Ambra Hysa: Një dasmë shkodrane!
Në zemrën e Shkodrës, një dasmë shkodrane është si një flamur i vëshur me ngjyrat e jetës, e mbushur me emocion, dashuri dhe tradita. Për mua, kjo nuk ishte vetëm një festë, qyteti im më përshëndeti me dritën e butë të mëngjesit dhe buzëqeshjen e përjetshme, ditën kur dola nuse.
Këngët e vjetra shkodrane, të mbushura me melankolinë e kujtimeve dhe gëzimin e pritjes së një ngjarje të re, bëjnë që edhe ajri të mbushet me emocion. Rrobat e veçanta tradicionale, shtojnë një dimension të thellë estetik në tablonë e dasmës shkodrane.
Shkodra, qyteti i artit dhe i kulturës, qytet i njerëzillëkut, ku dashamirësia buron nga çdo pore, ku njerëzit përshëndesin njëri-tjetrin përzemërsisht, gjatë xhiros me biçikleta, edhe pa u njohur. “Nadja e mirë”, “Si ke njeh?”… Ne shkodranët kemi një dialekt të amël dhe shumë të dashtun. Nuk do e ndërroja këtë qytet me asnjë tjetër në botë, sepse u rrita në Shkodër dhe më brumoi e më dha shumë, në të njëjtën formë e me të njëjtën dashuri, vazhdoj ti jepem.
Shkodra, shumëçka e ka të bukur, por të bukura si andrra të bardha, i ka dasmat dhe javën e dasmës. Se në Shkodër të gjithë këndojnë e kërcejnë, nuk ka “marre” për me ju gëzu jetës, qejfin e njohin mirë dhe ia dijnë vlerën haresë që shpirtit dinë të ia falin, veç gëzimet!
Unë u martova në Shkodër, me nje dasmë ku ndërthureshin elementet e tradicionales dhe modernes. Më gëzon fakti që respektova rrënjët e mia dhe i qëndrova besnike identitetit tim kulturor, gjatë kurorëzimit të dashurisë, identitet të cilin shpresoj ta trashëgojmë bukur, të gjithë së bashku, brez pas brezi.
Në qytetin e Shkodrës nusja sjell “pajën” në valixhe me karramele të vogla dhe të ëmbla, gjatë javës së dasmës nuk “lejohet” të takohet dhëndri, veçanërisht gjatë mbrëmjeve, sepse thonë se kjo nuk do të sjellë mbarësi për çiftin e ri. Të enjteve është një festë e bukur në oborret e shkodranëve, ajo quhet “nata e dhuntisë”. Gjatë kësaj jave të fundit, familjarët e dhëndrrit mblidhen pothuasje çdo natë në shtëpinë ku bëhet dasma dhe këndojnë e festojnë së bashku.
E sikurse e përmendëm më lart, të enjten gratë e familjes së dhëndrrit vizitojnë nusën dhe i dërgojnë asaj fustanin e nusërisë, këpucët, vellon. Në të njëjtën ditë, familja e nuses viziton pasdite familjen e dhëndrrit, me dhurata për ta. Këto dy takime në të dyja shtëpitë shënjojnë fillimin e miqësisë midis këtyre dy familjeve që me këtë martesë lidhin edhe jetën e tyre me njëra-tjetrën. Të shtunën në dasmat shkodrane mbahet festa në familjen e nuses, ku është i ftuar vetëm dhëndrri me familjen e tij, (pra krushqit). Nusja merret nga krushqit të dielën. Dikur nusja merrej me kuaj, sot kohët kanë ndryshuar dhe preferohen veturat. Ceremonia shoqërohet gjithmonë me muzikë, me dajre dhe me miq të mirë e farefis. Kur mbërrin nusja në shtëpinë e dhëndrrit, tek dera e pret vjehrra. Ajo i vë në dorë mjaltin nusës dhe dhëndrrit. Majet e gishtave të nusës lyhen me mjatë dhe me ta ajo duhet ta prek pjesën e lartë të derës, në mënyrë që jeta në atë shtëpi t’i shkojë e ëmbël si mjaltë. Kur hynë brenda, nusës i vendosnin në prehër një çun, por unë kam dashur të mbaj në prehrin tim një gocë të bukur, me kaçurrela. Në mbrëmjë organizohet dasma e dhëndrrit. Muzika shkodrane është pjesë jo vetëm e dasmave shkodrane, por edhe e të gjitha dasmave shqiptare.
Shkodranët i kushtojnë rëndësi muzikës, instrumenteve, këngëve por edhe gatimeve tradicionale e plot shije! Është shumë bukur kur të rinjtë e respektojnë traditën dhe gëzojnë të gjithë brezat bashkë sepse dasmat bëhen për t’i shijuar lidhjet që kemi me ata që na i do zemra, për ta ndarë e festuar dashurinë me njerëzit. “Gjithë lezeti i dasmës është shoqnia”, themi… por lezeti i dasmës jeni ju, të ftuarit që i duam fort nga çdo trevë e Shqipërisë.
Pra na “ardhshi t’bardhë” dhe mos mungoni, në një nga dasmat tona, se na veç me dashni e gëzim, dimë t’ju presim!
Please follow and like us: