Albspirit

Media/News/Publishing

Familja Gjoliku, vend nderi në historinë e Shqipërisë

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Kuçi, fshati martir i Luftës së Dytë Botërore, është një vend i vlerave të rralla, me një nam të përhapur në Shqipëri dhe jashtë vendit. Familja Jaho Gjoliku zë një vend nderi të veçantë në historinë e Shqipërisë, ndaj e vlerësoj këtë përkujtimore që bëhet për partizanët, dëshmorët dhe heronjtë e Vlorës të rënë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Vlerësimin e nderuar për rrugën luftarake të bijëve të Jaho e Hava Gjolikut që me një fjalë të babait, lanë studimet dhe u kthyen në Kuç ku lufta partizane kishte marrë përpjestime të mëdha. Të dy djemtë e mëdhenj të komandantit legjendar Jaho Gjoliku ishin studentë në Itali: Mit’hat e Ali Gjoliku. Zërin e Atdheut për të luftuar pushtuesit e ndjen ndër të parët, ndërprenë studimet, u kthyen në vendlindje dhe hodhën armët në krah e u rreshtuan për të luftuar me trimëri, në ballë të bashkëluftëtarëve, në formacionet partizane.

Nderin dhe lavdinë kësaj familje të madhe patriotike shqiptare nuk jua ka dhënë emri apo farefisi. Në Kuç dhe në familjen Gjoliku, në shekuj, dje në luftë dhe sot në demokraci gjendemi mes një kategorie njerëzish ku aspekti cilësor i tyre konfirmohet te burrëria, karakteri luftarak, trimëria, ndershmëria, heroizmi, miqësia, si virtyte kryesor, dhe pjekuria e drejtësia tipari më i dukshëm i tyre, e shfaqur gjatë gjithë historisë. Është kjo një “vlerë nderi”, është një demostrim i vlerave të tyre në çdo periudhë të historisë, por në luftën partizane shkëlqeu dhe bëri që tërë krahina, nën shembullin e saj, të qepej pas partizanëve luftëtarëve të lirisë, si bleta në hoje.

Të gjitha këto cilësi i manifestuan dhe studentët tashmë partizanë 27 vjeçari Mit’hat dhe 23 vjeçari Ali, por dhe të gjithë pjesëtarët e Familjes më prindërit e tyre Jaho e Hava, Shefkiu 20 vjeç, Bibo 17 vjeç dhe Liri 12 vjeçe që dolën në ballë të luftës me idealin e atdhetarizmit, sepse për mision kishin lavdinë e Atdheut.

Kuçiotët në shekuj kanë dhuruar jetën për mbrojtjen e truallit dhe ka diçka mistike në respektin e kësaj zemërgjerësie të treguar prej tyre në breza. Ngaqë e donin Shqipërinë jo vetëm të çliruar nga okupatori, por dhe të lirë shpirtërisht, lufta e tyre na çon larg, tek Zenel Gjoleka, tek traditat e etërve të tyre të parë, tek zakon i lirisë së fisit, të kaçakut dhe të çetave patriotike. Në flakët e sulmeve të përgjakshme, Kuçi, trimërinë e binjakëzoi me këngën për vetë faktin që, kënga, konsiderohet si një lloj testamenti shpirtëror jo vetëm e atij që e këndon, por edhe e popullit.

Dhe në cep të majës së lartë të Mavrovës, në kohën e pushtimit nazist, u zhvillua një betejë prej 18 orë me armë e mjete rrethanore. Përfundoi me 23 partizan të vrarë dhe mbi 50 nazistë të vrarë… ishte Lufta e Dytë e përbotshme, ishte Pranvera e 1944, kur muaji marsi po dilte. Pas kësaj mynxyre, pas kësaj beteje, lindi kënga: “Seç erdhi pranvera/ ra një zi për ne/ lule more trima që ratë për atdhe/ Mitati me Mustafan dhe Veizi tre… Partizanëve dhe dëshmorëve ju ngritën këngë, kënga është e pavdekshme sepse ecën bashkë me njeriun në shekuj.

Zjarri i luftës ishte më i madh, më i egër, më i rreptë, por ishin me partizanët e tjerë të dy vëllezërit. Ra në Mavrovë Mit’hat Gjoliku, i madhi i fëmijëve të xha Jaho, zëvendëskomisar batalioni, që me automatikun e tij u printe shokëve në sulmin kundër bishës naziste. Ndërkohë në kodrat e Delvinës, ra dhe Aliu, djali i dytë i shtëpisë, komisari i kompanisë, ku u flijua në krye të partizanëve, të formacionit luftarak kundër nazistëve. Të dy djemtë e idealit, luftëtarit të lirisë, bijtë e heroit Jaho Gjoliku e të nënës trimëreshë Havasë ranë në beteja për t’u kujtuar përjetë si të pavdekshmit së bashku me të gjithë 110 bijtë e bijat dëshmorë të Kuçit, por dhe të 28 mijë partizanëve që dhanë jetën për Çlirimin e Atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Sot nga lartësia e 80 viteve të rënë emrat e tyre janë gdhendur dhe skalitur në gjoksin e nënë Shqipëri. Gjaku i tyre nuk zhbëhet, ata vezullojnë, pavarësisht se kohët që po jetojmë dhe njerëzit e rrymave të ndryshme duan t’i harrojnë, përsëri gjenden zemra shqiptare që i përkujtojnë dhe nderojnë me madhështi si ky përkujtim në klubin e Labërisë në Vlorë.

Ende Vlora ka shumë për të bërë për këtë familje legjendë, që brezave do t’u ngelet amanet për sakrificat dhe gjakun e derdhur në luftë për liri. Familja Gjolikaj në Kuç dhe familja Murraj në Smokthinë me katër dëshmorë dhe një viktimë dhanë shumë për luftën, por ende nuk e kanë zënë vendin e duhur në pjedestalin e lirisë. Ato duhet të ishin simbole të dukshme të një atdhetarie të flaktë në monumente, në libra, në vepra arti, në këngë e në tërë diapazonin e një përjetësimi të madhërishëm.

Please follow and like us: