Balil Gjini: Lotët
Në tabelën e Mendelejevit varur në muret e zemrës
këta lotë: simbole kimike me valenca të nginjura;
janë vërtet xhevahire në një kasafortë të verbër,
a vagabondë dashurish që shesin tufa me psherëtima?
Këta simbole, e dashur, ngjizin edhe imazhet e tua
që shtyhen e notojnë gjer të kalben venave me gjak.
Silic, magnez… një botë me shumë ndërtuar
batica në detin e harresës do ta çojë pas pak.
Atëherë lotët e rinj tek kangjelat e vjetra të qerpikëve
do të dalin sërish, veshur krrëk, me tjetër kostum,
të gatshëm të derdhen shëllirë në fuçinë nostalgjike
ku kufomat e të puthurave do të ruhen postum.
Magjistricë, a zot, është ai që në këtë kazan të mishtë
si në epruvetë përzien simbole kimikë gjithë gaz?
Avuj!… trumcakë uf – bufesh ngritur në një qiell habish,
simbole komikë të një keqkuptimi të madh.