Albspirit

Media/News/Publishing

Harry Bajraktari: Kujtimi i një vizite të paharrueshme në Kosovën e pasluftës dhe 99-vjetori i prof. Repishtit

Në 99-vjetorin e Prof. Sami Repishtit, gjej rastin që ta përsëris se sa me fat kemi qenë si komunitet shqiptaro-amerikan që e kemi pasur dhe e kemi në mesin tonë.

Që nga koha kur mbërriti në SHBA në vitet 1960, ka qenë pjesë e çdo veprimtarie të rëndësishme kombëtare të shqiptarëve këtu në Amerikë.

Duke filluar që nga dëshmia e parë në Kongresin Amerikan në vitin 1965 e deri në ditët tona.

Kur fillova të angazhohem në lobimin dhe aktivitetin shqiptar në Washington DC dhe në Neë Yok, Prof. Sami Repishti ishte një nga ata liderë që më frymëzuan e në gjurmët e të cilëve doja të ecja. U afrova me të në Ligën Qytetare Shqiptaro Amerikane e pastaj akoma më shumë kur themeluam Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Por kurrë nuk kam qenë më afër me Prof. Sami Repishtin sa në prillin e vitit 2000, kur që të dy u nisëm për një udhëtim në Kosovën e çliruar.

Ishte një vizitë e paharrueshme. Kujtimet dhe mbresat e saj i përmblodhëm në një libër të vogël, “Kosovë, Prill 2000”, bazuar kryesisht në shënimet e Prof. Sami Repishti. Këtë libër e ruaj të shtrenjtë në bibliotekën time dhe e shfletova këto ditë përpara se të shkruaja urimin për prof. Repishtin.

Bashkë me Dr. David Phillips u nisëm të tre me avion nga New Yorku, për në Vienë e që aty në Shkup, se për në Prishtinë nuk na u hap sinjali. Nga Shkupi hymë me makina në Kosovë, të shoqëruar nga miku ynë dr. Alush Gashi.

Kosova ishte ende e shkatërruar, me njerëz që ende kërkonin njëri-tjetrin, me varre të freskëta, ende duke vuajtur pasojat e masakrave dhe mizorisë serbe.

Tre mijë shqiptarë ishin ende të burgosur politikë në Serbi. Një prej tyre kryeministri i sotëm, Albin Kurti. Por ishte një Kosovë e re, që po punonte tokat, po rindërtonte shtëpitë, kishte rihapur shkollat, dhe po ndërtonte institucionet e reja. Njerëzit po regjistroheshin për zgjedhjet e tetorit. Optimizmi ishte i jashtëzakonshëm.

Bashkë me prof. Sami Repishtin na u mbushën sytë disa herë me lot. Si për shembull kur takuam 12-vjeçarin Hashim Beqën në Reçak, i cili na kapi përdore e na tregoi varret e babait dhe dy vëllezërve 17 dhe 15 vjeç të vrarë nga serbët në Masakrën e Reçakut.

Në Lugun e Baranit u përlotëm nga gëzimi i fëmijëve kur bashkë me akademik Mark Krasniqin dhe Terry Heselius drejtor i “Mercy Corps” për Kosovë u dorëzuam kompjutera e libra, laboratorë e televizorë për shkollat e qarkut, që i kishim sjellë nga Amerika në bashkëpunim me David Phillips.

Qindra mësues e nxënës, e banorë të Lugut të Baranit kishin ardhur për të na parë. Ishte një pritje madhështore. Ata dëgjuan më vëmendje fjalën e Prof. Sami Repishtit.

Pastaj, në Vranoc, familja Bajraktari shtroi një drekë për të nderuar miqtë nga Amerika, në të cilën morën pjesë më shumë se një qind vetë.

Në Prishtinë, Presidenti Ibrahim Rugova na priti me ngrohtësi e biseduam për të ardhmen e re të Kosovës. Na priti në zyrë e pastaj para kthimit për darkë në shtëpinë e tij.

Vizituam Mitrovicën e ndarë, deri te Ura e Ibrit. Shqiptarët ende nuk ktheheshin dot në shtëpitë e tyre në veri të qytetit. Vizituam Suharekën, Prizrenin e plotë fshatra e qytete.

Ishte hera e parë dhe e fundit që prof. Sami Repishti e vizitoi Kosovën dhe sa herë që kemi biseduar më vonë, e çonte fjalën  te ajo vizitë. “E kam pa Tokën e Kosovës. E kam prekë me dorë. E kam marrë si kujtim një copë dhé, e tashti është në xhepin tim, e ruejtun si një relike fetare”, shkroi ai plot emocion në fund të vizitës.

Në vitin 2018, pata nderin të prezantoj prof. Sami Repishtin në ceremoninë e nderimit që i bëri Federata ‘Vatra’ dhe fola për jetën dhe veprën e tij.

Sot, kur ai mbush 99 vjeç nuk kam shumë çfarë t’i uroj se ai ka arritur gjithshka në jetë. Në vend të urimit, e falenderoj për kontributin e madh që ka dhënë për kombin shqiptar, për Kosovën, për komunitetin tonë në SHBA, për të drejtat e njeriut kudo. Por po i uroj edhe shëndet e jetë të gjatë. Po i uroj që ta festojmë së bashku 100-vjetorin e lindjes.

Zoti e bekoftë Sami Repishtin dhe familjen e tij!

https://telegraf.al/opinion/harry-bajraktari-kujtimi-i-nje-vizite-te-paharrueshme-ne-kosoven-e-pasluftes-dhe-99-vjetori-i-prof-sami-repishtit/

Please follow and like us: