Albspirit

Media/News/Publishing

GJYKIMI, PARAGJYKIMET, FILMAT, AUTORËT, JURITË…

Vangjush Saro
Gjykim e paragjykim, vështirë t’i ndash nga njëri-tjetri… Në kinema, kjo mpleksje është edhe më e dukshme dhe, njëherësh, edhe më e fshehtë, sado që tingëllon si njëlloj absurdi. Bie fjala, tema e ribërjes së filmave – restaurim i thonë këta me një term të huazuar – është bërë një gjë e diskutueshme këto kohë, aq sa në një TV, një gazetar snob kish shkuar (me valë) gjer në Kanada për të kapur atje një ‘pionier’ që mund t’i fliste diçka për vlerat e filmave të ‘asaj kohe’ dhe për rivlerësimin e tyre (!) Ishte rasti i restaurimit të filmit ‘Lulëkuqet mbi mure’, çka e fton vetë në skenë paragjykimin. Dhe, për fat të keq, as gazetari snob, as opinionisti në moshë të re, nuk mund të ngrihen dot mbi gjykimin.
Po zbres një marsh më poshtë. Duke qenë një ndër admiruesit e kinoregjisorit Dh. Anagnosti, e vlerësoj veprën e tij, ashtu siç vlerësoj edhe atë të K. Dhamos, V. Gjikës, P. Milkanit, etj. Filmi në fjalë është një realizim shumë i mirë, kjo nuk vihet në diskutim. I gjithë celuloidi i Anagnostit është njëlloj shkolle për kineastët dhe artistët shqiptarë. Mirëpo, para ca kohësh, lexova shënimin e një shkrimtari të njohur, që me shumë politesë bënte vërejtje në këtë temë dhe, pak a shumë, shprehte njëlloj brenge pse disa filma me brendi dhe ideologji komuniste jo thjesht rishfaqen, por tash edhe ‘duhet të ribëhen’(!)
Mbase, siç u tha më lart, kthehemi në kufijtë e paragjykimit, por edhe unë jam i një mendjeje që ndonjëherë na duhet ndonjë ‘Stop!’ pavarësisht respektit për aksh autor. Më e pakta, në skenën e fundit të filmit, mësuesi u tregon nxënësve të tij ‘revolucionarë’ për Partinë Komuniste, e të tjera; dhe fjala nuk është për vendosjen e këtij termi (që prodhon aq shumë bezdi) në një rol apo në një kontekst historik, por për një ‘fill të kuq’ (kështu thuhej dhe atëherë) që ka përshkuar krejt filmin. Kaq e domosdoshme është t’ua zgjasim jetën këtyre krijimeve?
Kërkoj ndjesë për naivitetin tim, por ndërkaq, unë s’di a është ribërë filmi ‘Kapedani’ apo ndonjë tjetër aso, që realisht ka pasur dhe ka shikueshmëri absolute dhe vlera gjithaq. Gjithë me këtë rast, unë mund të shtoj: Pse nuk ribëhet filmi ‘Radiostacioni’ i kinoregjisorit R. Ljarja, që përveçse është mbase më i miri i tij, fundja sjell pamjet e një përmbysjeje nga ato që po ndodhnin në një sërë vende; (anipse te ne u shoqëruan me akte më të ashpra, atëherë dhe më pas). Më tej, pse nuk ribëhet filmi ‘Familja ime’ i kinoregjisorit A. Xholi? Edhe ai film është bardh’e zi; madje, më besoni, nuk ka atje parti e ideologji: thjesht flitet për një grua të vjetër (Teto Kalina, që aktorja L. Laska e ka skalitur) e cila vjen të jetojë tek i nipi në Tiranë dhe i duhet të ndeshet me ndryshime që janë të vështira për t’u pranuar nga ajo, për shkak të formimit dhe psikologjisë së një kohe tjetër. Ose po përmend filmin ‘Shpresa’ të kinoregjisorit E. Makri: Një inxhinier i ri (në rol vetë ai) bie në dashuri me punonjësen e vet, një vajzë e bukur, por ‘me halle’; në rol – aktorja brilante M. Makoçi, në një nga prurjet e veta më origjinale në kinema. Lidhja e tyre shikohet me xhelozi e cmirë nga një pjesë e miqve të tyre në kantier, por has pengesa edhe nga familja e Piros (inxhinieri në fjalë). Edhe ky film nuk ka as parti, as ideologji; shkon i gjithi në këtë vijë episodesh sociale. Por as ai nuk përzgjidhet nga ju… (Juritë ishte fjala).
J. Joyce thotë diku që nëse nuk do të dëgjosh gënjeshtra, më mirë mos pyet; diçka të tillë. Gjykimi dhe paragjykimi ngrihen mbi struktura që nuk shihen, mbi raporte e miqësi të fshehura, por që ndjehen, sheshit kanë të bëjnë me bindje, klane, qasje, etj. Gjykimi dhe paragjykimi kanë qenë dhe janë pjesë e tablove të çdo kohe dhe shpesh mund të na brengosin, por mund edhe të na inspirojnë. Edhe autori i këtyre radhëve nuk është i imunizuar nga paragjykimet; (ndryshe s’do të ishim qenie të gjalla, por robotë). Por është mirë të përpiqemi t’i kuptojmë të gjithë e të lëmë hapësirë për të gjithë. Mbase disa krijime të ‘asaj kohe’, edhe pse sheshit e tregojnë nga anojnë, ç’lidhje kishin personazhet (dhe autorët) me Partinë, me shtetin, me ideologjinë e kohës, prapë mbeten njëlloj arritjeje; qoftë edhe për hir të situatës në të cilin janë stisur, pse jo edhe për hir të respektit ndaj atyre që i kanë krijuar, sado që ndonjëherë, rëndohen me shumë aureola… Këto ditë, dëgjoja (në TV) dikë që fliste për Anagnostin – me rastin e ribërjes së filmit – duke e vizatuar me ngjyra tejet të forta; madje, sipas meje, duke e tepruar: që ai… ashtu dhe kështu, kur vinte ai në Kinostudio, kur ai ecte… Sa nuk tha që ishte Perëndi.
Tani, po flet edhe dikush që i ka njohur nga afër ‘Perënditë’, që ka punuar pak kohë pranë tyre… Po, është e vërtetë: Gjika, Anagnosti, më pak Dhamo e Milkani, më tej edhe Kumbaro, Muçaj, Mitro, etj. ishin artistë me autoritet, i zgjidhnin vetë skenarët; nuk merrnin në sy çdo gjë, me raste nuk i bindeshin Redaksisë së Filmit Artistik – hallka e parë ku vinin e shqyrtoheshin skenarët për t’ua propozuar pastaj kinoregjisorëve – ata pra, i gjenin dhe i sillnin vetë skenaret, shpesh edhe i shkruanin ato. Anagnosti e bënte pothuaj gjithnjë këtë gjë. (Është një praktikë e njohur edhe në kinemanë botërore.) Dhe për hir të së vërtetës, filmat e tij, me skenare të tij, ‘Përrallë nga e kaluara’, “Gurët e shtëpisë sime’, ‘Gjoleka, biri i Abazit’, etj. janë ndër arritjet më sugjestionuese të Kinostudios.
Por megjithatë… le t’i ulim në tokë ‘Perënditë’: Ishin punonjës deri diku të bindur; ndiqnin ideologjinë e duhur, edhe pse përpiqeshin për të thënë ndonjë gjë ‘ndryshe’; nga pikëpamja e shanseve dhe jetesës, koha i kishte përkëdhelur; disa rrethana i mbanin më lart se kolegët; raportet e tyre me të tjerët nuk se ishin gjithnjë dashamirëse. Ja, kjo është e gjitha. Askush të mos gënjejë e… paragjykojë edhe më tej. Paqe e pranueshme.
Please follow and like us: