Ilirian Zhupa: Është vonë të më mungosh
Më mungojnë shumë gjëra, po ti më mungon e para.
Rruga më shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj.
Atje, nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të bardha
Dhe të gjitha fytyrat ngjajnë.
Unë ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?
Shkoj në biblioteka dhe librat më kërrusin nga dashuria,
Ndjek fluturimin e shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë,
Flas me një që s’e njoh dhe s’di se ç’thonë fjalët e mia.
O, po i kam të gjitha e prapë më mungojnë, më braktisin,
Zjarri brufullon brenda gjoksit, ngrohen shumë në të, po jo ti.
Udhët ku shkoj përfundojnë pikërisht atje ku nisin,
Sytë më erren nga pritja sa s’i quaj dot sy.
Pi një kafe me shokët. Ndahemi. Ata vrapojnë te të dashurat e tyre,
Mbështesin kokat mbi supe, pëshpërisin, pastrojnë shpirtin nga bryma.
Po unë çfarë të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën në horizontet e grivëra,
Pëshpëris gjer në thirrje dhe më merret fryma.
Pas të gjitha këtyre shkruaj e ç’shkruaj vargje.
Qielli më bëhet i kaltër, mosha më ndihet e bukur, nata më mbushet me yje.
Këndoj dashurinë që e kam dhe s’e kam, po e gjej të brishtë e të madhe
E ndihem demiurg dhe pre i dashurive.
Është vonë të më mungosh, e dashura ime!