Orban merr medalje nga udhëheqësi pro rus i serbëve të Bosnjës
Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, mori të premten një medalje nga udhëheqësi pro rus i serbëve të Bosnjës, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania për shkak të politikave të tij ndarëse.
Kryeministri Orban vizitoi Banja Llukën, selinë administrative të Republikës Serbe, si pjesë e një vizite në Bosnje gjatë së cilës të enjten qëndroi në Sarajevë.
Serbët e Bosnjës kontrollojnë gjysmën e Bosnjës, ndërsa myslimanët dhe kroatët etnikë drejtojnë gjysmën tjetër. Presidenti i Republikës Serbe Milorad Dodik, një mbështetës i presidentit rus Vladimir Putin, kërkon ndarjen e entitetit të tij nga pjesa tjetër e Bosnjës.
Perëndimi është i shqetësuar se Rusia mund të përpiqet të nxisë destabilitet në Bosnje për të shmangur një pjesë të vëmendjes nga lufta në Ukrainë. Bosnja mbetet etnikisht e tensionuar dhe politikisht e brishtë pas luftës së viteve 1992-1995.
Kryeministri Orban, i cili shpesh është përplasur me BE-në për shkak të politikave të tij të vijës së ashpër, tha se serbët janë “thelbësorë” në Evropë dhe BE-ja nuk ka arritur ta njohë këtë fakt. Kryeministri Orban është gjithashtu një aleat i udhëheqësit populist të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Kryeministri hungarez shfrytëzoi rastin për të kritikuar politikat e BE-së ndaj Ukrainës dhe tha se BE-ja do të ishte më mirë t’i jepte Bosnjës 30 miliardë euro nga 50 miliardë që miratuan së fundmi për Ukrainën.
Milorad Dodiku i ndau kryeministri Orban medaljen në muajin janar, gjatë festës së shtetësisë së serbëve të Bosnjës, e cila është shpallur jokushtetuese nga gjykata e lartë në Sarajevë, por zoti Orban nuk ishte i pranishëm për ta marrë atë në atë kohë.
Udhëheqësi serb Dodik ka hedhur poshtë kritikat për festimet e 9 janarit, të cilat shënojnë shpalljen e pavarësisë nga serbët e Bosnjës në vitin 1992, duke cuar vendin në luftë.
Dy entitetet aktuale të Bosnjës u formuan me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, që i dha fund luftës së viteve 1990, e cila la pas vetes më shumë se 100,000 të vrarë dhe miliona të zhvendosur. Që atëherë, serbët e Bosnjës kanë këmbëngulur për të fituar sa më shumë autonomi të jetë e mundur.