Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: “Arti dhe dashuria shpëtojnë”…

 Po, sepse shërojnë zemrat?…
Sa prej nesh qetësohen vetëm kur dëgjojnë një melodi, kur shkruajnë, kur pikturojnë, kur lexojnë, kur krijojnë muzikë, kur dëgjojnë zhurmën e ujit të rrjedhë, përplasjen e dallgëve në breg, kur shikojnë në sy njeriun që dashurojnë, kur lexojnë një mesazh dashurie, kur mendojnë për dikë por nuk ia shprehin dot… Gjithçka është art, përkthehet në art.
Arti, muzika, letërsia janë jo vetëm një formë e shprehjes së kreativitetit, por gjithashtu një mënyrë për të ndjekur të vërtetën dhe për të kuptuar përmes saj, thellësitë e jetës. Është reflektimi i thellë i emocioneve dhe mendimeve të njeriut.
Muzikë… ata tinguj magjepsës, na marrin për dore dhe na dërgojnë në një udhëtim emocional, na lidhin me të tjerët në nivel shpirtëror, ashtu siç bën dashuria.
Dhe letërsia nga ana tjetër, mes fjalëve të zhytura në magjinë e së shkruarit, na hap dyert e imagjinatës deri kur ne mund të ndjejmë freskinë e pafundësisë të flladisë trupin tonë.
Kultura… një mozaik i pasur i trashëgimisë njerëzore, e mbushur me tradita, rituale, histori. Histori njerëzore kaq të ngjashme me historinë tonë, që të përfshijnë, të mësojnë, të ridimensionojnë dhe të bëjnë të prekësh tokën, të njohësh rrënjët, identitetin, forcën tënde.
Arti dhe kultura na ofrojnë mënyrën për të festuar diversitetin tonë njerëzor dhe për ta jetuar në thellësi të përditshmen.
Pasioni për artin na bën të ndihemi të gjallë, të lidhur me botën, na bën kuriozë dhe ëndërrimtarë, na bën dashurues të botës… udhëtarë kuriozë, të cilët dëshirojnë të prekin dhe ta ndjejnë ekzistencën përmes këtij labirinti të bukur… artit!
Please follow and like us: