Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Buçpapaj: ARIU I BORËS

Kamerat e “Coca-Colës” i përvidhen gjithandej
Nordi sapo është zgjuar. Ariu gjigant kinse letargjiku
S’pyet për mediat që thonë është ngritur sonambul
Shkon përpara nëpër borën që qan si shqerrë
Ajo sikur  s’është borë, është një botë e lëvozhgave të yjeve të rënë-
Që ka ardhur të bëjë jetën e tokës.
Ai sikur s’është ai që kinse sapo u zgjua nga letargjia
Ai sikur po del nga një laborator që merret me studimin e yllësiveI larë në qumështnajat e yjeve ka dalë
Dy sytë e mëdhenj dy rrafshe paralele me qiellin
Janë si dy faqe të hapura të një libri astronomieNë ekranet e tyre bëhet gjeometria e rrafsheve, pikave, drejtëzave të përfytyruara
Gjeometria e mjegullave yjore, qumështit yjor, varur sipër humnerave
Që bien erë stanesh
Shumëzohen, pjesëtohen, mblidhen, zbriten
Dhe prapë gjithçka fillon nga e para.

Ai ndjen një humnerë të pafundme tej diafragmës
Sikur gjithësitë ndërgalaktikore janë varur aty
Dhe merr frymë thellë për të mbajtur baraspeshën e tyre
Dhe frymëmarrja e tij e vetmuar përfshin tejetej globin

Satelitët artificialë e spiunojnë e këqyrin
Ai s’pyet për ta as për rruzullin që i serviloset poshtë këmbëve si ajsberg
Ai është i vetmi në botë që nuk sheh as majtas as djathtas
Prapa jo që jo.

Ai s’i vë re kërkuesit e fosileve, kërkuesit e gjurmëve të meteorëve,
Kërkuesit e burimeve të naftës,
Kamerat e “Coca-Colës” që i përvidhen gjithandej.
Letargjia e tij ishte një përrallë.
Megjithatë Nordi sa është zgjuar,
Ariu i borës po shkon të përurojë qiejt.

Hapin pararendës se ku e hodhi të gjithë e dimë.
Hapin pasrendës se ku do ta hedhë askush s’e di.

Ai si të gjitha galaktikat bën udhë të paracaktuar.

Pasqyruar në horizonte si në burim të pyllit
Bardhësia e tij kaltëron.

Please follow and like us: