Spanja njeh Palestinën, por jo Kosovën
Nga Denis MacShane*
Spanja është bërë shteti i nëntë anëtar i Bashkimit Europian që njeh Palestinën. Thirrja për ta njohur Palestinën ka marrë mbështetje emocionale përqark Europës, ndërsa në mënyrë të pandalur vijon masakra ndaj grave, fëmijëve dhe civilëve të moshuar përqark Gazës.
Palestina është njohur nga 140 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe është anëtare vëzhguese e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Është tërësisht e qartë se njohja e Palestinës nuk ka pasur asnjë ndikim te respekti i Izraelit për sundimin e ligjit ndërkombëtar, ose ka inkurajuar Hamasin të zgjedhë rrugën paqësore të negociatave në vend të zotimit ideologjik islamist për të shfarosur hebrenjtë dhe për të shkatërruar shtetin e Izraelit.
Kur Laburistët erdhën në pushtet, Tony Blair i bëri njohje diplomatike Koresë së Veriut, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara këmbëngulnin se diktatura komuniste atje duhej të braktisej nga të gjithë aleatët.
Ministrat arabë më panë sikur të isha i çmendur. Unë thashë se lideri më i mençur politik në Europë për mua ishte Willy Brandt. Përse? Sepse ai i dha fund doktrinës vet-shkatërruese të konservatorëve në Gjermaninë e pas luftës, të cilët refuzonin të pranonin ekzistencën e Republikës Demokratike Gjermane, si një shtet që funksiononte dhe që ishte më mirë për Bonin të kishte lidhje me Berlinin Lindor.
Të gjithë në ëndrrat tona urojmë që Katalunja ta pranojë lidhjen e pamohueshme historike, kulturore dhe qytetare me pjesën tjetër të Spanjës.
Nuk kam takuar kurrë një katalanas më krenar se Josep Borrell. Së bashku kemi ngjitur Malin Canigou.
Nuk kam takuar kurrë një europian kaq të përkushtuar te partneriteti mes popullit të Spanjës dhe popullit të Katalunjës së tij.
Francois Mitterrand dikur tha, “Le nationalism, c’est la guerre” – Nacionalizmi është luftë. E kemi parë në Europë, në Irlandë, në shtetin bask, në Korsikë, në Serbi dhe sot teksa nacionalizmi izraelit bën luftë ndaj popullit të Palestinës dhe nacionalizmi islamist i Hamasit bën luftë ndaj gjithë hebrenjve.
Jam lindur skocez, pranë Glasgout. Nga ana e mamasë time, kam gjak irlandez. Mund të listoj çdo mizori të kryer nga protestantët supremacistë të Anglisë kundër katolikëve të Irlandës.
Por sot Irlanda ka gjetur një zgjidhje. Është shteti i dytë europian më i pasur sa i takon PBB-së për frymë pas Luksemburgut. Irlanda nuk eksporton më krah pune të lirë në Angli.
Por djajtë e nacionalizmit europian ende jetojnë. Çfarë është pushtimi rus i Ukrainës përveçse një konfirmim i supremacisë nacionaliste ruse mbi popullin e Ukrainës?
E kemi këtë shembull më të afërt. Jugosllavia ishte një përpjekje serioze për të fshirë identitetin kombëtar pas 1945. Por i duhej një diktaturë komuniste, një polici sekrete dhe shumë nga mjetet e shtetit të Frankos mes 1945 dhe 1974.
Sot, shprehja e fundit e asaj autokracie dhe refuzimi për të pranuar identitetin kombëtar është Serbia. Udhëheqësi i saj Sllobodan Millosheviç u përpoq t’ia impononte nacionalizmin serb pjesës tjetër të ish-Jugosllavisë. Nacionalizmi i tij supremacist serb çoi në luftëra të tmerrshme, spastrim etnik, vrasjen gjenocidale të 8 mijë burrave, grave dhe një fëmije të paarmatosur, që u lidhën dhe u vranë nga serbët në Srebrenicë.
Vrasjet masive serbe në Kosovë në 1998-99 detyruan gjysmën e popullsisë të arratiseshin si refugjatë jashtë Kosovës për të shmangur skuadrat serbe të vdekjes. Durimi i Europës më në fund u thye dhe liderët europianë së bashku me presidentin Clinton ranë dakord se duhej ndërhyrje ushtarake për të zbutur nacionalizmin serb.
25 vite më parë, pilotët e forcës ajrore të Spanjës kishin nderin të udhëhiqnin sulmet e para të NATO-s, për t’i dhënë fund kasaphanës nacionaliste serbe ndaj civilëve në Kosovë.
Millosheviçi ishte i tmerrshëm. Sapo hasi në vendosmërinë e një Europe dhe SHBA-je të bashkuar, ai u tërhoq dhe u dërgua në Hagë për t’u përballur me gjyqin për vite të tëra të kasaphanës së tij.
Por nacionalizmi serb nuk u zhduk. Zëdhënësi i ri për shtyp i Millosheviçit ishte Aleksandar Vuçiç. Një oportunist politik i pashoq është ai sot, president i Serbisë, që njëjtë me mikun e tij Viktor Orban në Hungari, e ka kthyer vendin në çifligun e tij personal bazuar në kontrollin e mediave dhe korrupsionin. Shumica e serbëve të edukuar largohen nga vendi për të kërkuar punë gjetkë në Europë. Vuçiç shërben si ambasador i Vladimir Putin në Ballkanin Perëndimor, për ta mbajtur këtë rajon të Europës në një gjendje as të luftës, por as të paqes.
Kanë kaluar 25 vite qëkur përfundoi konflikti i shkurtër për të çliruar Kosovën nga shtypja koloniale serbe. Por sërish Vuçiç refuzon të bëjë paqe dhe këmbëngul mbi fantazinë se Kosova është thjesht një provincë e shkëputur e Serbisë.
Spanja ndihmon për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor në një gjendje të vazhdueshme tensioni duke mbështetur ideologjinë nacionaliste të Vuçiçit se Kosova është pjesë e Serbisë. Ndryshe nga kombe të tjera të mëdha të BE-së – Gjermania, Franca, Italia, Polonia, Holanda dhe shtetet nordike – Madridi refuzon të njohë Kosovën dhe të nxisë Vuçiçin të pranojë realitetin.
Spanja do ta njohë Palestinën dhe kjo fatkeqësisht nuk do të ketë asnjë ndikim mbi konfliktin Izrael-Palestinë. Por Spanja nuk njeh një komb dhe shtet europian, Kosovën, dhe kjo e mban një rajon kryesor europian në gjendje të paqëndrueshme.
Argumenti se njohja e Kosovës është predecent për Katalunjën është surreal. Franca e njeh Kosovën dhe injoron kërkesat e Korsikës për pavarësi. Britania e njeh Kosovën pa ndonjë mbështetës të pavarësisë në Skoci që ta përdorë këtë si argument për t’u shkëputur nga Mbretëria e Bashkuar. Kanadaja e njeh Kosovën dhe kjo nuk ka asnjë ndikim mbi pretendimet e separatistëve të Kebekut që Kebeku të ndërpresë lidhjet me pjesën tjetër të Kanadasë.
Spanja duhet të jetë një aktore e rëndësishme në politikën e jashtme të Europës, duke formësuar politikat e Europës ndaj Amerikës Latine. Por refuzimi i vazhdueshëm i Madridit me qeveri të ndryshme për të qenë pjesë e zgjidhjes për rajonin e trazuar dhe të palumtur të Ballkanit Perëndimor dhe në vend të kësaj, mbështetja për regjimin e Vuçiç në një linjë me dëshirat e Kremlinit për të mbajtur gjallë përçarjet nacionaliste brenda BE-së, tashmë ka skaduar.
*Denis MacShane është ish-ministër i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar për Europën dhe Amerikën e Veriut.