Albspirit

Media/News/Publishing

Guximi i kancelarit Willy Brand, një shembull i munguar në Serbi

Prof.dr. Sylë Ukshini

Në vitin 2022 shumë “njohës” të çështjes gjermane e afishuan me zjarr Marrëveshjen e Ohrit si një zgjidhje sipas modelit gjermano-gjermane të vitit 1972 edhe pse kontekstin rajonal, evropian dhe ndërkombëtar nuk puqen në asnjë pikë.

Parakusht vendimtar për traktatin gjermano-gjerman ishte ndryshimi gradual i politikës botërore drejt shtendosjes që nga kriza e raketave Kubane në vitin 1962. Pas kësaj, ShBA dh Bashkimi Sovjetik dëshironin të parandalonin kërcënimin e luftës bërthamore dhe zgjidhnin pikat tensionuese në Evropën Qendrore. Qeveria Federale në Bon ndihej e detyruar t’i përshtatej politikës së dentinimit, edhe pse nuk hiqte dorë nga bashkimi i gjermanive si synim afatgjatë. RDGJ, e sfiduar vazhdimisht nga RFGJ, e kërkoi shpëtimin në një kurs të rreptë demarkacioni.

Të ashtuquajturat Traktate Lindore i referoheshin traktateve të lidhur në vitin 1972 në mes RFGJ dhe Bashkimit Sovjetik (Traktati i Moskës) dhe midis RFGHJ dhe Polonisë (Traktati i Vashavësh) ishin traktate që bënë njohjen e kufijve dhe kodifikuan heqjen dorë nga dhuna. Ndër të tjera, këto traktate shpallëm të pacenueshëm kufirin gjermano-polak në linjën Oder-Neisse dhe përcaktuan se konfliktet ndërshtetërore duhej të zgjidheshin pa dhunë. Ato paraqesin një hap të rëndësishëm në rrugën drejt pajtimit midis Gjermanisë dhe Polonisë dhe drejt një marrëdhënie më të mirë me Bashkimin Sovjetik (BRSS). Traktati i Varshavës njohu linjën kufitare Oder-Neisse si kufi gjermano-polak dhe njëkohësisht largimin e banorëve polakë me origjinë gjermane si pjesë e bashkimit familjar. Negociatat ishin jashtëzakonisht të vështira për kancelarin gjerman Willy Brand. Në RFGJ pati rezistencës ndaj politikës së tij të re lindore (Ostpolitik). Pas Luftës së Dytë Botërore disa miliona gjermanë ishin dëbuar me forcë nga ish-atdheu i tyre në Evropën Lindore, i cili ende konsiderohej pjesërisht territor gjermanë në atë kohë dhe që më pas ishte vendosur nën administrimin polak në 1945 si pasojë e Marrëveshjes së Potsadmit.

Në nenin 1 të marrëveshje, RFGj dhe Polonia deklaruan “se nuk kanë pretendime territoriale ndaj njëri-tjetrit dhe nuk do të ushtrojnë pretendime të tilla në të ardhmen.” Përveç kësaj, palët kontraktuese angazhoheshin edhe një herë për zgjidhjen paqësore të konflikteve ndërshtetërore. Në ditë e nënshkrimit të Traktatit të Varshavës (7 dhjetor 1970) kancelari Willy Brandt bëri një gjest të madh dhe historik, gjatë ceremonisë së vendosjes së kurorave në memorialin e heronjve të getos së Varshavës ai u gjunjëzuar, duke kërkua falje në emër të gjermanëve për krimet e regjimit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Traktati i Moskës dhe i Varshavës gjithashtu i hapën rrugën arritjes së Traktatit midis Republikës Federale të Gjermanisë (RFGJ) dhe Republikës Demokratike të Gjermanisë (RDGJ), i cili u negociua për të normalizuar marrëdhëniet midis dy shteteve gjermane. Ashtu si në Traktatet e Moskës dhe të Varshavës, palët kontraktuese ranë dakord të zgjidhin konfliktet në mënyrë paqësore në të ardhmen. Sipas nenit 1, dy shtetet duhet të zbatonin parimet e “barazisë sovrane, respektimin e pavarësisë dhe integritetit territorial,” gjë të cilën në rastin e Marrëveshjes së Ohrit mungon. Po ashtu, një marrëveshje të tillë i mungon konteksti i favorshëm evropian, janë 5 shtete evropiane të cilat me mosnjohjen e shtetit të Kosovës forcojnë qëndrimin armiqësor të Rusisë ndaj shtetit të Kosovës dhe në këtë mënyrë bëhen edhe frenues të normalizimit të raporteve me Serbinë. Ndërkaq, në kontekstin fqinjësor, lidershipi aktual i Serbisë jo vetëm që nuk ka kërkuar falje për krimet e kryer ndaj shqiptarëve nga regjimi i Milosheviqit dhe regjimet të tjera përgjatë shekullit 20, por i ka glorifikuar dhe himnizuar krimet e tilla të luftës. Si rrjedhojë, Serbia, duke mos i ndjekur penalisht krimet e luftës, në fakt po tregon se nuk është e gatshme t’i pranojë dhe t’i dënojë ata që janë përgjegjës për krime të mëdha, krime masive, krime të rënda të kryera në Kosovë. Nëse do të ndiqej shembulli i kancelarit gjerman Brandt, atëherë Vuçiq do të duhej gjunjëzohej në Prekaz. Në Reçak, në Mehë apo në varrezën masive të Batajnicës dhe në emër të serbëve t6’u kërkonte falje shqiptarëve për krimet e regjimit fashist të Milosheviqit 1989-1999. Vetëm atëherë do të mund të flitej për klimë mirëbesim dhe gatishmëri të Beogradit për normalizim të raporteve fqinjësore.

Nëse këtë nuk e bënë Beogradi, atëherë është koha Ambasadori i Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd ose Kryeministri, ministrat e Kosovës apo një delegacion i familjeve të personave të vrarë dhe të (ri)varrosur në Serbi të kërkojnë nderimin e viktimave, duke vendosur lule dhe një pllake përkujtimore. Pa ndodhur kjo, normalizimi tingëllon i bukur, por nuk duket i realizueshëm. Ndaj, ka të drejtë Paul Williams, profesor i Universitetit Amerikan në Uashington dhe ekspert i së drejtës ndërkombëtare, kur thotë “se procesi i normalizimit ka ngecur sepse Serbia refuzon faktin që Kosova është e pavarur dhe shkakton provokime dhe pengesa, përfshirë së fundmi përpjekjet për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Please follow and like us: