonte asnjëherë ndryshimeve tue mos u dënue kriminelat e djeshem, perkundrazi.., kishte edhe prova që kujtonte nga hetuesia e Tij.

***

Detyrohem sot me ju drejtue një pyetje per bishat qeveritare: A ban me dijtë çka ju lidhë “me ata kafshë t’egra komuniste t’rilindura të Shekullit XXI”, perveç vjedhjes, krimit të organizuem, mbushjes së xhepave, shkatrrimit kombtar edhe të Asaj pak Shqipnije që ka mbetë sot, bashkë me Ate Shqipninë e Nderueme të Gjergj Kastriotit, që ishte dikur!?

Vllazën e Motra Shqiptarë! Jemi para zgjedhjeve. Shqipninë sot si asnjë shtet tjetër po e shkallmojnë “komunistët e rilindur”! Kujtoni mirë edhe njëherë “premtimet e tyne”, po mos përsëritni marrinë me votue për ata!

Komunistët e  Shqipnisë janë bishat ma t’egra e t’  korruptueme të Botës!

Vetëm Nanë Tereza i ka njohë mirë që në vitin 1997 në Rinas kur tha:
“O Zot, hiqja mallkimin Tand Popullit Shqiptar”!        

Melbourne, 20 Mars 2024.

 

 

 

Please follow and like us: