Albspirit

Media/News/Publishing

Embro Zholi dhe triptiku “Dallandyshet s’vijnë më”

Çerçiz Loloçi

Me Embro Zholin njihem herët, që nga fëmijëria e përbashkët dhe po herët kam vënë re prirjen e tij të përhershme për të lexuar, por edhe për të shkruar. Pak më vonë jeta jonë mori rrjedha të ndryshme; ai vijoi studimet Ushtarake, ndërsa unë në fakultetin Hisotori-Filologji në Universitetin e Tiranës.

Takimet midis nesh janë shume shoqërore e te pandara deri në ditët e sotme. Zholi ka punuar në organet e Policisë se Shtetit, ku ka mbajtur poste të ndryshme në disa komisariate e drejtori policie në shkallë vendi.

Në vitet universitare ishim disa studentë që botonim herë pas here, skica, reportazhe, tregime e poezi në organet qendrore si “Drita” dhe “Nëntori”, por që punonim vullnetarisht te “Studenti”, “Zëri i Rinisë”, revista “Shkenca dhe jeta” apo aktivizoheshim me recensa kulturore te botimet “Naim Frashëri”. Embro ishte bërë pjesë e grupit tonë dhe kohë më vonë nisi të botonte poezi dhe artikuj të ndryshëm në shypin e përditshëm.

Tani del para lexuesve me librin e tij të parë, shpresojmë të mos jetë i fundit, që e ka konceptuar në formë triptiku: poezi, tregime dhe analiza, ku një pjesë e madhe e tij është publikuar në “Koha Jonë”, “Albania”, “Shekulli” dhe në gazeta të tjera.

Tematika e poezive përmblidhet te vendlindja, dashuria, njerëzit e dashur, të tjerë personazhe që ka njohur në jetë, disa syresh me rimë dhe të tjerat me varg të lirë, por të gjitha mbahen mend.

Në pjesën e dytë të librit janë vetëm dy tregime për dashurinë, të shkruara thjesht, por që bartin e përcjellin emocione të mëdha.

Pjesën kryesore të librit e zënë analizat që fokusohen më shumë te Ministria e Rendit e te Policia e Shtetit, një fushë që e njeh mirë dhe që më pak se me emrat apo titullarët e ndryshëm, trajton prolematika dhe dukuri që nuk shkojnë mirë në këto dy institucione të rëndësishme, të cilat janë aktuale edhe në kohët e sotme.

Edhe artikujt politikë zënë vend në këtë libër për qëndrime dhe veprime të politikanëve të ndryshëm. Kosova gjithashtu merr vëmendje në faqet e keëtij libri, ashtu si edhe teprimet dhe problemet që kanë sjellë për shqiptarët dy vende fqinje, Serbia dhe Greqia.

Katër artikuj kulturorë për Migjenin, për një poete premtuese, për shkrimtarin Teodor Keko dhe për muzikën shqiptare vijnë si prolog i këtij libri duke bartur mesazhe të rëndësishme.

Please follow and like us: