Natasha Lako: Në vend të një përqafim të humbur
Në vend të një përqafim të humbur, të poetes Lindita Ahmeti, që sa ka dhënë frymën e fundit përtej liqenit të Pogradecit ose Ohrit, po vendos në mes të një hidhërimi të thellë, një nga përqafimet e saj poetike për të gjithë ne.
Poezi
UDHËTIMI I BABAIT NËPËR KËNGËN E VJESHTËS
hapat e babait nëpër natën vjeshtore me selenën e purpurt që hedh dritë në shteg
e nxisin komunikimin me qetësinë e pyllit
dhe kuptohen mirë mes vetes babai e qetësia
babai ndonëse e ka një pyetje nostalgjike për vjeshtën
s’e thotë me gojë
s’e turbullon qetësinë
po e shkruan pyetjen në fletët e heshtjes ulur në rrënjën e bungut
janë foljet e shpërndara gjithandej që e çojnë babain të ngrihet në këmbë
ecën ai
ndërsa gjethet e thata zgjohen dhe bëjnë muzikë xhazi nën këmbët e lodhura të plakut
pastaj fryn pak eoli
tingujt e butë të erës së freskët kur i ledhatojnë gjethet
dhe dalja në skenë e mbiemrave të përmallshëm
janë në të vërtetë përgjigje e vjeshtës për babanë e cila pëshpërit
ju iku vera e blertë
ju iku vera e blertë
zogjtë të renditur si fjalët e demostenit para athinasve
kur filipi futej në polis me ushtarët e tij
kërkojnë shpresën e mirë duke lënë mbrapa ngjyrat e vjeshtës
pastaj tingujt e freskët të gjetheve të thata kërcëllojnë
bëhen vërejtje për krijesat e imta të pyllit
për merimangat që prodhojnë mëndafshin më të mirë
për mizat gjarpërinjtë minjtë buklat e shqarthat
për ndonjë hardhucë të blertë që s’ndalet së vrapuari nëpër bar pas ndonjë kandre
dhe për breshkat që e demonstrojnë hijerëndësinë kur ecin
dhe ta merr mendja edhe për sutat e buta që e zbukurojnë pamjen e pyllit kur i bie hëna
për të gjithë banorët e gjelbërimit që janë rehatuar në mbretërinë e gjumit
jepet alarmi e shtohen thirrmat e larëve
kujdes
ndonëse babai shpërndan ëndrrën e bukur në këtë mbretëri magjepse si gjithmonë
bota e pyllit ka rendin e vet dhe e dëgjon vetëm përvojën
e veshur me njëqind ngjyra që hedh hëna ajo shkon shtigjeve të saj
pa e dalluar babanë nga kalimtari i pakujdesshëm i cili kënaqet kur shkel flutura
dhe babai ecën ecën nëpër këtë botë që e bën të prekshme vetminë
dhe me gjithë kujdesin që ka
ndonjë thnegël e pëson prej këmbës së tij
duke dështuar në luftën e egër të darvinit për një kënd të padukshëm ngrohtësie
kapërcejnë pastaj nëpër mendjen e babait foljet e ngarkuara me pikëllim
për një mijë këngë të lisnajës që treten
pastaj babai ulet sërish në rrënjë të bungut
përballë një ketri që kërcen nga imazhi në imazh
atëherë visorja e hap faqen e magjisë së saj
në dritë të këtij tregimi dalin kuqëloret si ombrellat e zanave
vendosur nëpër shtigjet kah kalon diana
dhe dalin si në shuplakë pikturat e pyllit
babai vazhdon udhën
vihen në lëvizje mijëra zëre nga frika kur ofshan ai nga pesha e udhëtimit
kjo në pyll merret si bori e faunit
babai i heq këpucët atëherë dhe i dorëzohet harmonisë së pyllit
e koha rrjedh
duke sjellë mëngjesin e kuqërremtë
harabelat nëpër degëzat e kaçubave dhe të fijeve të barit të gjatë me fara të imta
e ndërpresin ëndrrën
ia nisin këngës korale
dhe bashkë me kandrat e hapin librin e muzikës
me tinguj të cilët nga shporta semasiologjike e asaj bote e shpërfaqin hijeshinë
e kërpudhave kuqëlore
të mijëra e mijëra kuqëloreve që e stolisin pyllin
dhe e gjithë kjo do të jetë një poezi e pashkruar e sapfos që është dashur të bëhet himn
për mrekullinë e kuqëloreve
midis të cilave kalon zbathur
në majë të gishtave
im atë i mirë
dhe të cilat i mbledh e i ruan nimfa në herbariumin prej papirusi
e që më vonë do të flasin
si një ditar i shkruar shqip.
——————————-
Post Scriptum
Lindita Ahmeti ka ndërruar jetë në moshën 50-vjeçare. Lajmi i trishtë është konfirmuar nga babai i saj, shkrimtari Xhabir Ahmeti, në Facebook, në orët e hershme të mëngjesit të 9 prillit.
“Lajm i tmerrshëm. E humbëm edhe vajzën tonë të mrekullueshme Linditën para një gjysmë ore”, shkroi Ahmeti në orët e hershme të mëngjesit të 9 prillit.
Pas përfundimit të shkollës së mesme në Shkup, ajo vazhdoi studimet në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Shkupit, ku u specializua në filologjinë klasike. Me një pasion të flaktë për letërsinë, ajo ligjëroi letërsinë antike në Universitetin e Tetovës dhe punoi në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve.
Please follow and like us: