SEFER META DHE DERVISH META, DY VËLLEZËR DËSHMORË TË ATDHEUT
SEFER META
(Në kuadër të 80 vjetorit të rënies së dy vëllezërve dëshmorë Sefer Ramo Meta dhe Dervish Ramo Meta, djemtë e fshatit Golem që ranë në përballje me nazifashistët, Sefer Meta në Senicë të Delvinës dhe Dervish Meta në Mursi të Vurgut pranë Konispolit)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Dy vëllezër dëshmorë nga një derë e oxhakut të Ramo Meta
Komtributi i fshatit Golem të Gjirokastrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare është i konsiderueshëm. Bijtë dhe bijat e këtij fshati ja lartësuan edhe më shumë famën këtij fshati me emër. Lufta Nacionalçlirimtare e shqiptarëve parë në thellësinë e veprimeve të saj, ishte luftë e shquar në këndvështrimin e gjithë luftrave të shqiptarëve, ishte një luftë pakompromos kundër pushtuesve. Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, i qëndroi besnik luftës patriotike nga fillimi e deri në çlirim. Fronti antifashist në Shqipëri dokumenton krijimin e 288 çeta, 96 batalione, 24 brigada, 8 divizione, 3 korparmata, një forcë njerëzore rreth 70 mijë luftëtarë. Gjaku i bijëve më të mirë të popullit i solli lirinë përfundimisht Shqipërisë së robëruar dhe rimëkëmbi pavarësinë e Atdheut.
Nisur nga forca njerëzore që mori pjesë në luftë janë të dokumentuar më shumë se 120 bij e bija golëmas, pa përfshirë këtu pjesën e fshatit që u bë mbështetëse e luftës antifashiste të shqiptarëve. Partizanët e Golëmit u inkuadruan në tetë Brigada partizane dhe më konkretisht në BrI,II,V,VI,VII,VIII,XII,XVI Sulmuese, që dhanë kontribut sinjifikativ për çlirimin e Atdheut, deri matanë kufirit administrative të “Shqipërisë londineze”. Në formacione të ndryshme partizane kanë komanduar figura të shquara të luftës, partizanë të Golemit sikurse kanë qenë: Esat Golemi – zëvendës komisar i Brigates VI Sulmuese, Skënder Aliu komandant batalioni në Brigadën e VIII S, Xhemal Orhani komisar batalioni e brigade XII Sulmuese, Rexho Kaso komandant batalioni i grupit partizan, Shkodër, Demo Fejzo zv/komandant i çetës “Avni Rustemi”, Ahmet Aliko komandant kompanie në Br II S, Avdul Gjoleka komandant kompanie në Br VIII S, Ahmet Idrizi komandant i grupit të parë të Kurveleshit, Çune Mëhilli komandant kompanie në Br VI S, Çelo Nano komandant kompanie në Br XII S, Sinan Nano komandant kompanie Br XII S, Shahin Dinaj komandant kompanie në Br I S, Taro Mevlani komandant kompanie Br XVI S, Mirte Hysi zv/komandant kompanie Br XII S, Beshir Nikolli intendent kompanie Br VI S, Syrja Rroshi komandant toge në kompaninë e dytë B I S, Sulo Korkuti komandant toge Br XII S, Çerçiz Demo skuadërkomandant në çetën “Demo Fejzo”, Feim Lazo skuadërkomandant në batalionin “Asim Zeneli”. Objekti i këtij shkrimi janë dy dëshmorë nga një oxhak nga fisi Meta, pë rata që jetën e bënë “kurban” për Atdheun, që u trupëzuan me fitoren e shqiptarëve, edhe pse vetë nuk e shijuan lirinë.
Viti 2024 është viti i 80 vjetorit të çlirimit të atdheut. Shqipëria me LANÇ-in, hyri në histori, si fitimtare e luftës dhe pas tetë dekadash, kanë ndryshuar shumë gjëra së pari ndryshime rrënjësore të faktorëve historikë në rrafshin kombëtar. Shqiptarët sipas rrethanave historike para tetë dekadash kishin detyrën patriotike për të rrëmbyer armët kundër pushtuesive të huaj. Fondi i dokumentacionit historik është disa herë më i pasur se në vitet e luftës, që vijnë edhe nga institucione arkivore aleate dhe kundërshtare të saj. Edhe pse ka gati tre dekada që debatet e hapta dhe të ndezura ndërmjet rrymave të djathta dhe të majta mbi vlerat e LANÇ-it vazhdojnë shkenca historiografike, epokën e luftës partizane e ka pikë reference historike që ballafaqon epokat. LANÇ-i kur zhvishet nga tezat e ngjyrimet politike, ngelet pastërtisht një luftë e merituar e shqiptarëve fitimtarë të radhitur në krahun ruso-anglo-amerikan kundër bllokut të agresorëve fashistë gjermano-italo-japonezë. Gjaku i të rënëve nuk matet as me numra, “as me okë e as me kokë”. Gjaku është shpagimi më solemn i lirisë së atdheut, themeli i së vërtetës, ideali i trupëzuar në panteonin e jetës prandaj burrat që i dolën zot vatanit meritojnë vetëm nderim. Bijtë e kombit shqiptar, të mëdhenj e të vegjël u trupëzuan me gjak me tokën arbërore në mbrojtje të vatrave të tyre.
Tetëdhjetë vite pas përfundimit të luftës antifashiste kemi një nismë sinjifikative. Në kthesat e rrugës së re, (përbri rrugës ku është “sheshpushimi” dhe “sheshpamja e bukur si ballkon i fushës së Rrëzomës) pranë Senicës kanë rënë pesë trima dhe në këtë vend do të përjetësohen në një memorial lavdie në drejtim të portës së parë të Labërisë, në drejtimin Fushëvërri-Senicë-Qafa e Luvadhit–Skërficë në afërsi të Zagonikut rrëzë kodrës së Kikesë. Pesë dëshmorët do të jenë roje të lirisë, të tokës arbërore, buzë rrugës së re Kardhiq – Delvinë. Ata do të trupëzohen njësh me tokën e gurtë, të sertë dhe të stërralltë, shpirtërisht të lidhur besa-besë si një gjerdan në kalanë natyrore, përjetësisht në memorien e brezave. Ata do të jenë përjetësisht bashkë të çimentuar në truallin e tyre të gjithë bashkë në unitet krahinor si fshatrat të lidhur gjerdan supebashkuar, në një monument përjetësie të trimave: Sefer Meta (1916 – 1944), Hasan Çerepi (1927 – 1944), Karafil Bello (1902 – 1944), Sami Golemi (1907 – 1944), Skënder Pepiaj (1925 – 1944). Aktet e mëdha njerëzore i japin kuptim historisë. Historia e shqiptarëve është histori mbijetese, përpjekje titanike për të ruajtuar dhe zhvilluar identitetin kombëtar, e sakrificave të mëdha për liri dhe mëvetësi, është historia e vërtetë e këtij kombi, është historia e dëshmorëve të tij. Më mirë, më drejtë, më bindshëm se gjithçka flet gjaku i dëshmorëve të kombit shqiptar, flet historia e lavdisë në trojet arbërore.
Biri i fshatit Golemi dhe Labërinë e donte të lirë Shqipërinë
(Dëshmorit të Atdheut Sefer Meta (22 mars 1916 – 14 mars 1944), me rastin e 80 vjetorit të rënies në Senicë të Delvinës)
Sefer Ramo Meta ishte i lidhur “kokë e këmbë” me luften e madhe të shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë. E gjithë familja e tij ishte pjesë e luftës. Frymëzues për të rrëmbyer pushkën e për të dalë malit ishte i vëllai i tij Dervish Ramo Meta edhe ky dëshmor i atdheut. Sefer Meta ishte lindur në një familje patriotike e atdhetare me tradita më 22 mars 1916 në Golem të Kurveleshit. Prindërit e tij, babai Ramo dhe nënë Pashua ishin njerëz të thjeshtë, familje punëtore që gëzonte respektin e gjithë fshatit si njerëz që zemra u buronte mirësi e dashuri. Babai i tij Ramo Meta kishte qenë luftëtar i çetave antiandarte greke në vitet 1913-1914; ndërsa i vëllai i tij i madh kishte luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve italianë në Vlorën e flamurit më 1920. Sefer Meta kishte kryer arsimimin fillor në Golem dhe më vonë kishte qenë blektor që në moshë të vogël. Më vonë kishte shërbyer përsëri blektor me agallarët e qytetit të Delvinës, edhe pse gjithë jetën e tij e kaloi në një varfëri të madhe si gjithë vatrat labe në këtë periudhë.
Me vullnetin e tij krahas bazave që kish mësuar të shkruante e të lexonte që në shkollë provoi që të lexonte me pasion dhe me vullnet gjuhën shqipe. Në Delvinë krahas punëve të rënda që bënte edhe keqtrajtohej nga agai, që e përdorte si pronën e vet në punët më të rënda edhe pse ishte një fëmijë. Shtypja nuk mundi ta duronte më Sefer Meta, i burrëruar para kohe dhe kështu që me sugjerimin e të vëllait Dervishit lë kërrabën tek shtrunga e agait të Delvinës dhe rrëmbeu pushkën dhe rreshtua me forcat partizane për lirinë e atdheut. Ai u inkuadrua në radhët e Grupit të Parë të Kurveleshit që përfshihej në Zonën e Parë Operative dhe më vonë inkuadrohet në radhët e BrVIS “Heroinë e Popullit”. Më vonë transferohet në BrXIIS me detyrën e mitralierit. Në dimrin e vitit 1943-1944, brigada merr urdhër që të çlironte Rrëzomën e Delvinën. Djalëria e tij u kthye në burrëri dhe djaloshi ishte bërë tashmë shpatullgjerë dhe mund t’i besoheshin aksione të rëndësishme. Në të gjitha luftimet e brigadës nuk e lëshoi mitralozin nga dora. Në mesmarsin e vitit 1944 një pjesë e brigadës ndodhej e rrethuar nga forcat gjermane e bashkëpuntorët e tyre. Seferi kishte marrë për detyrë të bënte mbulimin me zjarr të tërheqjes së shokëve, por papritur një plumb e plagos për vdekje. Në ndihmë të tij shkuan partizanë të tjerë, ndërmjet të tjerëve dhe bashkëfshatari i tij Rezo Goxhaj, i cili u mundua që ta tërhiqte të plagosur, por ai mbylli sytë përfundimisht në duart e shokëve partizanë. Gjaku i djaloshit nga Golemi i Labërisë vijon të vaditë pemën e lirisë së kombit tonë, prandaj edhe ka hyrë natyrshëm në memorien dhe lavdinë e Golemit, krahinës, Labërisë, kombit shqiptar.
Aktualisht eshtrat e tij prehen në varrezat e Dëshmorëve të Gjirokastrës. Sefer Ramo Meta është shpallur “dëshmor i Atdheut” me Vendim Nr. 65 datë 2.10.1971 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër. Ai nuk mundi ta shikonte agimin e lirisë, as vëllai i tij që ra për atdhe dëshmor, por ideali i tyre u trashëgua në breza si ndjenjë e fuqisë dhe mbijetesës popullore, që historia e pushtimeve, poshtërimeve dhe rreziku i fashistizimit të mos përsëritet.
Golemi, fshati që kontribuoi fuqishëm për lirinë e Shqipërisë
Vëllai i tij më i madh Dervish Ramo Meta (1912-1945) kishte dalë në një dotë partizan me Seferin. Lajmin e vrasjes së të vëllait, Seferit atje në luftimet për Senicën. Pikëllimi ishte jo vetëm familjar, por edhe fshatce dhe më gjerë. Dervishi u bë pjesë e formacioneve luftarake partizane. Kështu që Dervishi u rreshtua në grupin e parë partizan të Kurveleshit. Më pas u bë pjesë e partizanëve të Br XII Sulmuese, ku mori pjesë në të gjitha luftimet e betejat që bëri kjo brigatë, për çlirimin e vendit. Ende nuk qe shuar akoma gëzimi i çlirimit të Atdheut, disa ditë më mbrapa, u vra në Mursi të Konispolit, në zonën e Vurgut, duke i shuar ëndrat për të ardhmen dhe duke ngelur përjetësisht në altarin e kombit. Eshtrat e dy vëllezërve dëshmorë prehen në varrezat e dëshmorëve të Gjirokastrës. Të dy vëllezërit e fisit Meta ngelën në këngë përjetësisht: “Dy djem të Mete bandillë,/Nuk e gëzuan lirinë,/…”, këngë që nuk do të shuhet kurrë. Refreni i shekullit i përcillët shekujve këngët: “Qenë shumë që gjakun dhanë,/Nëpër plumba plagë të rënda,/Djemtë e Golëmit luanë,/Ata binin, ngrihej kënga,/Golëm shpatulla prej shkëmbi,/Dha ata në këmbi i ke,/Bijtë e tu lezet kuvendi,/Dritë të dhanë e dritë u dhe!” (shkëputur nga një vargëzim kënge të Vladimir Korkutit). Dervish Ramo Meta (1912-1945) është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr. 95 datë 30.5.1087 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër.
Nderimi dhe respektimi i gjakut të të rënëve është në radhë të parë nderim dhe respektim të vlerave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si një histori faqendritur që ka ndriçuar e do të ndriçojë në të gjitha kohërat mbi Shqipërinë dhe mbi shqiptarët. Tashmë është katërcipërisht e vërtetuar se lufta e dy dëshmorëve Meta si dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut është Lufta antifashiste nacionalçlirimtare, e cila me të drejtë quhet epopeja më e lavdishme e popullit shqiptar për lirinë e çlirimin kombëtar, për ta ruajtuar unitetin e hapësirës shqiptare ashtu sikurse e kishte përcaktuar Konferenca e Londrës një shekull e një dekadë më parë. Kush ka shkuar në Golemi përbri njeri tjetrit janë dy lapidarë/memorialë, njeri për Dëshmorët e luftës për liri dhe tjetri i ngritur nga Zagoll Mustafai, që është kushtuar pajtimit, bashkimit dhe shpresës e besimit në të ardhmen. Fakt është se për këtë ka dhe një dokumentar me skenar dhe rregji të talentuarit Vladimir Bizhga. Ndërkohë që lapidari i 22 dëshmorëve është stoik atje në lartësinë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, që është një kujtesë brezash për gjakun e dergjur para 80 viteve më parë nga bijtë e Golemit, që gjakun e derdhën për liri. Fakt është se në fshatin Golem janë disa familje me shumë dëshmorë: familja Fejzo Xhafo Demaj me pesë dëshmorë, që kanë hyrë në këngë, “në Golëm në Labëri, pesë dëshmorë nga një shtëpi”, familja Ramo Meta me të dy djemtë dëshmorë, familja e Hasan Koçiut me dy dëshmorë.
Dëshmorët e fshatit Golemi janë pjesë e krenarisë labe dhe krenarisë kombëtare: Demo Fejzo Demo (1915-30.8.1943) rënë në Libohovë; Jaçe Hasan Koçiu (1922 – 15.9.1943) në Mashkullorë; Sulo Hyso Hysi (1928-2.10.1943) rënë Gjeshnikosh; Rakip Xhelo Bedo (1898-2.10.1943) rënë Gjeshnikosh; Fejzo Xhafo Demo (1882- 7.10.1943) rënë në Golem; Vito Bajram Demo (1888- 8.2.1944) rënë në Qesorat; Sefer Ramo Meta (22.3.1916 – 14.3.1944) rënë në Senicë; Dervish Ramo Meta (1912 – 8.1.1945) rënë në Mursi të Konispolit, zona e Vurgut; Kamber Sadik Dina (1921 – 3.3.1944) rënë në Martanesh; Sabri Selman Shameti (1905-20.3.1944) rënë në Çepunë pranë Urës së Kardhiqit; Feim Sadik Lazo (1920 – 7.10.1943) rënë pranë Urës së Kardhiqit; Mejdi Nazif Taka (1924 – 30.5.1944) në Tiranë; Sadush Bajram Çunaj (1926 – 17.1.1944) rënë në Gramsh; Dula Skëndo Bello (1922 – 23.2.1945) rënë përtej kufijve administrativë shqiptarë në ish-Jugosllavi; Elham Kaso Kasaj (1927 – 5.2.1945) rënë në Drinsko ish-Jugosllavi; Ibrahim Hasan Koçiu (1918 – 4.2.1945) rënë në Vishegrad të ish-Jugosllavisë; Bajram Abaz Taka (1922 – 24.2.1945) rënë në Suhagorë në ish-Jugosllavi; Dari Shameti rrëmbyer si pjesëtar i njësitëve guerile në Durrës dhe ekzekutuar më 1945 në Mathauzen Austri; Xhevrie Hadër Banushi, pjesë e BrIS dhe rënë nga plagët e luftës më 1945; Sami Sejdi Golemi (1907 – 14.3.1944) me origjinë nga Sinanaliajt e Golemit (larguar nga Golemi me 1680), por lindur e rritur në Fushëbardhë dhe rënë në Senicë të Delvinës; Sulo Shaqir Korkuti (1922 – 2.8.1949) rënë në Çelegur të Ersekës në mbrojtje të kufijve shqiptarë gjatë provokacioneve të gushtit 1949 në përballje me monarkofashistët grekë. Respekti dhe mirënjohja për bijtë që derdhën gjakun për Atdhenë nuk është vetëm e Golemit, por e mbarë Labërisë, mbarë kombit shqiptar.
Bibliografia: Seria e librit, “Yje të pashuar”, Tiranë, 1968 e deri më 2016; Historikët e Brigadave sulmuese (sipas origjinalit që gjenden në Dep. Historisë, FSM, AFA); DPASH dhe AQFA-së, Fonde dokumentare të LANÇ-it, 1943-1944; Georges Castellan, “Historia e Ballkanit”, Tiranë, 1991; Rinald Hibbert, “Fitorja e Hidhur”, Tiranë, 1999; Zaho Golemi, Bernard Zotaj, Dëshmorët e Atdheut, Tiranë, 2012; Zaho Golemi, Buletini arkivor ushtarak, Botim i AQFA-së, Tiranë, 2011; Muzeumet e fshatrave Fushëbardhë, Zhulat, Golem, Progonat 1969 deri më 1992; Historikët që gjenden në Muzeun kombëtar të luftës në qytetin e Gjirokastrës; Të dhëna të publikuara nga ish-partizanë të formacioneve luftarake ku bënin pjesë dëshmorët; Të dhëna të shtypit periodik dhe organe të shtypit të përditshëm; Gazetat “Luftëtari”, Revista “Mbrojtja”, “Për mbrojtjen e Atdheut”, “Revista Ushtarake”; Të dhëna dokumentare nga Organizata e Dëshmorëve të LANÇ; Publikime të portaleve shqiptare Albspirit, Balkanweb etj.