Albspirit

Media/News/Publishing

Milazim Krasniqi: Duhet të shkruhet historia e kombit shqiptar

Definitivisht na duhet një program i ri për realitetet e reja kombëtare e gjeopolitike. Por për ta bërë një program real e funksional paraprakisht duhet të shkruhet historia e kombit shqiptar. Çuditërisht, ne nuk kemi një histori të shkruar të kombit shqiptar. Kemi histori të Shqipërisë (mirë e keq) po nuk kemi histori të kombit. Nxitja dhe financimi për ta shkruar historinë e Shqipërisë natyrisht që ka qenë e shtetit, sepse edhe benefitet e asaj historie i janë faturuar shtetit dhe shtetarëve. Por shteti dhe kombi nuk janë e njëjta gjë, sidomos në rastin tonë. Prandaj ideja për të shkruar historinë e kombit do të duhej të nxiste fantazinë e historianëve, albanologëve, antropologëve, sociologëve, historianëve të letërsisë. Bile të të gjithë shqiptarëve. Po qe se shkruhet historia e kombit shqiptar, ajo do të përfshinte edhe arvanitasit e asimiluar në grekë, edhe arnautët e asimilar në turq, edhe rajanë e asimiluar në serbë, edhe arbanasët që janë asimiluar në boshnjakë. Ekziston një teori mbi kombin që insiston që të gjithë ata që kanë prejardhje nga një etni që ka formuar kombin, të llogariten si pjesëtarë të atij kombi. Është shumë optimiste por idetë pa qenë optimiste nuk mund të bëhen kurrë realiste. Ne nuk e kemi adoptuar kurrë atë qasje. Ndoshta do të duhej të mendohej për aktivizimin e saj veçmas në drejtim të atyre kontigjenetve, që ende nuk janë asimiluar plotësisht. Të tillë ka ende në Turqi, në Greqi, në Sanxhak (Malin e Zi dhe Serbi) e mbase edhe një kontigjent i vogël ortodoksësh në Maqedoninë e Veriut. Një problem më vete në këtë sfond janë raja serbofone në Kosovë, të cilët kanë qenë shqiptarë ortodoks, por janë asimiluar në serb nga Kisha Serbe. Për ta mbase duhet një program i veçantë i shtetit të pavarur të Kosovës. Rikthimi i rajës në shqiptarizëm, gjithsesi dhe vetëm vullnetarisht, do të ishte një adut i fortë kundër pretendimeve serbomëdha mbi Kosovën. Thjesht do ta varroste serbizmin në Kosovë.

Please follow and like us: