Mimoza Bici: Ç’po ndodh me mua?
Heeeeeeej
A dini ç’po ndodh me mua?
Vrava një planet e askush nuk më dënoi.
As mediat nuk përfolën.
As rrjetet sociale nuk gumëzhijnë.
Sapo thashë
se do ndryshoj kohën
m’u turrën me vrap.
Evolucioni është moda e fundit
për të rinjtë imagjinare.
Ne të gjysëm shekullit dytë
boll dërdëllitëm.
Asgjë nuk qullosëm
seksi ynë ish demode
fshehur gëmushave
dhoma pa dritë
ku me një burrë
nëse ia del jetës
ke kapur
kurorën e moralit të lartë
dhe pse brenda vetes
je gërryer
dashurisë -mall të tjetrit.
Shëëët, pusho!
se kjo gjë plas si minë me sahat
në korrin facebook,
instagram a tik-tok
Ti do ndryshosh kohën?
E pse?
A ka ndryshuar historia
nga Washington tek Trump
Nga Hitler-Merkel
Nga Stalini në Putin
Apo Sulejman Sulltan në Erdoğan
Ashtu fitimtar
mes kostumit të së mirës dhe së keqes
pushtetit domunues
“Rroftë Liria”.
Po kapërdij veten
nuk mbaroka ushqimi im
Me gojë të shqyer
trupa skarlatin
hijet me shpata
ruajnë “njeriun perëndi”
përtej portës së akullt.
Ndërsa unë
akoma gërryhem tokës
pa arritur fundin.
Nuk di
nëse syri im është i imi
përveç trupit
Gjithshka e imja
nuk është e imja… Je Ti
Eci udhës ku shtyn Ti
Vdes për veten
Lind për ty
Heeeeeeej
Nuk di ç’ndodh me mua
Di sa herë mbytem
Lind ndryshe dashuri.
3 prill 2024.