Dhimitër Shtëmbari: In memoriam, Xhevat Lluri!
Bëhej kohë që në faqet e gazetës “Kushtrim brezash” botoheshin fotografitë e përgatitura prej Xhevat Llurit.
– Për këto fotografi që botohen në gazetë, a i japim ndonjë honorar Xhevatit? – më drejtohet Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, Qamil Poda.
– Jo, – i përgjigjem, – asnjë lekë!
– Vërtet asnjë lekë?!
Dhe vazhdon të më thotë paksa i habitur, por edhe me një ton paksa serioz:
– Te studioja private fotografike ku shkon, a i lanë me lekë?
– Po, – ia kthej, – me lekët e veta i lanë. Dhe jo vetëm fotografitë që shikoni në gazetë, por edhe të gjitha ato që gjeni nëpër stendat e vendosura korridorit të Kryesisë së Komitetit Kombëtar janë të tijat…
Qamili (ndjesë past!) qëndroi një hop dhe m’u drejtua:
– Atëherë bëni një shkresë për gjithshka që mendon se i takon, ma sillni mua për firmë dhe dërgojani zyrës së llogarisë. Ai duhet të marrë ç’i takon.
Shefi im u largua, ndërsa unë u ktheva në zyrë dhe u ula në tavolinë që të përpiloja shkresën. Rasti e solli që pas pak, para meje të ishte Xhevati.
– Sa mirë që erdhe! – i drejtohem.
– Do të më ngarkoni ndonjë punë? – m’u drejtua gjysmë seriozisht e gjysmë shaka, siç e kishte zakon.
– Jo, jo; nuk është çështje pune.
Dhe i tregova bisedën që sapo kisha bërë me Qamilin.
– Jo, në asnë mënyrë! Nuk kam ardhur të bëj biznes me veteranët e Luftës.
Dhe nguli këmbë në të tijën. Më mbetej të shkoja te ai që sapo kisha biseduar dhe t’i tregoja, se Xhevati pranonte të bënte një lloj sakrifice në emër të idealeve që e frymëzonin.
– Pa ma sillni këtu, – m’u drejtua shefi.
Dola nga zyra dhe shkoj te Xhevati, duke i thënë se e priste shefi.
– Përse nuk i pranon honoraret? – iu drejtua të porsaardhurit në zyrë.
– Unë nuk aktivizohem për t’u paguar, – ia kthen atij që e kishte thirrur. – Me
që është rasti, po ju them, shoku Qamil, se jam gati të kontribuoj falas edhe për tërë agjitacionin figurativ të veteranëve.
Qamilit nuk i mbetej tjetër veçse ta falënderonte.
* * *
Organizohej një veprimtari përkujtimore në sallën “UNESKO” të Muzeut Historik Kombëtar me rastin e përvjetorit të Shpalljes së Republikës. Janar. Jashtë binte shi dhe frynte erë.
– Shoku Xhevat, mund edhe të mos fotografosh sot, sepse do të të duhet të shkosh në këtë ditë qameti edhe për t’i larë te studioja fotografike, – i drejtohem. –Na paska ardhur një djalë i ri me aparat dhe po i them atij…
– Dakord, – ma kthen.
Sa kohë që vazhdoi veprimtaria, Xhevati vijoi punën e vet. Fotografonte. S’i rrihej. E kishte pasion këtë punë.
Me të mbaruar veprimtaria, shkuam menjëherë në zyrë që të vendosnim fotografitë, sepse materiali duhej dorëzuar menjëherë në shtyp. Prit djaloshin fotograf dhe… s’ka! Veç kur bie zilja e celularit: “Zoti Dhimitër, fotografitë po jua sjell nesër, sepse tani jam nisur për në Durrës për një punë urgjente!” Ç’të bënim! U ndodhëm ngushtë. Atëherë… Xhevatit.
– Alo, shoku Xhevat?
– Po, – përgjigjet.
– Ku ndodheni në këtë çast?
– Jam afër shtëpisë. Jam bërë ujë nga teshat…
– Ju lutem shumë; kemi rënë në hall të madh. Djaloshi që mori përsipër të bënte fotografitë është nisur për në Durrës. Mirëpo materialet e gazetës duhen nisur urgjent në shtypshkronjë…
Nuk ishte nevoja të vazhdoja më gjatë. Miku im m’i kapte fjalët në ajër.
– Sa të shkoj në shtëpi do të ndërroj teshat, do të marrë çadrën, menjëherë do të shkoj në studion aty pas 15 katshit për të larë fotografitë dhe për një gjysmë ore më keni aty. Dakord!
– Faleminderit! Na falni për mundimin!
Më shpejt se një gjysmë ore u desh dhe Xhevati na u fut në derë.
– Po sikur të mos kisha fotografuar unë, ç’do të bënit?! Ja, për këtë më falëndero, – m’u drejtua.
Dhe kishte të drejtë.
* * *
Ndërsa bënim analizën javore të gazetës, e merrë fjalën edhe Xhevati.
– Faqja e gjashtë ka tri fotografi, ndërsa kjo e shtata, këtu në krah, nuk ka asnjë! Kush është më interesante?
Të gjithë ngulën sytë te dy faqet e brendshme të gazetës. “Sigurisht që kjo e gjashta, që ka fotografi, është më interesante” foli dikush nën zë.
Xhevati e deshte përgjigjen nga unë si kryeredakor i gazetës.
– Po, shoku Xhevat, – ia kthej, – e gjashta është shumë më e këndshme për lexuesin.
Ndërkohë ndërhyn sërish Xhevati:
– Se mos më paragjykon ndokush; nuk e kam fjalën se dëshiroj të afishohen fotografitë e mia, por kam dëgjuar nga gazetarë me përvojë, se fotografia ndonjëherë flet më shumë se sa një shkrim. Apo nuk është kështu?
Qendroi një çast, ngrihet nga vendi dhe më afrohet pranë.
– E shikon këtë fotografinë këtu! Ju pyes, cili nga këta të dy është Heroi i Popullit dhe cili është partizani për të cilin flet shkrimi?
Më zuri ngushtë. Nuk po dija se si t’í përgjigjesha.
– Nuk ju drejtova për t’ju zënë keq, se këta njerëz që shikojmë në fotografi jo juve, por as unë, bile as edhe shumë veteranë nuk i njeh, por dua të bëj një sugjerim: të gjitha fotografitë lipset të shoqërohen me diçiturat e tyre, ndonjëherë edhe të zgjeruara. Dhe, më tej akoma; përse të mos vendoset edhe emri i atij që ka shkrepur aparatin! Ashtu si shkrimi, a nuk është edhe fotografia me autor?!
Kishte shumë të drejtë Xhevati. Edhe pse jo gazetar profesionist, logjika prej lexuesi tepër të vëmendshëm e nxiti të na bënte një sugjerim me shumë vlerë, që deri në këtë ditë nuk ia kishim bënë veshin.
Me punë e me rezultate, falë ndërgjegjes së lartë qytetare me të cilën punonte, Xhevati u bë pjesëtar zyrar i stafit të gazetës “Kushtrim brezash”.
Dhe e meritonte. Nuk thonë kot: shokun zgjidhe më të mirë se veten.
Please follow and like us: