Rafaela Prifti: Katër vjetori i pandemisë së Covid-19!
Java e tretë e marsit 2020 – pllakosja e pandemisë që përfshiu globin erdhi me shpejtësi por jo menjëherë. Nuk erdhi me bujë, përkundrazi. Zbrazëtia përhapej ngadalë por pa rreshtur. Qendrat e punës, vendet publike, shkollat, hotelet, restorantet, sallat e koncerteve, aeroportet, stadiumet filluan të bien në heshtje. Festimi i një ditëlindje në mars u bë takimi i fundit fizik me familjarët përpara masave të izolimit. Pushimi i pranverës për disa, Mardi Gras për të tjerë ishin ngjarjet e fundit normale përpara njoftimit për masat e izolimit nga coronavirus.
Daljet u rralluan. Vizitat u ndërprenë. Ditët e punës dhe ato të pushimit i humbën trajtat. Shenjat e distancimit dy metra u shfaqën në supermarket, në korridore dhe platforma treni. Ne u ngujuam pa e ditur se ditët më të këqija nuk kishin ardhur ende. Pas pak edhe parashikimet e humbën kuptimin sepse duheshin rikalibruar vazhdimisht.
Shtëpia u bë klasë, zyrë, palestër për disa, restorant, park lojërash, kinema. Artikujt e pastrimit u zhdukën nga qarkullimi për pak ose bliheshin me numër për familje. Letra higjienike u bë barceleta e ditës. Monitorët ishin portali i hyrje-daljeve në shtëpitë e njëri tjetrit. Dhe ndonëse e keqja ishte e përbashkët për gjithë njerëzimin, përjetimi i pandemisë vuri në dukje dallimet midis atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë. Pabarazia u shfaq në përmasa deri atëherë të panjohura dhe sipas sociologëve ende të pallogaritura. Botimet e librave dhe statistikave nga mjekësia dhe ekonomia do vazhdojnë të na i japin shifrat e kontrasteve, të ndara në tabela dhe kuadrate.
Në të njëjtën kohë që masat izoluese minimizonin lëvizjet dhe jeta dukej e paralizuar, në hapësirat e komunikimeve masive qarkullonin lirisht teoritë nga më të çuditshmet dhe fantastiket se çfarë i shkaktonin ose ndalonin simptomat e Covid-19. Mediat sociale vlonin me kura të paprovuara nga më të guximshmet tek më vulgaret, ndërkohë që të njëjtat platforma thoshin me të madhe se nuk ka pandemi.
Një nga pasojat më afatgjata dhe veçanërisht të dëmshme nga pandemia është keqinformacioni. Edhe pas katër vjetëve vazhdon dezinformacioni për vaksinat që u krijuan me patentat amerikane në dhjetor 2020, njëmbëdhjetë muaj pas rastit të parë të Covid-it në Amerikë. Sulmet ndaj shkencës në përgjithësi, mjekësisë në veçanti dhe prej andej tek shkencëtarët, mjekët, personeli i institucioneve publike të shëndetësisë, dhe vetë Organizatave të Shëndetësisë u kthye thuajse në aktivitet sportiv, në mungesë të sporteve të zakonshme, mund të themi me ironi.
Java e tretë e marsit ishte vetëm fillimi i ndryshimeve që vinin nga një organizëm i padukshëm por me fuqi mahnitëse të dukshme në takimet që nuk u bënë, ceremonitë e diplomimit që mbetën veç data të shënuara në kalendar, mbrëmjet e maturës që nuk ndodhën, udhëtimet që nuk u nisën, përqafimet që nuk u ndjenë dhe mbi të gjitha jetët që nuk u shpëtuan…