Albspirit

Media/News/Publishing

Sopranoja gjakovare që ngriti peshë publikun e West Palm Beach-it tek “Norma” e Bellinit!

Iris Halili, Kryetare e degës “Vatra Miami”
Mbrëmë ne, një grup nga komuniteti shqiptar i Floridës së Jugut patëm një emocion të veçantë. Sopranoja me famë ndërkombëtare dhe me origjinë nga Gjakova e Kosovës si dhe me një emër kaq shumë shqiptar, zonja Marigona Qerkezi, ishte ylli që shkëlqeu në Opera House të West Palm Beach. Ajo interpretoi Normën, protagonisten kryesore në operën me të njëjtin titull të Vincenzo Bellinit. Me një zë të rrjedhshëm si lumenjtë shqiptar dhe me kumbim të thellë si burimet e krrojeve tona, Marigoja ishte një surprizë e vërtetë për të gjithë spektatorët e “Normës” e cila konsiderohet si sfida më e lartë e çdo sopranoje, e ndërsa pjesa me e njohur e kësaj kryevepre “Casta Diva” konsiderohet si aria më e vështirë e të gjitha kohërave.
Karakteri i Normës është shumë kompleks, jeta e saj është tragjedia e dilemave të zemrës, detyrës ndaj Atdheut, brengat e shumëfishta të një gruaje që dashuron, tradhëtohet dhe zhgënjehet. E tërbuar nga xhelozia dhe braktisja, e mallëngjyer si nënë dhe e penduar për aktet e saj në kundërshtim me fenë të cilën i shërben, Norma kalon në shumë gjëndje psikologjike dhe traumatike. Në përçapje për të gjetur rrugëdaljen atje ku ajo shpesh mungon, Norma mundohet të hyjë në portat e zemrës me arsye, por del prej saj pa të, apo mundohet të dalë nga portat e zemrës me ndjenjë, por nuk është e lumtur edhe me këtë zgjidhje. Për vetë kompleksitetin e saj Norma mban pothuajse ¾ e të gjithë shfaqjes, duke bërë të duket se të gjithë protagonistët e tjerë janë vetëm në funksion të saj. Sipas ekspertëve, në këtë opera sopranoja që interpreton Normën duhet të mbajë C-në e lartë në më shumë se 12 herë dhe gjatë gjithë orëve të gjata të shfaqjes, ajo ka shumë pak kohë për të kontrolluar frymën. Me një italishte shumë të kuptueshme, si dhe me një portret fizik të gjatë dhe të bukur, Marigona e sundoi plotësisht skenën duke performuar sa me zë aq edhe me mimikë dhe lëvizje sinkronike. Zëri i saj sa melodioz, aq edhe i ëmbël dhe shpërthyes jo vetëm na mbërtheu përgjatë gjithë shfaqjes, por ai ishte në harmoni të plotë me emocionet nëpër të cilat kalon Norma, që falë interpretimit të Margionës na mbeti gjatë në mëndje.
Duartrokitjet vazhduan pa ndërprerje edhe kur perdja u mbyll, pasi spektatorët sërisht nuk donin ta linin “Normën” të largohej prej tyre.
Marigona Qerkezi ka nje karierë të spikatur në boten e artit operistik. Talenti i saj është vlerësuar me shumë tituj dhe çmime të larta, ku ndër më të njohurat është tituli “Sopranoja e Rosinit”, dhënë sopranove të spikatura për interpretimin e veprave të Rosinit. E lindur dhe rritur në Zagreb ajo ka mbaruar studimet për Master në Fluit dhe Kanto në Universitetin e Prishtinës. 6 -vjec Marigona ka zbritur në skenë për herë të pare dhe prej atij çasti duket sikur nuk ju nda më skenave. Në muajt në vazhdim ajo do të performojë në Gala Concert London; Savonlinna Opera Festival në Finland në rolin “Abigalle” nga “Nabuko” e Xhusepe Verdit, më pas në Dubai Opera House dhe Varshavë Opera House me rolin e “Aida” sërisht nga Xhuzepe Verdi; Në vazhdim në Kopenhagen Opera House tek “Toska” i Xhiakomo Pucinit, për t’u rikthyer sërisht tek “Norma” i Vincenco Bellinit në Operën e Frankfurtit.
Ftojmë të gjithë bashkëatdhetarët kudo ku jetojnë të ndjekin turin e Marigosë tonë në Instagram apo Facebook dhe nëse kanë mundësi të dëgjojnë zërin e saj të vecantë dhe të jenë të sigurt se pas shfaqjes do të ndjejnë krenarinë kombëtare që na dhuron kjo artiste shumë dimensionale, do të shijojnë një interpretim shumë të arrirë artistiskisht dhe ndosha do të kenë mundësinë të takojnë këtë soprano shqiptare me famë botërore që me thjeshtësinë e saj nuk kursen të takoj, apo përshëndes bashkëatdhetarët e saj në gjuhën e nënës, shqipen tonë të bukur.
Please follow and like us: