Albspirit

Media/News/Publishing

Dy ministre japin dorëheqjen për vjedhje doktorature, në Shqipëri ende asnjë politikan

Ingvild Kjerkol

 

Ministrja norvegjeze e shëndetësisë Ingvild Kjerkol ka dhënë dorëheqjen pas verifikimit të fakti se teza e saj e doktoraturës kishte qenë një kopje.

Pak muaj më parë, edhe ministrja e Arsimit të Lartë, Sandra Borch, u largua për të njëjtën arsye nga detyra pasi një student zbuloi se ajo kishte kopjuar.

Lajmi në fjalë hyn tashmë në normalen e faktit politik në Perëndim, ku edhe punimet kërkimore janë verifikuar të jenë në masë të madhe poshtë standardit dhe që shpesh u ikin filtrave. Dhe me këtë vjen edhe rënia graduale e një prej miteve më autoritarë për Perëndimin: atij të shkollës dhe shkencës.

Që në fakt mori goditje të madhe me pandeminë, kur u dëshmua se vala e zbulimeve dhe kërkimeve të shumëpropaganduara u reduktuan në kura të improvizuara dhe me një politikë publike shëndetësore që arriti kulmin me karanatinimin e detyruar dhe atë të vaksinimit të detyruar edhe për fëmijët e shkollave fillore.

Të mos harrojmë edhe skandalet e abuzimeve seksuale që prekin herë pas here institucione si ta zëmë i mirënjohuri Kolegji Europian i Bryzhit dhe vijmë kështu në një situatë ku kuptohet se sistemi politik europian nuk po funksionon si duhet.

Dhe ka ceduar te cilësia aq sa kredencialet akademike manipulohen për të bërë karrierë. Këtu lind vetiu një pyetje që ka rëndësinë e vet: sa qëndron si efektive relacioni mes karrierës profesionale dhe katapultimit në politikë?

Kjo pasi politika është një zeje që ka të tjera kritere për të konfirmuar suksesin dhe për aq sa mund të flasim si dëshmitarë të një kohe si kjo, ne po shohim se vendimmarrja nga teknokratët që janë moda e dy dekdadave të fundit, po gjeneron probleme serioze dhe sistemike.

Ekspertët duhen mbajtur në distancë dhe duhen konsultuar, por është gabim shumë i madh të besosh reformat te teknikë të cilëve shpesh u mungon vizioni dhe që nuk e kanë për gjë të bëjnë avokatin e kujtdo në emër të ligjit.

Edhe lidhja shkollim i mirë – e drejtë për të patur përparësi në politikë duhet parë më mirë, duke respektuar ligjësitë e politikës si profesion, që po dëmtohet shumë nga papagaj me diploma të mira.

ResPublica

Please follow and like us: