Albspirit

Media/News/Publishing

NATO DHE UÇK, NJË ÇEREK SHEKULLI UNITET STRATEGJIK

(Me rastin e 25 vjetorit të fillimit të ndërhyrjes së NATO-s në ish-Jugosllavi me një orperacion luftarak për qëllime humanitare të koduar: “Operation Allied Force / Operacioni i Forcave Aleate” të SHBA dhe vendeve të tjera naëtare të NATO-s, një operacion që meriton falënderimin e gjithë kombit shqiptar).

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

24 Marsi e këtij viti shënon 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, një ngjarje unikale e fushatës së bombardimeve ajrore, një nga ndërhyrjet humanitare më të suksesshme e historike, që u tha “ndal” tmerreve të gjenocidit serb në Kosovë. Mirënjohja e shqiptarëve të Kosovës, por dhe e mbarë shqiptarisë shkon për liderët botërorë Klonton, Bler dhe liderëve të tjerë të vendeve të përfshira, që përdorën politikën dhe diplomacinë për të mbrojtur të drejtën njerëzore.

Ka kaluar një çerek shekulli nga ndërhyrja ushtarake. NATO në ajër dhe UÇK në tokë u bënë binjake të historisë dhe të drejtës së popullit shqiptar të Kosovës. Është një datë e shenjtë në memorien e gjithë shqiptarëve, ngjarje madhore e kombit tonë pasi ka rregjistruar ditën e 23 Marsit 1999, kur misionari i paqes ambasador Holbrooke, u kthye nga Beogradi në Bruksel, “me valixhen diplomatike të zbrazur”, pasi ishte refuzuar nga Millosheviçi, ky diktator i paskurpullt. Përpjekja diplomatike e SHBA së dhe e liderëve më të mëdhenj të perëndimit për të ndalur gjenicidin dhe eliminuar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë kishte dështuar. Ishte hapur rruga e goditjes së objektivave ushtarakë nga ajri e NATO-s, një mision i jashtëzakonshëm.

Më 24 Mars 1999, gjysëm shekulli që nga krijimi i saj më 4.4.1949, forca ajrore e SHBA-së dhe NATO-s, pa miratimin e OKB-së, por me legjitimimin e NATO-s si struktura jetëgjatë e lirisë, paqes, shpresës dhe vlerave demokratike tregoi forcën e grushtit të së drejtës. Ndërkohë që në Ëashington mbahej samiti që përkujtonte festën e NATO-s 50 vjeçare.

Shqiptarët mbarë kombi shqiptar ka shtuar një dat nga më të rëndësishmet e kujtesës së saj ku “24 Mars 1999” është datëngjarja në historinë gjeopolitike dhe gjeostrategjike të NATO-s e skalitur si ditëmirënjohja e përhershme e shqiptarëve ndaj ShBA-së dhe NATO-s. Mars -Qershori i 1999 ishte përiudha e vendosmërisë së Perëndimit për të damkosur dhe përgjunjur Millosheviçin këtë kriminel luftë të njohur dhe që me dhunë ju shkëput trualli shqiptar i Kosovës prej 10.887 km². Aleatët euroatlantikë të NATO-s më 24 mars 1999 me sulmet ajrore ndaj instralimeve ushtarake jugosllave për 78 ditë me radhë konfirmuan vlerat e lirisë, ndërkohë që UÇK-ja vazhdoi konfrontimet ushtarake me trupat serbe, theu kufirin Shqipëri-Kosovë dhe mori nën kontroll pika strategjike, por edhe u bë mbështetësja e fuqishme e NATO-s në tokë.

Nuk është e rastit që është e gjithëpranuar se bombardimi nga NATO ishte operacion ushtarak me përmbajtje humanitare, pasi nga Kosova ishin përzënë me forcë më shumë se gjusma e popullsisë së Kosovës. Operacioni i NATO-s i koduar me emërtimin “Operation Allied Force / Operacioni i Forcave Aleate”, kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe kjo ishte hera e parë që organizata e ka përdorur forcën ushtarake pa miratimin e KS të OKB-së. Sulmet përfunduan më 10 qershor 1999. Ndërhyrja e NATO-s u provokua nga gjakderdhja e Jugosllavisë dhe spastrimi etnik i shqiptarëve, që i çoi shqiptarët në vendet fqinje. Bombardimet është më se e vërtetë se i hapën rrugën pavarësisë së shtetit të Kosovës. Veprimet e Jugosllavisë kishin provokuar tashmë dënimin e organizatave dhe agjencive ndërkombëtare si OKB-ja, NATO dhe dhjetra të tjera. Refuzimi i Jugosllavisë për të nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë fillimisht u ofrua si justifikim për përdorimin e forcës nga NATO. Vendet e NATO-s u përpoqën të merrnin autorizimin nga KS të OKB-së për veprime ushtarake, por u kundërshtuan nga Kina dhe Rusia, të cilat vendosën “veton” ndaj një mase të tillë. E megjithatë ndërhyrja ushtarake për qëllime humanitare u krye, ndërkohë që karta e OKN-së ndalon përdorimin e forcës, përveç në rastin e një vendimi të Këshillit të Sigurimit sipas Kapitullit VII, ose vetëmbrojtjes kundër një sulmi të armatosur, asnjëra prej të cilave nuk ishte e pranishme në këtë rast të Kosovës. Bombardimet e NATO-s vranë rreth njëmijë anëtarë të forcave të sigurisë jugosllave, përveç disa civilëve. Nato-ja e kreu misionin me përgjegjshmëri dhe shpëtoi një popull të tërë  nga gjenocidi në kërthizë të Europës. Ndërkohë që gjaku i dëshmorëve të shqiptarëve të Kosovës është prova e luftës dhe mbështetjes së fuqishme që ju dha NATO-s gjatë gjithë periudhës së operacionit ajror.

Pas operacionit do të vinte Marrëveshja e detyruar e Kumanovës, që i hapi rrugën ndërhyrjes së forcave tokësore në Kosovë. Operacioni i KFOR-it vijon edhe sot e kësaj dite. UÇK-ja nuk ishte as palë nënshkruese, as vëzhguese, edhe pse aty u vendos shkrirja dhe shndërrimi në Forcat e Sigurisë së Kosovës ndërsa siguria territoriale, i’u ngarkua KFOR-it, me mbi 37 mijë forca këmbësorie nga 36 vende, anëtare të NATO-s.

Janë 25 vjet që vijojnë të mbrojnë paqen në Kosovë, por edhe në rajon.  Hallet e Kosovës ende nuk kanë përfunduar. Presioni ndaj Kosovës ka qenë dhe vijon të jetë i konsiderueshëm. Urrejtja dhe gjakderdhja shekullore, nuk ka mundur të fashistet. Edhe Europianët nuk kanë mundur tja dalin. Këmbanat e alarmit vijojnë të jenë plot “tingëllima lufte”. Kujtesa e popujve të rajonit nuk harron të djeshmen, ndërkohë që paqja dhe vetëm paqja mbetet opsioni i sigurisë dhe ardhmërisë euroatlatike të Kosovës, fqinjit të saj Serbisë sikurse vendet e tjera të Ballkanit. Kur kujtojmë 24 marsin padyshim kujtojmë edhe veprimtarinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që  realisht zë një vend të veçantë, të papërsëritshme, të pangjashme dhe unikale në kohët moderne. Kjo datë e rëndësishme lidhet edhe me dëshmorët, familjen martire të Adem Jasharit, të rënët, të shpërngulurit dhe luftëtarët që u angazhuan nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare, përfshi edhe diasporën, por për aktin e madh që realizoi: daljen në liri në kohët moderne të një popullsie që ndodhej brenda kontinetit europian dhe që kishte dhënë aq shumë për qytetërimin e saj. Është e pamundur që mos të sillen në vëmëndje edhe përpjekjet e armatosura të luftëtarëve të UÇK-së që arritën të bëheshin faktor me aleancën më të madhe euroatlantike, NATO-n.

Kosova sot është e lirë, e pavarur, shtet i brishtë dhe i ri i kontinentit të vjetër, mirënjohja para së gjithash u shkon amerikanëve, strukturës euroatlantike që arritën t’i bashkoheshin popullatës së Kosovës, UÇK-së që luftonte për liri, pavarësi duke ripohuar se vlerat e civilizimit janë mbi gjithçka. Që prej 25 vjetësh ka pasur shumë zhvillime ndërkohë që është për tu evidentuar se Asambleja Parlamentare e NATO-s përbëhet prej 281 delegatëve prej 32 vendeve anëtare të NATO-s dhe që po shikon mundësinë e antarësimit të Kosovës në këtë asamble. Kosova synon që vendi të anëtarësohet në programin e NATO-s, “Partneritet për Paqe” dhe SHBA e kanë mbështetur këtë vendim të Kosovës, ndonëse kanë tërhequr vërejtjen se për një anëtarësim të tillë duhet miratim i të gjitha vendeve të aleancës. Fakt është se nga 32 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 28 prej tyre ndërsa katër (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) nuk e kanë njohur ende. Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë. NATO-ja vijon të jetë prezente në Kosovë përmes misionit të saj, KFOR, që vijon të jetë e përforcuar. Kosova, shteti më i ri i botës është i njohur nga 116 shtete, nga 193 shtete anëtare të OKB-së ose 55.95% e tyre si dhe është njohur nga 3 shtete nga 5 shtete anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, apo nga 60% e tyre. Mirënjohja e shqiptarëve do të jetë e përhershme dhe e vijueshme për strukturën e NATO-s, organizatën më të madhe dhe më jetëgjatë botërore. Faleminderit NATO! Shqiptarët do të dinë t’jua kthejnë borxhin edhe me njohjen e plotë ndërkombëtare të Kosovës, me pranimin në gjithë strukturat e botës demokratike, por edhe në NATO dhe për NATO-n, për sigurinë euroatlantike të popujve dhe kombeve.

-&-

Please follow and like us: