Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: 33-vjet nga zgjedhjet e para “pluraliste” në Shqipëri dhe rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane

Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për EuroAzinë, ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para pluraliste në atë vend në Mars/Prill 1991.

Telegraf.al / Zgjedhjet e para “pluraliste” të 31 marsit 1991 dhe rivendosja e lidhjeve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara atë muaj, me syrin e një shqiptaro-amerikani pjesëmarrës në ato ngjarje – ishin historike, por edhe zhgënjyese, njëkohësisht, për Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike më 15 Mars 1991, kur Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Muhamet Kapllani dhe ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Raymond Seitz nënshkruan atë ditë, 30-vjet më parë, në Departamentin e Shtetit në Uashington, pas pothuaj gjysëm shekulli ndërprerjeje, “Memorandumin e Mirëkuptimit”, në prani të dhjetëra shqiptaro-amerikanëve dhe zyrtarëve të ndryshëm, nga të dy vendet.

“Unë e kam thënë shpesh se ky tranzicion i tejzgjatur post komunist në Shqipëri i ka rrënjët gjithnjë në ato zgjedhjet e para, as të lira, as të drejta, si dhe në manipulimet e zgjedhjeve të më vonshme, por edhe në mungesën e një vullneti të sinqertë të klasës politike”

Në vitin 1945 Shtetet e Bashkuara kishin kushtëzuar rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, ndër të tjera kushte, me mbajtjen e zgjedhjeve të lira, duke dërguar atë vit një mision në Tiranë për të biseduar mbi këtë çështje me autoritetet shqiptare.  Por, sipas Departmentit të Shtetit, si përgjigje ndaj kësaj kërkese, qeveria komuniste e Enver Hoxhës i kërkoi misionit amerikan që të largohej nga Shqipëria.  Ashtu edhe ndodhi. Diplomatët amerikanë u dëbuan ga Shqipëria komuniste, për të mos u këthyer në Tiranë deri në mars të vitit 1991. Për Shtetet e Bashkuara, zgjedhjet e lira dhe demokratike ishin aq të rëndësishme në vitin 1991, ashtu siç kishin qenë në vitin 1945 dhe ashtu siç janë edhe sot, 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit dhe komunizmit zyrtar në Shqipëri – gjithnjë bëhet thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike.  Ndryshimi është se sivjet, bëhet thirrje edhe për “lista të pastra”.Pothuaj e njëjta procedurë si në vitin 1945 qe ndjekur nga Amerika edhe 30-vjet më parë në Mars/Prill 1991, kur menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Uashingtonit dhe Tiranës më 15 Mars, Departmenti Amerikan i Shtetit vendosi që të dërgonte sa më shpejt një delegacion diplomatik në Shqipëri për të hedhur hapat e para për hapjen e  ambasadës së re dhe njëkohësisht për të shërbyer si monitorues në zgjedhjet e para “pluraliste”, ndonëse delegacioni amerikan konstatoi shpejt se ato zgjedhje nuk do të ishin as të lira dhe as të ndershme — që ishin caktuar të mbaheshin në Shqipëri më 31 Mars, 1991.  Delegacioni amerikan i përbërë nga katër veta dhe i kryesuar nga ambasadori David Sëartz, arrijti në Tiranë, një javë pas nënshkrimit të Memorandumit në Ëashington dhe në javë para mabjtjes së zgjedhjeve të para “pluraliste” në Shqipëri. duke u bërë kështu misioni i parë diplomatik amerikan që shkelte në tokn e Shqipërisë ç’prej vitit 1946.  Monitorimi i zgjedhjeve   të para “pluraliste” ishte një prej objektivave kryesore të delegacionit amerikan gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri. Ndonëse në raste të mëparshme kam shkruar mbi vizitën e misionit të parë amerikan në Tiranë 30-vjet më parë si dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane që kanë vazhduar të shkojnë përpara ç’prej asaj date. Kësaj rradhe — pasi jemi në prak të një raundi tjetër zgjedhjesh në Shqipëri — deshta të kujtoj atmosferën e zgjedhjeve të para “pluraliste” në atë vend, nga pikëpamja e një monitoruesi të atyre zgjedhjeve — si anëtar i delegacionit të parë amerikan në Shqipëri. Megjithëse gjendja politike kishte filluar të ndryshonte, të pakën me fjalë, në një vend si Shqipëria që ishte sunduar nga thundra e hekurt e një prej regjimeve më barbare të botës komuniste — zgjedhjet e 31 Marsit, 1991 ishin hapi i parë drejt një liberalizimi të ngadalshëm drejt hapjes së Shqipërisë ndaj botës perëndimore dhe një procesi të gjatë tranzicioni të pa fund për demokratizimin e jetës post-komuniste në vend, pas një izolimi të vet-imponuar nga ish-regjimi komunist për pothuaj 50-vjet. Unë e kam thënë shpesh se ky tranzicion i tejzgjatur post komunist në Shqipëri i ka rrënjët gjithnjë në ato zgjedhjet e para – as të lira dhe as të drejta — si dhe në manipulimet e zgjedhjeve të mëvonshme, por edhe në mungesën e një vullneti të sinqertë të klasës politike të këtyre 30-viteve për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe trashëgiminë e saj, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, bazuar në standardet ndërkombëtare.  E them këtë se procesi i zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, nuk ishte as i lirë dhe as i ndershëm. Ligjet dhe rregullat për zgjedhjet e para “pluraliste” ishin përpiluar nga partia në fuqi, dmth. Partia e Punës — dhe natyrisht ishin në favor të saj, duke u mohuar partive të tjera të posa formuara, të drejtën dhe mundësitë e barabarta për të zhvilluar një fushatë efektive.

“Vrasjet në Shkodër me 2 prill, 1991 u interpretuan në atë kohë, nga ne dhe nga delegacionet e tjera ndërkombëtare në Tiranë, si një shenjë ogurzezë për të ardhmen e demokracisë shqiptare”

 

Në zgjedhjet e para “pluraliste”, Partia e Punës gëzonte një monopol absolut mbi të gjitha aspektet e jetës politike, ushtarako-policore, ekonomike dhe shoqërore në vend, sidomos kontrollonte mjetet e komunikimit dhe median, jetike këto për zhvillimin e një fushate politike efektive. Ndërkohë që partitë e opozitës ankoheshin se nuk kishin kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për zgjedhjet, pasi nuk kishin as përvojën as burimet e nevojshme për t’u përballur me Partinë e Punës, që i kishte rrënjët thellë në shoqërinë shqiptare.  Në të vërtëtë, nga vizitat që bënim tek zyrat e Partisë Demokratike dhe tek ajo e Partisë Republikane gjatë qëndrimit tonë atje – e që ishin dy partitë kryesore të opozitës — në Tiranë si edhe në zyrat e tyre në disa rrethe, shihej konfuzioni i tyre dhe zhgënjimi për të mos thënë se mbizotëronte një kaos i vërtetë në radhët e tyre.  Megjithë entuziazmin, kjo atmosferë pasigurie dhe ngathjeje nga ana e tyre vihej re kudo. Ishte e theksuar mungesa e mundësisë dhe të drejtës së partive opozitare për të përdorur median publike – televizionin dhe gazetat – që kontrolloheshin fund e krye nga Partia e  Punës.  Në të vërtetë, më kujtohet se megjithë rëndësinë historike të vizitës së delegacionit amerikan dhe rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Uashingtonin, arritja e delegacionit amerikan në Tiranë pothuaj u injorua fare nga media zyrtare.  Mesa kishim mundësi të ndjeknim burimet e lajmeve në atë kohë në Tiranë, “Rilindja Demokratike”, gazeta e Partisë Demokratike të Shqipërisë, e posa formuar në atë kohë, ka qenë e vetmja gazetë me rëndësi – megjithëse edhe kjo jo me aq entuziazëm — pat njoftuar arritjen dhe vizitën e përfaqësuesve të parë amerikanë në Shqipëri, në pothuaj një gjysëm shekulli. Listat e kandidatëve për rrethe të ndryshme të partive të opozitës, në shumë raste, nuk ishin të plota dhe në shumë zona të vendit, partitë e opozitës nuk kishin zgjedhur as candidate, sepse koha për t’u përgatitur për zgjedhjet ishte aq e shkurtër.  Në të vërtetë, Partia e Punës kishte vendosur që – për të minimizuar rolin e partive të tjera, zgjedhjet të mbaheshin në fillim të shkurtit, ashtu që opozita të kishte edhe më pak kohë për t’u përgatitur, por më në fund kishte vendosur që – si një gjest “vullneti të mirë” ndaj opozitës, zgjedhjet të shtyheshin deri me 31 Mars. Megjithëkëtë, ishte një atmosferë tejet e pafavorshme për kandidatët e partive politike të posa formuara, në krahasim me ata të Partisë së Punës, e cila manipulonte burimet dhe mjetet shtetërore në favor të kandidatëve të saj dhe kishte rrënjë të thella në mbarë shoqërinë shqiptare.

Në zyrat e partive të opozitës vihej re një mungesë dëshpëruese e mjeteve bazë për funksionimin e një zyre të thjeshtë, lere më të një qendre ose  të kishin një zyrë qendrore funksionale për drejtimin e zgjedhjeve kombëtare dhe për shpërndarjen e programit dhe mesazheve të opozitës elektoratit shqiptar.  Megjithëse votimet u cilësuan nga disa monitorues të huaj, sidomos europianë, në përgjithësi, si të drejta dhe të lira, delegacionet monitoruese amerikane refuzuan t’i cilësonin ato si të tilla. Një prej tyre, Instituti Kombëtar Republikan ka thënë në raportin e tij se, “fushata e zgjedhjeve në Shqipëri nuk mund të karakterizohej si e “drejtë dhe as e lirë.”

Edhe Departmenti Amerikan i Shtetit (DASH), nëpërmjet zëdhënëses Margareth Tutëiler, bëri një deklaratë me 3 Prill, 1991, duke informuar median amerikane se, “Bazuar në raportet e monitoruesve amerikanë dhe ndërkombëtarë, duket se procesi elektoral kishte mangësi serioze në disa fusha me rëndësi të standardeve të OSBE-së, për zgjedhje të drejta dhe të lira.”  Zëdhënësja e Departmentit Amerikan të Shtetit, ka thënë duke iu referuar Shqipërisë si një vend pa përvojë demokratike, se, “tani është në dorë të të gjithë elementëve të shoqërisë shqiptare për të mbështetur që sistemi i ri pluralist të funksionojë në mënyrë efektive”.  Zëdhënësja e DASH, me atë rast, kishte shprehur angazhimin e Shteteve të Bashkuara se Uashingtoni, “Do të mbështesë vendosmërisht parimet e demokracisë në Shqipëri, si edhe ata që veprojnë për të ndërtuar demokracinë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut”, deklaroi para 30- viteve, ish-zëdhënësja e Departmentit Amerikan të Shtetit, pas zgjedhjeve të para “pluraliste”, në Shqipëri. Manipulimet e zgjedhjeve, që përfunduan në fitoren e Partisë së Punës, shkaktuan shpërthimin e revoltave në disa qytete, përfshirë Shkodrën ku për fat të keq të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, pas zgjedhjeve “pluraliste”, në qytetin verior, me 2 Prill u vranë Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.  Kjo tragjedi ka lenë një plagë të rëndë për familjet e tyre, për Shkodrën dhe 30-vjet më vonë mbetet një prej ngjarjeve më makabër të historisë moderne shqiptare, e cila pret gjithnjë zbardhje dhe drejtësi, përfshirë identifikimin e individëve në radhët e enteve të drejtësisë, të policisë dhe Sigurimit të Shtetit të asaj kohe.

“Jehona e tyre kumbon edhe sot për drejtësi dhe përgjegjësi në korridoret e institucioneve qeveritare e shtetërore të Shqipërisë, 30-vjet pas zgjedhjeve “pluraliste” duke pritur nga reforma e re në drejtësi për një hetim serioz për identifikimin e fajtorëve”

Fatkeqësisht, edhe sot pas 30 vjetësh të këtyre vrasjeve, ashtu siç ka ndodhur me shumë vrasje e tragjedi të tjera në historinë komuniste të vendit, nuk janë identifikuar përgjegjësit as nuk është vendosur drejtësia për këto krime shterërore.  Nuk është zhvilluar asnjë proces drejtësie për ata që ishin, drejt për drejt, përgjegjës, ose për ata që dhanë urdhër për të shtënë me armë zjarri kundër njerëzve të pafajshëm dhe të pa armatosur. Thuhet se këto të shtëna kundër protestuesve paqësorë — sipas dëshmitarëve vendas — kishin ardhur nga ndërtesa e ish-Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër.  Jehona e tyre kumbon edhe sot për drejtësi dhe përgjegjësi në koridoret e institucioneve qeveritare e shtetërore të Shqipërisë, 30-vjet pas zgjedhjeve “pluraliste” duke pritur nga reforma e re në drejtësi për një hetim serioz për identifikimin e fajtorëve. Më kujtohen mirë — megjithë problemet me zgjedhjet e para “pluraliste” — shpresat e mëdha që kolegët e mi dhe unë kishim ato ditë për një fillim të ri historik, për një shoqëri më të drejtë, më të lirë e demokratike dhe më tolerante në Shqipërinë post-komuniste.  Por vrasjet në Shkodër me 2 prill, 1991 u interpretuan në atë kohë, nga ne dhe nga delegacionet e tjera ndërkombëtare në Tiranë, si një shenjë ogurzezë për të ardhmen e demokracisë shqiptare.  Mos zbardhja e këtyre vrasjeve deri më sot justifikon dyshimet tona sot e asaj dite – madje 30 vjet më vonë – dhe në prak të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.  Shqipëria, shqiptarët dhe kombi në përgjithësi meritojnë më shumë dhe më mirë se kaq: shqiptarët duan një qeveri të përgjegjëshme dhe një parliament të denjë për shqiptarët e shumë vuajtur!
   

March 1992, Between Tirana and Kavaja, Albania — Donkey Carrying Crates and an Elderly Man in the Rain — Image by © Peter Turnley/CORBIS

 

29 Mar 1992, Between Tirana and Kavaja, Albania — Two old horses pull a rickety wagon on a paved road through plowed fields. — Image by © Peter Turnley/CORBIS

 

Please follow and like us: