Albspirit

Media/News/Publishing

Milazim KRASNIQI: Dhimbje Marsi

Cikël poetik nga Milazim Krasniqi.

 

UDHËTIMI I VJOLLCA BERISHËS *

Nuk e di ku jam, a është ky udhëtim

Gozhduar në këtë arkivol fluturues.

Apo mos është ky një aterim

Drejt thellësive të ferrit shkrumbues?

 

Nuk di jam në qiell a jam në tokë.

Por mes të vdekurve po.

Të rënë edhe mbi mua, si pa kokë!

Oh, të gjithë këta i njoh!

 

Janë njerëzit e dashur, njerëzit e mi

Qenkan të pajetë të gjithë,

Ç’na ka ndodhur, o Perëndi

Pse nuk arrij as të klith!?

 

Kush na ka shkulur si një rrënjë

E na ka bërë kufoma?

Të pavarrosur pse na lënë?

Pse na shoqëron fadroma?

 

Oh, e gjallë mes të vdekurish jam

Dhe nuk di nga t’ia mbaj!

Ah, im bir, Gramozi, qenka gjallë

A ta gëzohem, a të qajë?

 

Ja, e mora në prehër, nga tmerri

Mezi e njoh, i tëri i gjakosur.

Si ta nxjerrë jashtë këtij ferri

Jashtë kësaj makine të xhindosur.

 

Ndihmona, të lutem, o Zot,

Tashmë vetëm Ty të kemi,

Kërcyem si me flatra, jemi në tokë

Dhe gjallë të dytë jemi.

 

Zbritëm nga makina e ferrit

Ecim përpara, pa e ditur se për ku.

Do të jetojmë si dëshmi e tmerrit

Më pak për veten, më shumë për ju.

  * Qytetare nga Suhareka. E mbijetuar nga masakra e Suharekës e marsit 1999, ku u vranë pesëdhjetë civilë shqiptarë, shumica gra e fëmijë. Bashkë me të birin Gramozin dhe kunatën, Shyhreten, kërcyen nga kamioni, që po bartte pesëdhjetë kufomat e asaj masakre drejt Serbisë, ku autoritetet  serbe i patën fshehur kufomat. 

 

 

SYTË  E  ZOJE PRENDIT *

As nuk di kur ditët agojnë,

As kur janë netët puse, pa hënë,

Nuk qaj, por sytë më tradhtojnë,

Jam nënë, oh, nënë.

 

Rri mbështetur në divan

Ngrirë si një statujë në muze,

Asgjë nga malli nuk më ndan,

Nga kujtimet që rrjedhin si rrëke.

 

Të pesë djemtë e mi sokola

Që nderonin shtëpinë e pragun,

M’i mori nga gjiri e nga vatra mordja

E më shoi me një frymë oxhakun.

 

Ishin djem të rinj, djem sokola.

Gazi i tyre m’i ushqente ditët.

Lumturinë e tyre ulur ëndërroja

Si një ëndërr që nuk të shqitet.

 

Bashkë dilnin në punë plot hare,

Bashkë shkonin në kishë me dëshirë.

Ëndërronin për një Kosovë të re

Për një atdhe të lirë.

 

Por gjarpri i zi i Karpateve

M’ i kafshoi edhe djemtë e mi.

Askush nuk e di misterin e fateve

Kur bëhet luftë për vdekje ja liri.

*Nënë shqiptare nga fshati Korenicë i Gjakovës. Forcat terroriste serbe ia vranë të pesë djemtë e saj, në fushatën e spastrimit etnik e gjenocidit serb në vitin 1999.  

 

 

PAGJUMËSIA E NEKIBE KELMENDIT *

Tërë natën rri mbi këtë libër të shenjtë,

Lexoj shkronjë mbas shkronje, fjalë për fjalë.

Balli më është rënduar, sytë më janë enjtë,

Lotët pa pushim derdhin mërzinë vale mbi valë.

 

Duart më janë mpirë e nuk i ndiej

A janë pjesë e imja a veç më janë ngjitur,

Por, prapë më ndihmojnë faqet e librit t’i kthej

Lëvizen nga një Forcë e përndëritur.

 

Faqeve të librit më shpërndahen lotët

Rrjedhin mbi germa, fjalët ndrisin shumë,

Prandaj nuk kam si të fle, madje as të kotem,

Nuk mund ta lë këtë përndritje për një gjumë.

 

Lotët që më rrjedhin rrëke mbi fjalët e shenjta

Janë më të kthjellët, se sa vesa mbi lendinë.

Janë lotë nëne që burojnë nga dhembja

Dhe përpiqen ta përmbytin me dashuri gjithësinë.

 

Lotët e mi rrjedhin dhe nuk do të shteren,

Lotët e një nëne fatmjerë nuk shterojnë,

Nëse sytë e saj lemerinë panë, ata kurrë nuk teren,

Si murana vdekjen, dhembjen e shenjojnë.

 

Ah, këta sytë e mi atë natë hatanë e panë

Kastriotin, Kushtrimin e Bajramin** kur m’i morën,

Nuk di s’i s’m’u verbuan, nuk di si nuk u thanë

Siç nuk e di as sa vrushkuj lotësh nxorën.

 

Këta sy mbeten këtu si kroje që nuk thahen

Dhe si pasqyra, ku reflektohet drita qiellore.

Fjalët e shenjta në lotët e mi kur të mos lahen

Vdekjes do t’i them: pse mua të paren nuk më more?!

 

*Avokate, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe politikane e njohur shqiptare nga Kosova.

** Natën e 24 marsit 1999, bashkëshortin e saj, Bajram Kelmendin, me të dy bijtë, Kastriotin dhe Kushtrimin, forcat policore serbe i kanë arrestuar në shtëpinë e tyre dhe po atë natë, pa asnjë proces gjyqësor, i kanë ekzekutuar në dalje të Prishtinës dhe i kanë lënë aty të pavarrosur. 

*** Nekibja më ka treguar se pas vrasjes së dy djemve dhe të të shoqit, ajo javët e para të tragjedisë, kohën e ka kaluar duke lexuar Kur’anin fëmëlartë, ku gjente qetësinë për ta ruajtur durimin dhe mendjen e kthjellët.

 

 

 

PLISI I SADIK SHERIFIT *

 

U err, ra nata si një zog i vramë.

Më nuk po ndiej asnjë klithje,

Nuk po ndihet asnjë ofshamë

Nuk po ndihet asnjë thirrje.

 

Heshtja ka rënë si një meteor

Që lë pas mister e ftohtësi,

S’po mund të lëvizë as këmbë as dorë

E ndjej që trupi më është ngri.

 

Nga këmba po më rrjedh gjak

Ngadalë, por pa shkëputje,

Dy të panjohur ma lidhën pak

Me dy toja dhe ikën tutje. **

 

Gjaku po ntrashet e po ftohet,

Si peshkve po nxihet.

Shikimi ngapak po më errësohet,

Ndërsa balli po më digjet.

 

Shikoj retë si lodrojnë,

Të murrme e të dendura si shkëmb

Hënën me zemërim po e mbulojnë

As të na shikojë s’po e lënë.

 

Por ja hëna u shfaq krejt pak,

Disa çaste mes resh tërë dritë,

Gjithandej pa vetëm gjak

Dhe burra që kishin dhënë shpirt.

 

Kur na bënë grumbull, na thanë

Hiqni plisat nga koka,

Nënat shqiptare na i shan

Me sharje që s’i përpin toka. ***

 

Pastaj na qëlluan me breshëri

Aq sa u err vetë mesdita,

Si kam rënë nuk e di

Të jem ende gjallë, nuk e prita.

 

Gjaku po më rrjedhë pa pushim.

E ndjej derdhjen zemërplasur,

Më thotë turbull një mendim:

Sa shumë gjak paskam pasur!

 

Po, shumë gjak, shumë, shumë

Gjak shqiptari ndër epoka!

S’jam as i pari as i mbrami unë

Që vdekja më varet si plis te koka.

 

Asnjë zë nuk ndihet në Izbicë,

Vdekja sogjeton si një bishë sllave.

Lamtumirë Kosovë, lamtumirë Drenicë,

Dua vetëm të prehem në paqe.

 

 

*Fshatar nga Broja e Drenicës. Në maskarën e Izbicës, ku forcat militare serbe torturuan dhe masakruan 147 burra shqiptarë, civilë të paarmatosur, Sadiku mbeti i plagosur. Sipas dëshmitarëve, ai ka mbetur aty dyzet e tetë orë dhe ka vdekur nga hemoragjia e madhe.

** Dy të mbijetuar ia kishin lidhur plagën me dy toja të çorapëve dhe ishin larguar.

 ***Të mbijetuarit e maskarës së Izbicës kanë dëshmuar se forcat militare serbe, para se t’i ekzekutonin civilët shqiptarë, kanë përdorur edhe terrorin psikologjik ndaj pengjeve, duke ua fyer nënat shqiptare, duke u kërkuar të hiqnin plisat, duke u thënë se po i bënin kurban për Ditën e Bajramit, etj. 

 

 

DËSHIRA E FUNDIT E BAJRAMIT *

Nga po na çojnë nuk e di,

Gjithë këta njerëz po qajnë.

Po na dëbojnë në Shqipëri,

A peng do të na mbajnë?

 

E lashë lodrën në dhomë,

Një avion të bërë prej kartoni,

Nëna e zbehur si kufomë

Më tha ta lë tek ballkoni.

 

Çantën e lashë në kuzhinë

Që kur të kthehem ta gjej kollaj,

Por shtëpia u mbush me tym

Flakët e kapluan fund e majë.

 

Shtëpia nga zjarri u tund,

E pamë kur u shemb, nga kodra.

E di që janë bërë shkrumb

Edhe çanta edhe lodra.

 

Tash këtu po na ndajnë

Duke bërtitur e me të shtëna,

Edhe pse e shohin që po qajmë

Edhe unë edhe nëna.

 

Nënë, mbama dorën, nënë,

Dorën mos ma lësho!

Nënë, pse me ty nuk më lënë

Të lutem, nënë, më mbro!

 

Por darë e hekurt më shkëputi

Nga dora e nënës, me furi.

Tash jam vetëm, gjëkundi

Ku jam as vetë nuk e di.

 

Po na bëjnë resht për një

Po mua pse, kur s’jam burrë.

Po shtien me breshëri,

Flaka po djeg si furrë.

 

Oh, trupi sa fort m’u nxeh

Po bie përtokë, po shoh hënën

Lart në qiell, pse ashtu u zbeh?!

Ah, ta kisha pranë vetëm nënën!

 

  * Xhevë Meta nga fshati Nivokaz ka rrëfyer se si djali i saj trembëdhjetë vjeçar, Bajrami, i kërkonte të mos ia lëshonte dorën, deri sa forcat policore serbe e ndanë nga e ëma dhe e ekzekutuan, bashkë me treqind e shtatëdhjetë e shtatë meshkuj të tjerë në fshatin Meje.

 

 

 

 

FATI I NJË VAJZE *

 

Tashmë jam rritur sa të kuptoj

Secilën fjalë e secilin tregim.

E di pse më kanë lënë të jetoj

Dhe ç’ka ndodhë me babain tim.

 

Më kanë treguan hallat e nëna

Dhimbjen që u ka rënë në shpirt,

Siç bie një shkëmb e të zë brenda

Pa të lënë as frymë as dritë.

 

Kur kishin hyrë në atë shtëpi

Ku familja ime ishte e strehuar

Tek ai njeri i mirë e plot fisnikëri

Vrasësit me mua ishin egërsuar.

 

Të isha një femër nuk dëshironin

Pasi një djalë donin që të isha,

Që me ritualin e tyre të më copëtonin

Të ngopeshin me gjak si bisha.

 

Më kishin marrë nga djepi me vërtik

E ma kishin vërtetuar gjininë,

Ashtu si kish bërë faraoni në Egjipt **

Kishin bërë edhe këta për Serbinë. ***

 

Të fiksuar si edhe faraoni vetë

Për vrasjen e meshkujve kishin qëlluar,

Por, këta  në fund të shekullit XX

Dhe në Evropën e iluminuar.

 

Kur isha e vogël nuk po kuptoja

E kërkoja babain tej shtëpisë,

Deri sa mësova që të ëndëroja

Dhe ta takoja në qiellin e lirisë.

 

*Vajza shtatëmuajshme e Valdet Kastratit nga Fusha e Pejës, shpëtoi nga masakrimi, vetëm pasi terroristët serbë, e kishin vërtetuar gjininë e saj, pra që ishte femër. Ndërsa babain e saj dhe të gjithë meshkujt e tjerë të familjes Kastrati, (Sokolin, Xhaferin,Valdetin, Adrianin dhe Albanin) bashkë me nikoqirin e tyre, boshnjakun Hasan Muratagiqin, i kishin ekzekutuar.

** Faraoni, sipas Shpalljeve të Shenjta, i vriste të gjithë meshkujt që lindin në familjet hebreje, ndërsa vajzat i linte të jetonin. Moisiu (Musai) shpëtoi falë Vullnetit Hyjnor dhe pastaj u bë profeti që çliroi izraelitët nga robëria e faraonit dhe u bë shkas që faraoni të përmbytej, të poshtërohej e të mbetej në kujtesën e njerëzimit si simbol i mendjemadhësisë dhe mizorisë.        

*** Masakrat e policisë, ushtrisë dhe forcave të tjera paramilitare terroriste serbe kundër popullit shqiptar në Kosovë në vitet 1998 e 1999 janë bërë nën sloganin “Za Srbiju”! (Për Serbinë!) 

 

 

  

PLISI I SADIK SHERIFIT *

 

U err, ra nata si një zog i vramë.

Më nuk po ndiej asnjë klithje,

Nuk po ndihet asnjë ofshamë

Nuk po ndihet asnjë thirrje.

 

Heshtja ka rënë si një meteor

Që lë pas mister e ftohtësi,

S’po mund të lëvizë as këmbë as dorë

E ndjej që trupi më është ngri.

 

Nga këmba po më rrjedh gjak

Ngadalë, por pa shkëputje,

Dy të panjohur ma lidhën pak

Me dy toja dhe ikën tutje. **

 

Gjaku po ntrashet e po ftohet,

Si peshkve po nxihet.

Shikimi ngapak po më errësohet,

Ndërsa balli po më digjet.

 

Shikoj retë si lodrojnë,

Të murrme e të dendura si shkëmb

Hënën me zemërim po e mbulojnë

As të na shikojë s’po e lënë.

 

Por ja hëna u shfaq krejt pak,

Disa çaste mes resh tërë dritë,

Gjithandej pa vetëm gjak

Dhe burra që kishin dhënë shpirt.

 

Kur na bënë grumbull, na thanë

Hiqni plisat nga koka,

Nënat shqiptare na i shan

Me sharje që s’i përpin toka. ***

 

Pastaj na qëlluan me breshëri

Aq sa u err vetë mesdita,

Si kam rënë nuk e di

Të jem ende gjallë, nuk e prita.

 

Gjaku po më rrjedhë pa pushim.

E ndjej derdhjen zemërplasur,

Më thotë turbull një mendim:

Sa shumë gjak paskam pasur!

 

Po, shumë gjak, shumë, shumë

Gjak shqiptari ndër epoka!

S’jam as i pari as i mbrami unë

Që vdekja më varet si plis te koka.

 

Asnjë zë nuk ndihet në Izbicë,

Vdekja sogjeton si një bishë sllave.

Lamtumirë Kosovë, lamtumirë Drenicë,

Dua vetëm të prehem në paqe.

19 dhjetor 2105.

 

 *Fshatar nga Broja e Drenicës. Në maskarën e Izbicës, ku forcat militare serbe torturuan dhe masakruan 147 burra shqiptarë, civilë të paarmatosur, Sadiku mbeti i plagosur. Sipas dëshmitarëve, ai ka mbetur aty dyzet e tetë orë dhe ka vdekur nga hemoragjia e madhe.

** Dy të mbijetuar ia kishin lidhur plagën me dy toja të çorapëve dhe ishin larguar.

***Të mbijetuarit e maskarës së Izbicës kanë dëshmuar se forcat militare serbe, para se t’i ekzekutonin civilët shqiptarë, kanë përdorur edhe terrorin psikologjik ndaj pengjeve, duke ua fyer nënat shqiptare, duke u kërkuar të hiqnin plisat, duke u thënë se po i bënin kurban për Ditën e Bajramit, etj. 

 

 

 

 

KTHIMI I FEHMI AGANIT*

 

Kur e kthyen trenin, e mora me mend

Që po e luanin lojën me djallëzi,

Pa më kërkuar nuk kishin lënë vend

Tash po më prisnin në pusi.

 

Treni plot robër po kthehej

Mbrapshtë nga pika e fundit e kufirit,

Më dukej që udha po bymehej

Dhe po nxinte sterrë si kancer i gjirit.

 

Por as rruga as treni nuk kishin faje

Për vuajtjen tonë tejmitike,

Ruga  e treni barttnin dënesa e vaje

Si të dala nga skenat e tragjedive antike.

 

Xhelatët rrugë e trena kishin zaptuar

Edhe kohën donin ta kthenin mbrapshtë,

Tek dita kur Djeprin e kishin kaluar

Me sytë nga urrejtja si të dalë jashtë.

 

E kam ndjerë këtë urrejtje tërë jetën,

Më ndiqte si hije e nuk më shqitej,

Por kurrë s’mundi të ma fshehte të vërtetën

As të më spërkaste e as të më ngjitej.

 

Por ja që ky çast i saj tash po vjen

Ballë për ballë jam me vrasësit e mi,

Ata e kanë në mendje kohën që nuk kthen

Ndërsa unë veç ëndrrën për liri.

 

Fusha e Kosovës shtrihet e paanë

Një zë më thotë nga brenda, nisu, fluturo!

Dëgjoj të shtëna, nuk di se ku jam

Por e di mirë që i vdekur jo!

 

Më kthyen që të më vrisnin, të marrët

Në zemrën e atdheut tim të shtrenjtë,

Por, vetëm sa më ngriten me fitimtarët

Në fronin e Kosovës sime të shenjtë.  **

12 janar 2106.

 

*Profesor universitar, intelektual i shquar dhe politikan shqiptar i Kosovës. Shquhej si njeri paqesor dhe i përkushtuar ndaj dialogut e mirëkuptimit ndërmjet njerëzve. Forcat terroriste serbe e kidnapuan  nga treni që po bartte  shqiptarët e dëbuar nga shtëpitë e veta dhe e ekzekutuan afër Fushë Kosovës. 

** Në kohën kur e shihja si të përmbyllur këtë cikël poezish, e pashë në ëndërr  Prof. Fehmi Aganin. Nga sa arrita ta deshifroja bisedën me të në ëndërr, m’u shfaq ideja që duhej të përfshija në këtë cikël. Dhe ta mbyllja me të. 

 

 

 

Please follow and like us: