MASAKRA E PESHKËPISË DHE GJAKU I DERDHUR NË KUFIRIN E SHTETIT SHQIPTAR
Fatmir Sulo Shehu
(Në përkujtim të 10 prillit 1994, ditës së masakrës së Peshkëpisë, të 30 vjetorit të rënies së Kapiten I Fatmir Sulo Shehu e ushtar Arsen Llazi Gjini ku gjaku i derdhur i ushtarakëve tanë ishte gjak në në kufirin e shtetit shqiptar, në misionin e shenjtë të mbrojtjes së kufirit në Postën kufitare të Peshkëpisë në Gjirokastër! Nderim në përjetësi Dëshmorëve të Atdheut Arsen Llazi Gjini (1974-10.4.1994) dhe Kapiten I Fatmir Sulo Shehu (1960 – 10.4.1994).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Në kuadrin e marrëdhënieve fqinjësore, në Ballkanin e përplasjeve etnike e ndëretnike Shqipëria është shembulli i bashkëjetesës fetare bashkëjetesës me minoritetet pa kurrfarë ngjyrimi paragjykues e konfliktual dhe në këtë mënyrë është trajtuar nga politika shqiptare që prej themelimit të shtetit të ri shqiptar. Por pavarësisht qëndrimeve paqësore të shqiptarëve, këtij mozaiku ka ndodhur që shpesh fqinjët kanë dashur ta prishin dhe pse jo edhe kanë çuar në situata artificiale konfiktuale. Fakt është se edhe përballë katër luftrave ndaj vilajetit të Janinës në gati një shekull, përballë sulmeve të andartëve të 1913-1914-tës, luftës italo-greke dhe përsëritjes së barbarive greke në shqipëri, provokacioneve të gushtit 1949 me përmasat e një luftë, provokacionet e sulmet, por dhe masakrat e grekëve kanë qenë të herëpashershme, edhe me mbështetje të disa shqiptarëve gjakprishur për interesa. Shqiptarët përkundër gjithçkaje janë treguar popull i matur dhe i duruar përballë një problematike në në rritje. Këtë realitet mund ta ndeshësh kudo edhe në ato zona që dikur u tentua të ndizeshin nga elementë të caktuar. Kështu, tre dekada më parë më 10 prill 1994, në zonën kufitare të Peshkëpisë në Dropull një grup komandosh të përbërë nga tetë njerëz të armatosur hynë në territorin shqiptar gjatë orëve të natës.
Grupi i grekëve të armatosur ishte pjesë e të ashtuquajturit “Fronti për Çlirimin e Vorio-Epirit”, i cili sulmoi një repart ushtarak kufitar duke vrarë në pabesi kapiten I Fatmir Shehu, ushtarin Arsen Gjini dhe duke plagosur tre ushtarakë të tjerë. Më tej grupi i komandove greke të armatosur u larguan në drejtim të Greqisë. Në një letër autorësie botuar në gazetën greke “Elefterotipia” të datës 11.4.1994, shkruhej se, “..ishte një paralajmërim për betejën që do të niste për çlirimin e Epirit të Veriut..”. Që prej Masakrës së Pëshkëpisë, kanë rrjedhur tridhjetë vite, por fakt është se ka qenë një kohë e mpleksur me kërcënime, pretendime absurde, deklarata abuzime, “fshesa të hekurta” ndaj shqiptarëve, keqtrajtime për gjoja “diskriminim të minoritetit grek”. Aktet terroriste e diversioniste fqinje nuk janë shuar asnjëherë, që shkojnë deri me bllokime e kërcënime të politikanëve fqinjë edhe në Bruksel, edhe për mbrojtjtjen e kriminelëve. Ata nuk i zbuti as dhe lëshimet nga më të shumtat që qeveritë dhe politikat shqiptare kanë bërë ndaj fqinjëve. Halli dhe vetëm halli i ka bërë të bëjnë edhe lëshime dhe kjo është lehtësisht e kuptueshme dhe ndonjëherë edhe e pranueshme. Por mos vallë fqinjët jo rrallë harrojnë reciproritetin në marrëdhëniet ndërshtetërore. Por e vërteta sërish ngelet dhe duhet trajtohet dhe kujtohet ashtu sikurse ka ndodhur pasi janë në mes dy viktima në një sulm të orkestruar me prapavijë në qarqe të caktuara të shtetit fqinj. Ushtarakët shqiptarë që u vranë në këtë masakër ishin: Kapiten I Fatmir Sulo Shehu, i cili ishte lindur në vitin 1960 në fshatin Qesorat të Bashkisë Memaliaj dhe rënë më 10.4.1994 në postën kufitare të Peshkëpisë; ndërsa është shpallur dëshmor me vendim nr 3 datë 15.2,1998 të komisionit qeveritar të statusit të dëshmorit të atdheut. Ushtar Arsen Llazi Gjini ishte lindur në vitin 1974 në fshatin Sheq Marinës të Semanit në Bashkinë Fier dhe rënë më 10.4.1994 në postën kufitare të Peshkëpisë, shpallur dëshmor me vendim nr 11 datë 11.4.1994 të komisionit qeveristar të statusit të Dëshmorit të Atdheut.
Fakt është se me Dekreti nr.809 të datës 10.4.1994 Presidenti i Republikës i ka akorduar ushtar Arsen Llazi Gjini, “Urdhrin “Për mbrojtjen e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, me motivacionin: “Rënë në krye të detyrës për mbrojtjen e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë dhe mbrojtjen e jetës së shokëve”. Është dekreti i presidentit te Republikës që shpall “Dëshmor të atdheut”, ushtarin e ekzekutuar në vendrojë duke ruajtur kufijtë e Atdheut, një akt heroik sublim dhe që meriton respektin, nderimin dhe mirënjohjen e të gjithëve. Por kush është versioni zyrtar i ngjarjes së masakrës së Peshkëpisë?
Komunikata e Ministrisë së Rendit Publik, me nr.101, e dt 11.4.1994 (një ditë pas ngjarjes)
“Më 10.4.1994 ora 2.30, 6 – 7 persona të paidentifikuar, të veshur me uniformë ushtarake greke, të maskuar me maska, kanë hyrë nga toka greke, nëpërmjet grykës së Bogazit, në tokën shqiptare, në postën kufitare të Peshkëpisë. Aty në mënyrë të befasishme kanë goditur me armë automatiku tip “Shotgun” rojën e jashtëm të postës, ushtar Arsen Llazar Gjini, vjeç 20, nga fshati Seman Fier, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Më pas kanë kapur rojen e derës së hyrjes së postës, i cili së bashku me rojen e jashtme e kryenin shërbimin pa municion, e janë futur në ambientet e postës. Dy prej tyre kanë hyrë në dhomën ku flinin nënoficerët e postës, Qemal Stroka dhe Siat Selfo, të cilët i kanë nxjerrë të lidhur. Një person tjetër prej tyre ka hyrë në dhomën e komandantit të postës, Fatmir Sali Shehu, vjeç 34, lindur në Qesarat të Tepelenës, banues në Gjirokastër, duke e nxjerrë në korridor e aty e kanë goditur me automatik, duke i shkaktuar plagë në gjoks e në krahun e majtë, duke i shkaktuar vdekjen. Pas këtyre veprimeve, kanë hyrë në fjetoren e ushtarëve duke goditur me automatik muret e tavanit të saj. Kanë sjellë aty trupin e ushtarit të vrarë me automatik dhe kanë goditur e plagosur 3 ushtarë të tjerë, që janë jashtë rrezikut, duke u thënë se po të lëviznin, do ta pësonin dhe se këtë e bënin për ‘Vorio-Epirin’, të cilin nuk e kanë harruar. Kanë kërkuar të dinë se ku është depoja e armatimit, por ushtarët nuk e kanë treguar. Gjatë kësaj kohe kanë kontrolluar dhe kanë marrë 16 automatikë dhe 2 pistoleta në kasafortën e fjetinës, duke i këputur drynat pasi kanë lidhur në pranga të markës “Tajvan” nënoficerin Qemal Stroka, e kanë marrë me vete duke u thënë ushtarëve se ky është i vdekur, prandaj ju mos lëvizni. Pasi e kanë marrë me vete, janë larguar në drejtim të kufirit nga gryka e Bugazit. Afër kufirit, rreth 200 m larg piramidës 24, e kanë lënë nënoficerin Qemal Stroka të lidhur me pranga, duke i thënë të kthehet në postë dhe për çdo minoritar do ta paguani 10 nga ju dhe kanë ikur në tokën greke. Veprimet e tjera hetimore u bënë nga një grup hetuesish të policisë hetimore. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën gëzhojat e automatikut “Shotgun” me të cilat kishin qëlluar. Në rrugën e kthimit për në tokën greke u gjetën disa pajime ushtarake, si çanta shpine, shirita dore të prodhimit amerikan. Nga veprimet e para hetimore, u provua se disa persona të identifikuar nga ata që flisnin vetëm greqishte të pastër, njëri fliste shqipe të çalë me theks minoritar dhe tjetri shqipe të pastër me dialekt të jugut. Nga policia hetimore u ndaluan për shpërdorim detyre, për mosmarrjen e masave për kryerjen e rregullt të shërbimit, e organizimin e punës për ndjekjen e moskapjen e këtij grupi terrorist, nënoficerët e postës kufitare të Peshkëpisë, si më poshtë: Qemal Sulo Stroka, vjeç 30, banues në Peshkëpi, nënoficer në këtë postë, instruktor qeni me kombësi e shtetësi shqiptare; Siat Felek Selfo, vjeç 42, banues në Peshkëpi, nënoficer magazinier; oficer Arian Reiz Guma, vjeç 39, banues në Gjirokastër, komandant i qendrës së stërvitjes; për arsye se ka urdhëruar të kryhet shërbimi pa municion në postë. Ndalimet i bëri inspektori i policisë hetimore Ilirian Delilaj dhe Denarl Alikaj. Materialet prokurorisë”.
Pjesë nga deklarata e Këshillit të Ministrave e datës 12 prill 1994
“Lidhur me incidentin e datës 10 prill 1994, kur një komando e përbërë nga 6–7 persona grekfolës, të veshur me uniformë të ushtrisë greke, sulmoi një qendër stërvitore të rekrutëve shqiptarë.., duke vrarë ushtarin roje Arsen Gjini 20 vjeç, dhe kapitenin e parë Fatmir Shehu 34 vjeç, duke hapur zjarr mbi rekrutët që po flinin e duke plagosur prej tyre Eduart Vermishin, Frederik Kalemin dhe Janaq Xegën, si dhe duke plagosur mjaft të tjerë para se të largohej e ndjekur nga forcat e rendit, dhe që dëshmohet se përfundoi në postën kufitare greke të Argjirohorit, qeveria e RSH-së shpreh indinjatën e saj të thellë për këtë akt madhor armiqësor, i cili është një sulm direkt ndaj sovranitetit dhe integritetit të Republikës sonë.. Politika e akteve terroriste dhe e masakrave është në përputhje me politikën e re greke të mbrojtjes, që siç është deklaruar shtrihet nga Qiproja e deri në të ashtuquajturin “Vorio-Epir”, siç e quan Athina Shqipërinë e Jugut. Le të përmendim këtu edhe deklaratat e herëpashershme me pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, të qeveritarëve dhe politikanëve të lartë grekë, si ato të ish-kryeministrit Micotaqis, i cili më 14 korrik 1993 flet për aneksimin e Vorio-Epirit nga shteti shqiptar në vitin 1913; ajo e zëdhënësit qeveritar Evangjelos Venizellos, i cili në tetor 1993 njehson Shqipërinë me Vorio-Epirin; deklarata e ministrit të Presidencës, Kuvellos, që më 10 gusht 1992 flet publikisht në stadiumin e Athinës për Himarën si “tokë e paçliruar”; apo deklaratën e liderit të opozitës, Miltiadhis Evert, i cili shkon edhe më larg, duke thënë në janar të vitit 1994 se Epiri i Veriut është Greqia e Veriut.. Ballkani dhe Europa e njohin mirë moralin e bandave greke. Shumë herë në gjysmën e parë këtij shekulli, njësi të armatosura greke kanë penetruar në territorin shqiptar duke kryer masakra, djegie, shkatërrime dhe akte të tjera terroriste.. Deklaratat e zyrtarëve grekë se Greqia është faktor paqeje, sigurie dhe stabiliteti nuk mbështeten nga realiteti. Lidhur me masakrën e datës 10 prill 1994, zëdhënësi i qeverisë greke, duke mos shprehur as keqardhjen më të vogël për viktimat, nuk shpreh asnjë angazhim të qeverisë së tij për të zbuluar dhe dënuar autorët e kësaj masakre, të cilët pasi kryen veprën kriminale shkuan në drejtim të postës kufitare greke…”.
Masakra e Peshkëpisë, përtej Tiranës dhe Athinës zyrtare
Është më se e natyrshme që masakrat ndërfqinjësore sikurse ishte edhe “Masakra e Peshkëpisë”, nuk është vetëm problema ndërmjet dy vendeve. Qëndrimiet dhe këndvështrimet janë sa rajonale e ballkanike aq edhe përtejatlantikase. Kështu ka edhe një dokument të zbardhur të CIA-s amerikane, për masakrën e Peshkëpisë, për tensionet që rrezikuan provokimin e nisjes së luftës Shqipëri-Greqi, për përplasjet diplomatike mes krerëve të shtetit shqiptar dhe atij grek. Dhe në raste të tilla nuk kishte më “dy popuj miq”, ndërkohë që në rrethanat e kohës Athina u trembej lidhjeve të Tiranës me Ankaranë. Problemi filloi të mahisej. Fakt është se Masakra e Peshkëpisë e 10 prillit 1994 ka tërhoqi dhe vëmendjen e SHBA për atë kohë. Inteligjenca amerikane (CIA) ka publikuar një dokument sekret, mbi ngjarjet e periudhës dhe tensionet që shkaktoi mes Greqisë e Shqipërisë. Dokumenti është dërguar në SHBA më 30 qershor 1994 nga agjentët e CIA në Shqipëri, të cilët kanë informuar qendrën mbi rrezikun e nisjes së një lufte të re në rajonin e Ballkanit. Dokumenti përshkruan me detaje se mësymja ushtarake e Greqisë në Shqipëri, përplasjet diplomatike mes Berishës dhe Papandreut, si dhe roli i dyshimtë i OMONIA-s. Ngjarja e Peshkëpisë është e njohur në historinë shqiptare, pasi ushtarë grekë, por dhe shqiptarë të greqizuar hynë në territorin tonë dhe sulmuan postën kufitare në Peshkëpi të Gjirokastrës. Ushtarët të veshur me uniforma ushtarake plagosën e vranë me dhjetra ushtarë shqiptarë. Komandoja greke kishte zgjedhur si moment të duhur për të sulmuar kohën kur i gjithë reparti kishte rënë në gjumë. Sulmi filloi me kapjen e rojes dhe brenda dy minutash, godina dykatëshe e stërvitjes në Peshkëpi ishte në duart e komandos greke. Masakra e Peshkëpisë ngriu marrëdhëniet diplomatike mes Greqisë dhe Shqipërisë. Qeveria shqiptare protestoi në Këshillin e OKB-së, ndërsa pala greke u mundua ta kalonte në qetësi. CIA fokusohet më shumë të marrëdhëniet mes dy vendeve sesa te ngjarja, pasi tregon se si marrëdhëniet u tensionuan jashtë mase. Sipas dokumentit amerikan, Greqia ishte bërë gati dhe për ndërhyrje ushtarake në Shqipëri. Nga ana tjetër CIA kritikon dhe rolin e Omonia në vendin tonë, pasi e akuzon për bashkëpunim me grupet ekstremiste greke. CIA në shkresën e 1994 jepte detaje dhe mbi minoritetin grek, të drejtat e tyre, por dhe rolin që ka pasur kisha greke. Shumica e ndërtesave të kishës ortodokse greke i janë kthyer asaj dhe veprojnë lirisht. Kurse tokat e tyre rrethuese janë objekt i ligjit për kthimin e pronave ndaj individëve apo entiteteve. Ish-pronarët marrin kompensim monetar. Ndërsa disa toka në pronësi të Kishës tashmë janë populluar dendur. Ligji i kthimit të pronave aplikohet edhe për disa prona që me siguri do të sjellin përplasje mes qeverisë dhe ish-pronarëve të mëdhenj. Ndërsa zona e ashtëquajtur “Vorio-Epir”, është një burim tensionesh mes Shqipërisë dhe Greqisë. Zona e Shqipërisë e quajtur Vorio-Epiri ka qenë burim tensionesh prej dekadash mes dy vendeve. Ajo ishte pjesë e Perandorisë Otomane nga shekulli 15 deri në 20, kur Shqipëria u njoh si e pavarur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1912. Kufiri verior i Shqipërisë u dizenjua nga konferenca në 1913, duke i dhënë Kosovën dhe Metohinë Serbisë, teksa Greqia pretendoi pjesën jugore. Kufiri jugor mbeti i debatuar derisa u dizenjua në vitin 1925 nga Protokolli i Firences, i hartuar nga fuqitë Perëndimore, i cili nuk u ratifikua nga Parlamenti grek. Pavarësia e Shqipërisë u vu në diskutim gjatë LIB kur u pushtua nga forcat aleate franceze e italiane. Traktati i fshehtë i Londrës më26 prill 1915 i publikuar nga bolshevikët rusë pas revolucionit të 1917, parashikonte ndarjen e Shqipërisë mes Greqisë, Italisë, Serbisë e Malit të Zi. Në konferencën e paqes 1919-1920 në Paris, Greqia pretendoi përsëri Jugun e Shqipërisë, Serbia e Mali i Zi pretenduan veriun, ndërsa Italia Vlorën. Greqia pushtoi përsëri jugun e Shqipërisë më 1940 pasi mundi forcat italiane që kishin ardhur në Greqi prej Shqipërisë. Konferenca e Paqes në Paris në 1946 refuzoi pretendimet greke dhe konfirmoi sovranitetin e Shqipërisë. (Megjithatë përsëri Greqia tentoi të tregonte muskujt dhe dhëmbët ndaj Shqipërisë në gushtin e 1949-tës 75 vite më parë dhe dështoi në mënyrë të turpshme në provokacionet e saj luftarake). Në vitin 1971, Athina vendosi marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, çka nënkuptonte njohjen e kufirit ekzistues. Por herëpashere fqinjësia jugore shqiptare është përgjakur për të mos u harruar sikurse ndodhi edhe në prillin e 1994-ës.
*
Përditshmëria shqiptaro-minoritare e zonave kufitare dhe Euroatlantizmi
Në ralitetin e përditshmërisë shqiptarët e minoritarët e zonave kufitare rrojnë në miqësi të plotë, nuk kanë asnjë ndarje dhe asnjë lloj diskriminimi. Në fshatrat që shtrihen jo larg kufirit me shtetin fqinj të Greqisë problemet mes shqiptarëve e minoritarëve duken imazh krejt i panjohur. Janë fije të tëra jete që lidhin e ndërthurin jetesën shqiptaro-greke në vijën kufitare. Të dy palët i njohin bëmat e të parëve, platformat shekullore, dhe as që u bëhet vonë për to. Gjithçka shkon në një vijë të përbashkët me vështirësitë që nuk janë thjesht për njërën apo për tjetrën palë por që kanë lidhje me hallet normale të përditshme të një komuniteti që bashkëjeton si një familje me me shqiptarët dhe minoritaret nuk kemi asnjë dallim asnjë preokupim e telash. Shqiptarët nuk kanë paragjykime dhe se kanë ditur të ngrenë themelet e një bashkëjetese. Kushdo që ka shuar në këto anë edhe në Peshkëpinë e masakrës së prillit të tridhjetëviteve më parë nëse flet për çështje me “Vorio Epir” e pretendime greke është e kotë t’i pyesësh sepse nuk kanë asnjë vlerë. Shumë minoritarë shprehen thjeshtë dhe me dashamirësi kur thonë se linda në Peshkëpi në këtë fshat me shqiptarë e me ushtarë që kemi kaluar vëllazërisht, të tjerat janë erëra politike. Opinioni përtej politikës e presioneve të saj të vazhdueshme është kudo i njëjte mes shqiptarësh e minoritaresh greke që këtu nuk duan t’ia dinë për etnite fetë e ndryshme e çdo gjë tjetër që mund t’i ndajë. Vetë opinioni shoqëror në fakt në zonat kufitare kërkon bashkëjetesë jo provokime, marrëdhënie normale, fejesa e martesa, vështrim në të ardhme në shkueshmëri normale.
Në minoritetet shqiptare askush nuk e quan “potencial destabiliteti” çështjen e popullsisë etnike, por vetëm një element konstruktiv e bashkëpunimi të ndërsjelltë për dy vendet. E kundërta ka ndodhur vetëm në qarqet politike fqinjë që jo rrallë herë u kanë fryrë erërave nacionaliste edhe në kundërshtim të plotë me frymën europianiste dhe euroatlantike të sigurisë. Në vitin 1994 të Masakrës së Peshkëpisë shqiptarët ëndërronin të ishin si gjithë Europa por tre dekada më parë përgjatë rrugëve të Gjirokastrës u përcollen trupat pajetë të dy ushtarakëve, një oficeri dhe një ushtari. Terroristët dhe ata që fshihen pas tyre tentuan të përgjaknin dhe ndanin dy kombe fqinje, ashtu sikurse bëjnë edhe disa politikanë që flasin për “paragjykime”, “cënim të të drejtave të njeriut”, disa edhe nga poltrona shtetërore duke nxjerrë nga sepetet e mendjendryshkurve nacionalizma fallco të magaliidhesë dhe vorioepiriotëve, tashmë një teori e vdekur, që nuk mund të thyej besimin njerëzor dhe të drejtën historike të popujve. Europianizimi vlen më shumë se për gjithçka tjetër në zhvillimin dhe në sinergjinë e përbashkët dhe duke qenë në një front të përbashkët kundër terrorizmit dhe padrejtësive historike, padrejtësi që jo rrallë herë shqiptarët kanë vuajtur pabesitë e fqinjëve.
Antarësimi në NATO i Shqipërisë dhe synimi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE ka vënë në “hall” fqinjët, por duket se realitetet kanë ndryshuar dhe ecja paralel në rrugë të përbashkëta është kërkesë europiane dhe euroatlantike. Boshti ekonomik i Europës dhe siguria euroatlantike nuk kanë kohë të mërren me “hallet” e politikanëve jobashkëkohorë të ndonjë vendi që nuk e lejon ndryshku të eci me trendin europian. Megjithatë mbi të gjitha zhvillimet fqinjëore, rajonale ballkanike, por dhe europiane përkujtimi i gjakut të dëshmorëve Kapiten I Fatmir Sulo Shehu dhe Arsen Llazi Gjini në këtë 30 vjetor të rënies së tyre janë thirrje për drejtësi, për njohjen e krimeve dhe për barazi e reciprocitet në marrëdhëniet fqinjësore shqiptaro-greke. Masakra e Peshkëpisë në Gjirokastër ishte gjak i kufitarëve shqiptarë, ishte gjak i shtetit në themelet e ngritjes dhe forcimit të shtetit shqiptar.