Albspirit

Media/News/Publishing

Gjykata pushon akuzat për shpifje ndaj gazetares Juli Ristani

Një zyrtare e Ministrisë së Mbrojtjes pati akuzuar Ristanin dhe dy media për shpifje pas publikimit në korrik 2020 të një investigimi mbi konkursin për një bursë studimi në Greqi.

Për shkak të mungesës së pajustifikuar të paditëses, një proces gjyqësor për shpifje kundër gazetares Juli Ristani u mbyll me vendim pushimi nga gjyqtari Dritan Caka të mërkurën më 20 mars 2024, afërsisht katër vjet pas nisjes së procesit në vitin 2020.

Belioza Çoku, e cila në kohën kur ngriti padinë ishte Drejtoreshë Kabineti në Ministrinë e Mbrojtjes, pati kërkuar një dëmshpërblim prej 5 milionë lekësh plus kamatëvonesa dhe përgënjeshtrim, nga Ristani dhe dy media online që kishin publikuar shkrimin e saj.

Investigimi i Ristanit nisi pasi prindërit e një nxënësi që garoi për një bursë studimi në shkollë ushtarake mjekësore në Greqi, kontaktuan gazetaren për t’i vënë në dispozicion dokumente që tregonin se si procesi i vlerësimit të konkurrentëve ishte manipuluar si dhe për t’u ankuar për atë që e shikonin si presion përmes telefonatave nga zonja Çoku.

Në aktpadi, Çoku pretendoi se informacioni i publikuar ishte i pavërtetë dhe se telefonatat e saj me prindërit që ankoheshin ishin sqaruese dhe jo shantazhuese.

Prindërit u paraqitën në Gjykatën e Tiranës të mërkurën më 20 mars me synimin për të dëshmuar në seancë në gjyqin për shpifje ndaj Ristanit. Dëshmia e tyre nuk u regjistrua dot nga gjykata për shkak se seanca e caktuar nuk u zhvillua në mungesë të palës paditëse. Jashtë seance, prindërit i thanë BIRN se studimet e djalit kishin vajtur më së miri dhe se ai ishte aktualisht duke ndjekur studimet pasuniversitare, një tregues ky i zvarritjes së stërgjatë të procesit gjyqësor kundër Ristanit, një proces të cilin Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e pati gjykuar si të pabazë dhe “akt intimidues” ndaj gazetares.

Gazetarët përballen herë pas here me padi dukshëm të pabazuara për shpifje, të cilat, besohet se synojnë t’i frikësojnë apo t’i lodhin me ecejake nëpër dyert e gjykatave, pavarësisht se shanset për sukses gjyqësor janë të pakta. Të njohura si SLAPP, këto lloj padish synojnë të shtyjnë gazetarët drejt vetëcensurës në raportimin e çështjeve sensitive.

Parlamenti Evropian miratoi së fundmi një kuadër rregullash që synon të ndihmojë vendet anëtare apo kandidate që të mbrojnë gazetarët nga padi të tilla.

Ristani u shpreh e lumtur që ecejaket e saj katërvjeçare për në Gjykatën e Tiranës morën fund, duke e konsideruar detyrimin për t’u paraqitur në seanca si një bezdisje që shpenzon kohë dhe tërheq vëmendjen nga çështje të rëndësishme.

Çështja e saj u mbështet në gjykatë nga avokatët Dorian Matlija dhe Irena Dule, të cilët punuan pro bono./Reporter.al

Please follow and like us: