Çapajev Gjokutaj: I shquar dhe i shkarë apo normal?
Çmenduria dhe gjenialiteti ngjajnë si të kundërta, por shpesh përzihen e bashkëjetojnë brenda të njëjtit person. Rreth kësaj nisa të mendoj mbrëmë, si mbarova së pari filmin ‘Në portën e përjetësisë’, që pasqyron jetën e Van Gogut në Arl, luftën me çrregullimet mendore dhe sfidat krijuese e ekzistenciale me të cilat u përball. Filmi hidhte dritë mbi lidhjen e thellë të gjeniut me natyrën, ravgimet për të kapur thelbin e saj e për ta hedhur në kanavacë, përzier të gjitha këto brengosjen që buronte nga izolimi dhe tëhuajësimi.
Si mbarova filmin dola për një ecje të shkurtër, nga ato të ngadalshmet që të përgjumin e të ndihmojnë të kalosh një natë të qetë. Por s’qe e thënë, ndërsa trupi çapitej, mendja fluturonte. M’u kujtua ndërkohë filmi ‘Një mendje e bukur’ me matematcienin nobelist e skizofren, lëvruesin e shquar të teorisë së lojës, John Nash.
Marsel Prusti thoshte se çdo gjë e madhe në botë është bërë nga bipolarët e neurotikët; ashtu gjysmë normalë e gjysmë të shkarë ata themeluan fetë tona dhe krijuan kryeveprat me të cilat krenohemi brez pas brezi.
Po të kërkosh njerëz të shquar që kanë qenë bipolarë e neurotikë të rezulton një listë e gjatë që nis me Van Gogun, Çurçillin, Dostojevskin, Napolonin, Njutonin, Zhanë d’Ark e përfundon me Jul Qezarin, Aleksandrin e Madh, Sokratin, Solomonin e të tjerë shkencëtarë, artistë, burra shteti e gjeni të të gjitha fushave dhe të të tëra kohërave.
Ka supozime të shumta dhe studime shkencore të pakëta që synojnë të shpjegojnë bashkëjetesën mes gjeniut dhe neurotikut, mes zbulimeve e arritjeve gjeniale, më njerën anë, dhe çrregullimeve mendore e emocionale, më anë tjetër.
Bipolarët, supozon një palë, kanë shpesh aftësi të shtuara kreative, nga që ashtu funksionon truri i tyre. Kalimi periodik nga gjendja maniakale në depresion dhe anasjelltas bën që truri i tyre të punojë me ritme thellësisht të ndryshme, kështu që në çastet maniakale, kur truri shkëndijon e hazdiset, arrijnë të shohin qartë edhe gjëra që truri i normalit s’mund t’i perceptojë kurrë. Pikërisht, në çaste të tilla inkandishence mendore e emocionale, zënë e ngjizen zbulimet e mëdha shkencore dhe veprat e shquara artistike.
Një palë tjetër flet për teori kompensimi. Si njerëz me probleme mendore që janë, gjenitë bipolarë e neurotikë, në një pjesë të kosiderueshme të rasteve përjetojnë tallje e përbuzje, vetmi dhe izolim social. Për t’i shpëtuar këtij lloj bullizmi zgjedhin zakonisht dy rrugë. E para është rruga e rebelimit, bëhen ekscentrikë, s’pyesin për norma e konvencione dhe e shtyjnë kështu shoqërinë ku jetojnë t’i perceptojë edhe më të veçantë seç janë, me çrregullime shumë më të mëdha se ato që kanë. Rruga e dytë është ajo e pranimit, dmth i kushtohen me gjithçka kërkimit a krijimit për t’u përfillur e vlerësuar nga mjedisi shoqëror, për t’i shpëtuar izolimit social e vetmisë.
Si teoria e veçantësisë së trurit ashtu edhe kjo e kompensimit duken goxha bindëse, por zbehen e gati gati zhbëhen kur i pranëve me një fakt real: që nga fillimet e historisë njerëzore neurotikët e bipolarët që kanë jetuar e jetojnë mbi këtë dhé, bëhen qindramilionë, kurse gjenitë dhe super të shquarit vështirë se e kalojnë dhjetë mijëshin. Ata qindra e qindramilionë, që patën ose kanë probleme mendore, po nuk u bënë të shquar ngjajnë se nxjerrin gjuhën e përqeshin teoritë që e lidhin gjeninë me bipolaritetin a me çrregullime të tjera.
Mua ma bën me sy e më intrigon një shpjegim tjetër, shpjegim që lidhjen mes të shquarve gjenialë dhe çrregullimeve mendore e sheh si mit të krijuar nga ne, mediokrit. Përballë zulmës e shkëlqimit të gjenive dhe të zbulimeve e veprave të tyre, mediokri ndihet edhe më i vogël e më i mjerë seç është në realitet, ndaj i sulmon e i stigmatizon të shquarit për të qetësuar veten e për të harruar se bën pjesë në kategorinë e atyre që i lashti i karakterizoi si qenie që s’bëjnë tjetër veçse ngrysen, gdhihen, hanë ca bukë e bëjnë ca m…
Të tingëllon cinik ky shpjegimi i fundit? Mbase ke të drejtë, ku ta dish?