Astrit Lulushi: Solzhenicin
Solzhenicin
13 shkurt 1974 – Aleksander Solzhenicin arresohet, të nesërmen dëbohet nga Bashkimi Sovjetik për në Frankfurt të Gjermanisë Perëndimore, dhe i hiqet shtetësia sovjetike; KGB-ja i kishte gjetur dorëshkrimin e pjesës së parë të Archipelagut Gulag. Atasheu ushtarak amerikan në Moskë William Odom arriti të nxjerrë fshehurazi një pjesë të madhe të dorëshkrimeve të Solzhenitsynit dhe ky më pas e nderoi rolin e Odomit në librin “Aleatët e padukshëm” (1995). Nga Gjermania, Solzhenicin u transferua në Zyrih, para se Universiteti Stanford ta ftonte për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara. Atij iu dha një diplomë nderi për letërsi nga Universiteti i Harvardit (1978). Në një rast, kur e pyetën se si i shpjegonte fatkeqësitë e mëdha që i kishin ndodhur Rusisë, Solzhenicini (e ëma ukrainase, i ati kazak) u përgjigj:
“Njerëzit kanë harruar Zotin, kjo është arsyeja pse e gjithë kjo ka ndodhur. Kam kam kaluar gati 50 vjet duke shqyrtuar historinë e revolucionit socialist, kam lexuar qindra libra, kam grumbulluar qindra dëshmi personale, kam kontribuar me shkrimin e tetë librave në drejtim të gjetjes së një shpjegimi dhe nuk mund ta them më saktë sesa ta përsëris: Njerëzit kanë harruar Zotin, kjo është arsyeja pse e gjithë kjo i ka ndodhur Rusisë”.
Me shkrimet e tij, Solzhenicin shërbeu si një arkiv vuajtjesh; librat e tij janë kujtime të shrehura artistikisht për të tërhequr vemendjen dhe prekur ndërgjegjen e çdo njeriu. Më poshtë disa vargje që Solzhenicini i shkroi në burg, pikërisht lidhur me rëndësinë e ruajtjes së kujtimeve për të treguar vuajtjet nën komunizëm;
“Zot më ruaj të mos çmendem.
Kurrë nuk ka qenë, as nuk do të jetë botë e shkëlqyer!
Pece këmbësh e ngrirë është shall që mbështjell fytyrën time
Luftë mbi qullin për të ngrënë, betejë e vazhdueshme.
Dhe ditët pasojnë pa fund, në fatin e zymtë.
Goditja ime e dobët ndez xixa nga toka e ngrirë.
Dielli poshtë vështron dhe unë shikoj qiellin.
Bota është këtu! Dhe do të jetë! Raund i përditshëm.
Njeriu nuk duhet të mbyllet në këtë ditë.
Duhet shkruar pa vonesë
Jo mes zemërimit, por arsyes,
Me kuptim të qartë.
Kujtesa kurrë nuk mund të çojë tek ngjarjet siç kanë ndodhur,
Ashtu si shumë rrallë pulset e dritës prekin shpirtin e dhembur.
Po, është i mbyllur qarku rreth nesh, tepër i tendosur,
Por vargjet shpërthejnë pengesat, kujtimet lirshëm rrjedhin
Për të shpëtuar diçka duhet shkruar, ndoshta, përtej mundësive.
Pastaj ata mund të kontrollojnë
më kot trupin tim –
Ja ku jam, i gjithi juaji, kërkoni,
Se mos iu shpëtojë gjë
Kujtesa është e paprekshme,
Mbetet përtej duarve të kasapit!
Po sikur të më japin bukë të helmuar?
Nëse errësira më mbulon mendjen?
Oh, le të mos ndodhë këtu!
Le të vdes atje!
Perëndi, më ruaj të mos çmendem”!
(Marrë nga “Kalendar Historik”, Astrit Lulushi, TiranaTimes 2017).
Please follow and like us: