Albspirit

Media/News/Publishing

Genc Pollo: NATO dhe Shqipëria

Në mes të vitit 1992 një delegacion i Aleancës së Atlantikut të Veriut, i kryesuar nga Ndihmëssekretari i Përgjithshëm vizitoi për herë të parë Tiranën. Në takimin me Presidentin Berisha, ku kisha privilegjin të isha i pranishëm, ky i fundit shprehu vullnetin e shtetit shqiptar dhe kërkesën zyrtare për anëtarësim në NATO. Gjysmë viti më pas, Presidenti i Republikës do të vizitonte selinë e NATO-s në Bruksel, ku do të pritej nga Sekretari i Përgjithshëm Manfred Wörner dhe do të fliste para Këshillit të Atlantikut të Veriut; treçerek viti më pas zoti Wörner do të vizitonte Shqipërinë krahas shumë qeveritarëve të tjerë nga shtetet anëtare të Aleancës. Në këtë sfond takimi në fjalë është kollaj të harrohet. Megjithatë, ai mbetet i veçantë. Së pari, sepse zyrtarizoi kundrejt NATO-s një qëndrim të formësuar nga Partia Demokratike gjatë viteve 1991 e 1992. Sot, në retrospektivë, kjo duket e vetëkuptueshme, por në kontekstin e izolimit politik në dekada, të tezave “as Lindje e as Perëndim, por urë lidhëse mes tyre” apo të sugjerimeve për një neutralitet ala zviceran, pro-atlantizmi intrazigjent i PD-së pa ekzagjeruar mund të quhet revolucionar dhe me përvojën e deritanishme, largpamës.

Së dyti, sepse ishte e para kërkesë zyrtare për anëtarësim e paraqitur nga një shtet ishkomunist mbas rënies së Perdes së Hekurt. Pse Shqipëria në këtë pikë ishte e para dhe u shpreh për t’iu bashkuar NATO-s më herët se, bie fjala, Polonia? Për këtë nevojitet një hulumtim krahasues. Por ky fakt i dha një besueshmëri të shtuar Shqipërisë, si prijëse në Europën Lindore e një trendi gjeopolitik e qytetërimor.

Historia e deshi që anëtarësimi në NATO të arrihej 17 vjet më pas, në prill 2009; të arrihej nga e njëjta forcë politike në pushtet, Partia Demokratike dhe nga i njëjti lider i saj, Sali Berisha.

Zgjedhja e PD dhe e Shqipërisë mund të shihet në disa prizma. Së pari, NATO është një komunitet i kombeve të lira e i shteteve demokratike. Ne sapo kishim lënë pas me tmerr një regjim totalitar e të izoluar dhe kështu do të ishte mëse e natyrshme që rruga jo e shkurtër e jo e lehtë e ndërtimit të demokracisë e të shtetit ligjor të bëhej në bashkëpunim, në partneritet me këtë komunitet dhe mundësisht në gjirin e tij.

Më tej ndjenja e ribashkimit me Europën e Perëndimin, pas përvojave historike negative të gjysmës së dytë të shekullit 20 dhe të shekujve para pavarësisë, kaq e pranishme në sferën publike mbas dhjetorit ‘90, e konsideronte natyrshëm Aleancën Euroatlantike si një kornizë ku mund të ndodhte ky ribashkim.

Motivi i sigurisë, raison d’être i çdo aleance, patjetër që ishte shtysë primare. Bashkimi Sovjetik, armiku historik i NATO-s u shpërbë në atë kohë tok me Traktatin e Varshavës. Por në Ballkan gjatë një dekade përjetuam luftëra të përgjakshme të nisura nga Jugosllavia dhe Serbia e Milosheviçit, të cilat morën fund vetëm në sajë të ndërhyrjes ushtarake të Aleancës. Dhe paqja u vendos e mbeti e qëndrueshme po në sajë të Aleancës e trupave të saj në Bosnjë e në Kosovë.

Në kuptimin më të gjerë, NATO është edhe referencë e produkt i rendit ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore të modeluar në radhe të parë mbi idealet humaniste të Perëndimit e të bazuara në parime e rregulla. Ky rend, i sfiduar sot nga fuqitë revizioniste si Rusia e Kina, mund të mos jetë perfekt. Por, ai është më i miri që ka njohur globi dhe dukshëm superior ndaj alternativave të mundshme. Dhe Shqipëria besoj ka bërë zgjedhjen e duhur.

Por qenia anëtar në një aleancë nuk është, nuk mund të jetë, vetëm për të përfituar prej saj. Por edhe për të kontribuar në të.

Së pari, me cilësinë politike të anëtarësimit; siç vërejmë në ndonjë rast tjetër kur parti politike madhore janë kundra anëtarësimit të shtetit në një organizatë atëherë kredibiliteti i anëtarit cenohet. Shqipëria e rrezikonte këtë me bagazhin antiamerikan e antiperëndimor të Partisë së Punës e më pas të Partisë Socialiste. Por rreth mesit të viteve ‘90, drejtues të Forumit Rinor Eurosocialist nisën një debat që gradualisht i ndryshoi e i normalizoi pozicionet e partisë së tyre.

Së dyti, me kontributet ushtarake. Shqipëria ka lënë një emër të mirë e të respektuar me trupat e saj të dërguara jashtë arealit si p.sh., në Afganistan e gjetiu. Por në mbrojtjen e arealit edhe ne si gjithë Europa gjatë 20 viteve të fundit patëm iluzionin e dividendit të paqes së përhershme; si pasojë reduktuam shpenzimet për mbrojtjen, hoqëm rekrutimin e kështu me radhë. Është zhvillim pozitiv që NATO investoi në aerodromin e Kuçovës për ta përdorur si bazë ajrore logjistike. Por duhet të lumturohemi që askush nuk pati interes për të ndërtuar aty ndonjë resort turistik. Sepse po të kishte interes e duke parë se çka ndodhur me bazat detare, zor se do të kishim NATO në Kuçovë, sepse zor se të mbetej gjë nga baza ajrore. Këtu lipset një rishikim i gjërave.

Agresioni i Rusisë putiniste kundër Ukrainës këto dy vjet ka ndryshuar paradigmat e gjithëpranuara duke sjellë në fokus të Europës ushtrinë, armatimin e gatishmërinë luftarake. Sfida mes SHBA e Kinës sugjeron që europianët të marrin më shumë përgjegjësi në mbrojtjen e kontinentit, gjegjësisht në NATO.

Por, që të mbetemi në rajonin tonë: në tri vitet e fundit Serbia vuçiçiste tri herë ka kërcënuar verbalisht Kosovën me ndërhyrje të dhunshme e njëkohësisht ka dislokuar ushtrinë në kufirin kosovar. Sipas të përjavshmes “Time”, para disa javësh zbulimi amerikan kishte konkluduar në njërin rast se synimi i Beogradit ishte të marshonin në Kosovë të paktën deri në lumin Ibër. Dhe për të zmbrapsur Vuçiçin u desh jo vetëm të përforcohej KFOR-i me trupa shtesë, por edhe të ekspozoheshin publikisht në media informacionet mbi sulmin potencial. Këto raste janë shkelje të rënda të Kartës së Kombeve të Bashkuara e të detyrimeve të OSBE-së nga Serbia. Kur mendon se kjo është sjellja e një shteti kandidat për në BE kundrejt një tjetër shteti kandidat, atëherë fatkeqësisht nuk mundet të mos vëresh nuancat qesharake që merr ky proces i rëndësishëm. Ky incident e të tjerë si ai dëftejnë se Serbia e sotme me orientimin e saj revanshist në rajon (bëhet fjalë edhe për Bosnjën e Malin e Zi përveç Kosovës) dhe me miqësinë e bashkëpunimin e pandërprerë me rivalët e armiqtë e NATOs (psh., refuzimi i sanksioneve europiane kundër Rusisë me gjithë detyrimin traktator) përbën jo vetëm problem politik, por edhe kërcënim sigurie. Prandaj NATO në rajon me zgjerimin përmes anëtarësimit e me prezencën ushtarake është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme. Thënë kjo lipset të shtojmë se jo gjithmonë reagimi ndaj provokimit ka qenë i duhur. Le të kujtojmë këtu se mbas kidnapimit të tre policëve kosovarë në kufi dënimi ishte verbal dhe pa pasojat që do të duhej të kishte. Po këtu duhet shtuar se ka një iluzion ndër diplomatët në Bruksel e Washington, të cilët merren me Serbinë e dialogun Prishtinë-Beograd se me appeasement apo llastimin e Vuçiçit do të fusin Serbinë në orbitën perëndimore. Faktet tregojnë të kundërtën. Është meritë e Partisë Demokratike në opozitë që me qartëpamësi e konsistencë në këto vite ka kundërshtuar nismat rajonale të padobishme e problematike si dhe sjelljet kundërproduktive ndaj Serbisë nga ana e qeverisë e faktorëve të tjerë. Duke treguar kështu koherencë me vlerat e parimet e misionit të vet që nga koha e themelimit mëse tri dekada më parë.

Please follow and like us: