Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Kthimi

Rrëfimi i Homerit në Iliadë përfundon me varrimin e Hektorit. Historia e Kalit të Trojës tregohet e plotë në Eneidën e Virgilit dhe hollësi të tjera vijnë nga shfaqja e e Euripidit, Gratë Trojane, e cila gjithashtu flet për rrënimin e Trojës dhe fatin e të mbijetuarve. Euripidi shkroi disa tragjedi rreth Luftës së Trojës, duke përfshirë Helenën dhe Andromakën, si dhe dramat Agamemnon dhe Ifigenia.

Është për t’u habitur që përrallat e Luftës së Trojës tregohen kryesisht nga shkrimtarë grekë dhe në favor të fitores (përveç Virgjilit, i cili shkroi në latinisht për një fitore të shëmtuar, dhe flet me simpati për të mundurit. Hektori, kampioni i Trojës, është njeriu më i admirueshëm në këto legjenda. Kuptimi i plotë i profecisë së Kasandrës rreth Agamemnonit, tregon për kthimin e Agamemnonit në shtëpi. Ndërkohë që kthimi tjetër i famshëm i vështirë, i rrezikshëm dhe i vonuar, është ai i Odiseut.
Grekët patën fitoren e tyre, por mënyra se si e fituan i kishte zemëruar perënditë. Edhe Athena, kampionia e grekëve u zemërua,  sepse Kasandra ishte tërhequr zvarrë nga altari i saj. Athena shkoi te Zeusi dhe u ankua për këtë. Zeusi i dha asaj rrufenë e tij dhe Poseidoni e mbajti detin të qetë derisa flota u largua shumë nga bregu, pastaj e goditi me një stuhi të tmerrshme. Zhurma e bubullimës dhe gjëmimi i detit ishin shurdhuese, dhe vetëtimat ishin verbuese. Kapiteni që kishte marrë Kasandrën nga tempulli u mbyt në atë stuhi dhe Agamemnoni, i cili e kishte kërkuar Kasandrën për konkubinë, për pak u mbyt. Kur anijet e tij më në fund u lanë të kaloni nën retë e stuhisë, Agamemnon e ndjeu veten të falur nga perënditë. Por, jo. Megjithëse, rruga e Agamemnonit për në shtëpi ishte më e shkurtra; ceremonia e pritjes së tij ishte e vështirë.
Njerëzit e lavdëronin Agamemnon për trimëri, fitore dhe uronin një kthim të shpejtë. Ndonjëherë e kishin fajësuar për marrjen e bijve të tyre në një luftë të kotë për një grua të pabesë. Here tjetër, më në heshtje, mërmërisnin për Ifigjeninë, bijën e tij të pafajshme, që e kishte flijuar për të marrë një erë të favorshme për udhëtimin e tij; kishin parë edhe pallatin ku mbretëresha Klitemnestra, nëna e Ifigjenisë, ulur në errësirë, qante e sikur gërmonte…
Agamemnoni u prit me fjalim të pasionuar dhe lule; copa të purpurta ishin shtrirë, që këmbët të mos i preknin pluhurin. Ai argumentoi se një nder i tillë u shkonte perëndive jo njerëzve, por Klitemnestra tha se i ishte lutur perëndive për këtë. I bindur, Agamemnoni hyri në pallat, ku mbretëresha e nxiti të shkonte të lahej dhe të vishte rroba të bukura përpara se të ulej në festën e fitores. Njerëzit e tij shikonin dhe murmuritnin ndërsa portat e mëdha mbylleshin pas tij. Një shërbëtor solli Kasandrën në shtëpi – me nervozizëm, sepse dihej se ajo ishte e çmendur ose profete ose diçka tjetër e pakëndshme, dhe gjithashtu se ishte jashtëzakonisht e lirë me gjuhën e saj. Njerëzit ishin ende të befasuar, nëse jo të shokuar, kur Kasandra e shikoi pallatin me tmerr; i kujtoi që të vëzhgonin vrasjet dhe tradhtitë që kishin pllakosur familjen e Agamemnonit për breza, dhe shtoi se episodi tjetër në atë histori të tmerrshme ishte gati për t’u shfaqur. – ajo vetë do të ishte një nga viktimat. Disa nga dëgjuesit mërmëritën se nëse nuk donte të bëhej viktimë, duhet të fliste më me kujdes. Kasandra tha se heshtja nuk do ta shpëtonte, por vetëm do të kujtohej dhe hakmerrej. Pastaj shkoi duke u dridhur në pallat.
Menjëherë pasi portat e mëdha u hapën përsëri, Klitemnestra i thirri njerëzit e saj për të parë se si e kishte pritur zotin e saj në shtëpi. Agamnenoni shtrihej te këmbët e saj, i mbështjellë me një rrobë argjendi – dhe gjithashtu – të rëndë e të mbyllur – me trupin e mbuluar me gjak, krejt i vdekur; gruaja e tij Klitemnestra e kishte goditur me thikë, ndërsa Kasandra më pak e stolisur – por po aq e vdekur –  shtrihej pranë tij. Njerëzit u zmbrapsën të tmerruar, por Klitemnestra u tha se kishte vrarë vrasësin e fëmijës së saj; veç kësaj, linja e Agamemnonit ishte njollosur me më shumë vrasje; shtëpia e Atreusit ishte mallkuar, me rrënjë e degë, nga perënditë; Klitemnestra, ishte vetëm instrumenti i hakmarrjes.
Menelaus dhe Helen i mbijetuan stuhisë, por anija e tyre u largua nga rruga, dhe shkoi në brigjet e Egjiptit.
Sa i përket Odiseut, mbretit të Itakës, i cili kishte dhënë idenë për Kalin e Trojës dhe kërkoi vrasjen e djalit të Hektorit për të parandaluar hakmarrjen e mëvonshme, pati rrugën më të gjatë të kthimit (10 vjet); anijet e tij qëndruan në det mes erërave çorientuese – ndaluan ishujve – derisa mbërritën në Itakë.
Please follow and like us: