Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Mësuesi luftëtar çam, Bido Sejko ra për Shqipërinë
U frymëzua nga ndjenja patriotike e burrave të Filatit
Bido Sejko ka lindur në vitin 1900 në qytetin e Filatit në Çamëri. Babai i tij, Haki Sejko ishte një patriot dhe i dëgjuar në krahinën e Çamërisë, burrë me autoritet dhe luftëtar. Bido në Filat nisi shkollën, ku mësues pati atdhetarë të shquar si Qamil Izet Gamin, Rexhep Hamit Demin etj.
Ai u rrit me ndjenjën e frymës patriotike, kur shikonte se në shtëpinë e tij, babai si kryetar i klubit kombëtar të Filatit, organizonte mbjedhje. Në shtëpi mblidheshin mjaft njerëz sa dhoma e pritjes së miqve mbushej plot. Kështu sa herë në shtëpi vinin njerëz, ai vishej me rroba të reja dhe përshëndeste ata burra të moçëm dhe fisnik që kuvendonin me orë të tëra për fatet e krahinës dhe të vendit.
Shpesh, Bido pyeste nënën për të mësuar rreth atyre burrave hijerëndë që vinin vazhdimisht në shtëpinë e tyre. Kështu në rininë e tij, ai mundi të njohë një numër atdhetarësh dhe me zë, si Ibrahim Axhinë (i mbiquajtur Dervish Hima), Hilë Mosin, Muharrem Rushitin, Çerçiz Topullin, Themistokli Gërmenjin, Spiro Bellkamenin, Mihal Gramenon e të tjerë. Ai i dëgjonte me kujdes fjalët e tyre, kur ata theksonin se “Shqipëria domosdo do të bëhet më vete dhe e pavarur”, “Pa u ngritur populli më këmbë asgjë s’mund të bëhet”, “Do të na duhet dhe një shkollë e mesme në Filat…”.
Ai i dëgjonte e i dëgjonte me kureshtjen e një fëmije që po rritej dhe po mësonte për në një shkollë patriotike që bëhej në odën e shtëpisë së tij. Duke dëgjuar fjalë të tilla, nga këta burra patriotë që shkëmbenin me njëri-tjetrin, Bido ndjehej më i rritur dhe më i përgatitur dhe serioz në problemet atdhetare. Kështu ai filloi të ushqente dashuri për ta dhe nënës i përgjigjej me kulturë e i plotësonte çdo dëshirë të saj.
Nga këta burra me mustaqe të mëdha, Bido dëgjoi të thuhet se duhet të hapet një shkollë në Filat. Kjo shkollë do të përgatisë të rinjtë për të hapur sytë e për të mos mbetur të verbër, por të zgjohet rinia dhe të bëhen të mirë dhe të ditur për vendin.
Shtëpia kur bëhej mbledhje e patriotëve ruhej nga jashtë me luftëtarë me qëllim që patriotët e Filatit të mos kapeshin nga xhandarët grekë, që ishin në përgjim të çdo veprimtarie patriotike. Ishin patriotët që përpiqeshin për Shqipërinë.
Kështu, në këto rrethana, e kaloi fëmijërinë Bido Sejko, mësuesi i ardhshëm i aq e aq nxënësve nëpër qendra të ndryshme të trevës çame. Shumë nga këta të rinj treguan më vonë se ishin nxënës besnike të këtij mësuesi me emër dhe patrioti luftëtar. Bido u rrit në një kohë kur dallgët e lëvizjes kombëtare ishin të fuqishme, dhe mbresat e kësaj lëvizjeje pushtuan trurin dhe ndjenjat e tij që në fëmijëri.
Bido, luftëtar dhe në tokën italiane
Por pas shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë, krahina e Çamërisë u pushtua nga grekët. Shumë familje u largua dhe u vendosën përkohësisht në Konispol. Bido vijoi shkollën dhe e përfundoi me rezultate të larta. Familja e dërgoi për studime në Itali.
Në qershor të vitit 1920 nisi Lufta e Vlorës, e patriotëve shqiptarë kundër pushtimit italian të Vlorës dhe të krahinave të saj. Në luftimet e zhvilluara për marrjen e garnizoneve, në Kotë të Vlorës, luftëtarët vranë gjeneralin Goti, i cili ishte nga dera princërore e Savojës. Kjo ngjarje i tërboi luftënxitësit. Shtypi qeveritar italian zuri të villte vrer kundër kombit shqiptar. Në këtë kohë Bido ishte nxënës me studime në Torino. Në shkollën ku mësonte ai bashkë me disa shqiptarë, personeli italian në shkollë bënte një politikë diskriminuese dhe fyese kundër popullit shqiptar dhe luftëtarëve vlonjat.
Në një nga ditët, kur një italian i quajtur Armando po villte vrer kundër luftës së popullit shqiptar, Bido, i pasuar nga shokët e tij shqiptarë iu hodh përsipër Armandos. I dha kështu një mësim të mirë. Në ato ditë duke marrë zemër nga ndërhyrja dhe mbrojtja e policisë disa elementë italianë shkruan në muret rrethues të shkollës: “Poshtë Shqipëria”. Kur Bido i pa, me një shpejtësi të madhe, i fshiu shkrimet që fyenin atdhenë dhe shkroi: “Poshtë shkelësit dhe vrasësit italianë”. Bido u përjashtuan nga shkolla, si dhe e përzunë nga toka italiane.
Mësuesi që frymëzonte të rinjtë
Bido, pas përjashtimit nga shkolla u kthye në vendlindje. Tashmë grekomëdhenjtë kishin krijuar kushte të padurueshme në tokën çame. Ai ishte krenar nga natyra, por dhe nga kultura familjare dhe ambjenti patriotik ku u rrit dhe u formua, nuk mund t’i duronte dot veprimet djallëzore dhe të neveritshme të disa grekëve…
Për shumë vite ushtroi detyrën e mësuesit dhe dha mësim nëpër shkollat e Çamërisë, duke përgatitur dhe edukuar mjaft luftëtarë dhe patriot për kohën. Kjo u manifestua dukshëm në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ku Shqipëria u pushtua e para nga fashistët italianë.
Në fillim të vitit 1943, mësuesi doli partizan. Trimëria e rrallë dhe aftësitë e veçanta organizative të tij, spikatën gjatë luftimeve 55 ditore kundër nazistëve në Konispol. Në këto luftime mësues Bido komandoi një njësiti të batalionit partizan “Çamëria”. Në janar të vitit 1944 nga ky batalion u dërgua në Brigadën VI Sulmuese një kompani, ku bënte pjesë dhe mësues, tashmë luftëtar Bido. Ai mori pjesë në mjaft luftime, por më kryesori ishte ai për marrjen e Kalasë së Margëlliçit, ku ra heroikisht Meleq Gostinishtit, i cili ishte zëvendëskomandant i batalionit të IV, të BrVIS, që mbante emrin “Naim Frashëri”. Këtë detyrë komanda e brigadës ja ngarkoi mësuesit luftëtar Bido Sejkos.
Bido mori pjesë në një sërë luftimesh dhe përpjekjesh dhe në të gjitha u shqua si një luftëtar e komandant i zoti. Në luftimet që u zhvilluan gjatë vijës Brataj-Lepenicë, në luginën e Mesaplikut me forca të shumta nazistë që përpiqeshin të çanin nëpër zonën e lirë gjatë lumit të Vlorës dhe të dilnin në Kurveleshin e Sipërm, Bido, krejt papritur, duke manovruar dhe me një njësit prej 23 luftëtarë u doli mbas shpine dhe i goditi befas e me guxim nazistët. Sulmi ishte i befasishëm dhe i hutoi dhe i goditi rëndë armiqtë, gjë që u dha mundësi forcave të tjera partizane t’i asgjësonin.
Luftimi i fundit i Bido Sejkos ishte në mesditën e 22 qershorit 1944 në kreshtën shkëmbore të malit Saraqin, mbi katundin Dishat të Sarandës. Këtu, ai u ndodh përballë më se 15 nazistëve të fshehur e të strukur mbas shkëmbinjve. Ai luftoi trimërisht deri në çastin kur një plumb armik e goditi për vdekje mësuesin e dashur të krahinës, partizanin e komandantin trim Bido Sejko.
Vlerësime për dëshmorin Bido Sejko
Mësues Bido Sejko ishte dhe mbetet një nga figurat më të shquara të brezave të mësuesëve dhe të luftëtarëve të popullit shqiptar. Ai është dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me dekoratat: “Medalja e Çlirimit”, “Medalja e Trimërisë” dhe “Medalja e Kujtimit”.
Bido Haki Sejko është shpallur Dëshmori i Atdheut me vendim nr. 166, datë 27.12.1977 të Komitetit Ekzekutiv të Sarandës. Për të është shkruar në shtypin e kohës si dhe në serinë e vëllimeve të “Yje të pashuar”, në vëllim 3.
Emrin e tij e mban shkolla e mesme e bashkuar “Bido Sejko” në Konispol. Varri i tij gjendet në varrezat e dëshmorëve të Konispolit.
Në këtë përkujtimore në kuadrin e 80 vjetorit të Çlirimit të Atdheut duhet të përkujtohen gjithnjë me nderim të madh Heroi i Popullit Ali Demi, si dhe dëshmorët Bido Sejko, Muharrem Myrtezai, Ibrahim Hallumi, Hysen Vejselit etj.