Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Avdush Canaj

 

 

QËNDISTORJA E BUKURIVE

 

Gjithë dimrin me borë

nëna qëndis fustane

me penjtë ylberorë.

Fustane qëndis nëna.

 

Në ditën e parë të pranverës

ia heq shulin derës

ua falë fluturave

gocave të simpative.

 

Prillit, atij bandillit

që buzëqesh,

këmishën ia vesh

me ëndrra të kumrive

 

Nëna ime, e mira

qëndistorja e bukurive.

 

 

DIÇKA E BUKUR

 

Është diçka e bukur

kur të blerohet zëri,

edhe atletet

kur të vijnë të vogla,

edhe flokët

kur të vesohen me parfum.

 

Me telefon të thërrasin bilbilët,

vargje të shkruajnë me zemra.

 

Diçka e bukur është kjo!

Ti vetë e di më mirë.

 

ZEMËR E MADHE

 

Kur dua

bëhem lule

për fluturën e klasës

Bëhem qiell

për një zog kitare.

 

Kur dua

bëhem diell me këmishë

të rritet lumturia

Për gjitha dashuritë

bëhem zemër e madhe.

 

Pas detyrave

kur ma do shpirti

hapi krahët e fluturoj

Lëshoj karamele me parashutë

nga ëmbëltorja e reve.

 

Qeshi hënëza

E di mirë, e di

edhe unë bëhem pakëz lazdrane

kur e kalëroj qiellit

kalin e përrallës

me jelet si flokët e erës.

 

FËMIJËT E LUFTËS

 

Fëmijët e luftës

nuk kanë frikë

nga tanket

as nga raketat

që ua kallin shtëpitë

mes shkrumbit

e hirit

pikturojnë

diellin e lirisë.

 

YLBERI MA ZGJATI DORËN

 

Ylberi ma zgjat dorën

të shëtisim bashkë

kah liqeni

i zambakëve

të shoh dallëndyshet

si ia lidhin njëra-tjetrës

gërshetat

me rreze dielli.

 

AVIONËT E NATO-s

 

Avionët e NATO-s

hidhnin zjarr mbi shpellat e ujqërve

robëria ikte me kukamë

gjaku ynë ia hapte portat lirisë.

 

HAPE PORTËN

 

Kam një kopsht me poezi,

Zambakë të çelur plot magji.

 

Kush nga JU u merr erë

Bëhet ZOG në këtë verë.

 

Fluturon qiellit të poezisë,

Prek DIELLIN e lumturisë!

 

Lumturia është si drita,

Një përçik të shtohet RRITA

 

Si në kor n`mes kumrive.

Hape portën e mrekullive!

 

Portën hape!

 

NGA DEGËT RANË CICËRIMAT

 

Nga degët

ranë cicërimat

e harabelave

dhe çelën lulet

ylberi

t’ua puth qerpikët

si vajzave

kur kthehen nga shëtia

me nga një yll përdore

ta dinë rrugën

ku rritën

ëndrrat e bardha.

 

KËMISHA ME SHQIPONJË

 

Këmishën me shqiponjë

Ma dogjën atë ditë

Korbat që përgjaknin mëmëdhenë.

 

Harruan të mjerët

Harruan ditëzitë

Shqiponjën e kisha në zemër

aty e ka folenë.

 

SHQIP FLET EDHE ZOTI

 

Edhe nëse t’i lidhin prangat

e të bien me çomangë e rrip,

fol shqip!

Edhe nëse të lënë pa bukë e ujë

e nën sjetull të vejnë krip`,

fol shqip!

Edhe nëse ta mbyllin gojën me dry

e duan të të vrasin ty te një pip,

fol shqip! Shqip!

Atje larg ku je, ku s’vjen asnjë grip,

pëllumbave që do vijnë

vërja emrat shqip!

Dihet qëmoti,

shqip flet edhe Zoti!

Gjilan, gusht 2018.

 

DREJT MEJE

 

Kur nisesh drejt meje

o zog i vogël

hareje

 

Për një përqafim

krahët

me lulëzim

 

Diellit i shtohen rrezet

fluturat

gëzojnë tezet

 

Gonxhet e buzëqeshjeve

çelin

në shpirtin tim.

 

ME 101 PULLA

 

Pak është pulëbardhë

Pak është det

Edhe peshk me 101 pulla

Në dorë

Ma hodhi një fik

Me ëmbëlsinë e faqeve.

Please follow and like us: