Historia e pashait Abdurrahman, sundimtari i fundit i Hungarisë që lindi në një fshat të Peqinit
Abdurrahman Abdi Arnaut Pasha me origjinë nga Peqini ishte komandant i ushtrisë turke që pushtoi Hungarinë.
Megjithëse pushtues, atij i është ngritur në vendin ku u vra, në “Buda Castle”, një memorial i posaçëm.
Memoriali ka një dedikim impresionues, pasi pashai quhet armik por e konsiderojnë edhe hero.
Në memorial shkruhet:
“Guvernatori i fundit i pushtimit 145-vjeçar të Buda-s, Abdurrahman Abdi Arnaut Pasha. Ra në këtë vend më 2 shtator 1686, kur ishte 70 vjeç. Ai ishte një armik hero. U prehtë në paqe!”
Po kush ishte pashai i Budës?
Abdurrahman Pasha lindi më 1616 në një fshat të Peqinit. Vazhdoi studimet e larta ushtarake në Stamboll.
U edukua dhe u stërvit në në repartin e famshëm të jeniçerëve ku kishte shumë shqiptarë.
Në vitin 1674 mori postin e guvernatorit në Bagdatit dhe dy vite më vonë u bë guvernator i Egjiptit.
Në vitin 1684 u emërua komandant i ushtrisë Osmane në Hungari.
Një vit më vonë u krijua “Lidhja e Shenjtë” me misionin për të larguar turqit nga Hungaria e cila sundohej prej tyre që prej 145 vjetësh.
Me iniciativën dhe mbështetjen financiare të Papa Innocentit XI dhe Republikës së Venedikut u dërguan 80.000 trupa në Budapest.
Ata u mbështetën edhe nga 15.000 hungarezë vendas.
Beteja e Budapestit ishte ndër më të përgjakshmet në histori.
Më 17 qershor të vitit 1686 pashai rrethohet nga ushtria e parë evropiane e bashkuar, në përbërje të së cilës kishte gjermanë, francezë, italianë, polakë, austriakë dhe hungarezë.
Kjo ushtri ishte e përbërë prej 90 000 deri 95 000 forcash.
Pashai kishte brenda kështjellës vetëm 8 mijë forca.
Abdurraman Pashës iu përsërit disa herë kërkesa për dorëzim, por ai refuzoi të dorëzohej
Historia thotë se Pashait iu dërgua një forcë e madhe nga Turqia por ajo u thye në Beograd pa mundur të arrijë në Budapest.
Më 29 gusht, nga vetë Pashai organizohet një kundërsulm mbi rrethuesit, por edhe ky u thye.
Beteja e Budës është përjetuar në disa vepra artistësh, ku protagonisti kryesor është pashai plak me flokët e bardhë të mbështjellë me turban.
Në këto vepra gjenden fjalët e tij:
“Unë nuk arrita ta mbroj dot kalanë e Budës që më kish caktuar në ruajtje. Ajo çka është e drejtë, është që bashkë me rënien e kalasë, të bie edhe unë”.
Sipas kronikave – në momentet e fundit – ai u turr përpara drejt vdekjes me një grusht ushtarësh që i kishin mbetur, të cilët e ndoqën pas.
Dhe u vra.
Trupi i tij i mbuluar nga gjaku, u la në shesh për disa ditë.
Dita e vrasjes së tij ka hyrë në histori si dita që i dha fund pushtimit 145-vjeçar të Budapestit.
Vendi ku u vra pashai 70 vjeçar, u ruajt dhe u rrethua, deri sa 245 vjet më vonë, në këtë vend u ngrit përmendorja, që është edhe sot, kushtuar “armikut-hero”.