Prof. Hasan Bello: Lobet shqiptare në Perandorinë Osmane
Ali Pashë Tepelena
Për periudhën klasike të shtetit osman (vitet 1300-1600), është e vështirë të nxirren konkluzione të sakta. Kjo për shkak të studimeve të pakta mbi lidhjet që ekzistonin ndërmjet drejtuesve të perandorisë me vendin e tyre të origjinës. Megjithatë, duke marë në konsideratë faktin se pjesën dërrmuese të pozicioneve drejtuese në ushtrinë dhe administratën osmane e zinin subjektet jourbane dhe kryesisht të krishtera që vinin nga radhët e devshirmes, arrijmë në konkluzionin se edhe në këtë fazë të historisë së shtetit osman kishte një lob shqiptar. Këtu bën pjesë edhe heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Ballaban Pasha, Hamza Kastrioti dhe figura të tjera shqiptare, që mbanin detyra të larta në ushtrinë dhe administratën osmane në fund të shek.XV-të dhe gjatë shek.XVI-të.
Në osmanisht termi për vendin e origjinës ishte “xhins” (“cins”). Ai përdorej shpesh për të treguar preardhjen e një individi apo drejtuesi të caktuar. Një nga përpjekjet e para për të studiuar lobet në Perandorinë Osmane është realizuar nga prof. Metin Ibrahim Kunt në një artikull që ai botoi në 1974 në një revistë të Universitetit të Kembrixhit mbi solidaritetin etniko-krahinor (xhinsit) në estabilishmentin osman të shek.XVII-të. Pavarësisht informacionit jo shterues që jep autori në këtë artikull, ai ka meritën se ishte i pari që shtroi disa teza dhe çeli shtigjet për këto studime.
Sipas artikullit të mësipërm dhe studimeve që janë realizuar dekadat e fundit, një nga lobet më të fuqishme shqiptare të Perandorisë Osmane gjatë shek.XVII-të ishte familja e Qyprylinjve, me origjinë nga Roshniku i Beratit. Pinjollët e kësaj dinastije drejtuan për disa dekada perandorinë si kryeministra, ministra dhe ushtarakë të lartë të shtetit osman.
Lind pyetja a ishin të ndërgjegjshëm përfaqësuesit e kësaj familjeje për vendin e tyre të origjinës? Sigurisht që po. Mehmed Pashë Qypryliu ndërtoi një shkollë dhe një xhami në fshatin Roshnik, të cilin në testamentin e shkruar (vakfijen) e përshkroi si vendin e tij të origjinës. Përveç kësaj ata afruan dhe promovuan në poste drejtuese, për shkak të origjinës së përbashkët shumë shqiptarë.
Sipas prof. Kunt, në shek.XVII-të ndarja e lobeve, duke u mbështetur në origjinën e përbashkët dhe preardhjen e drejtuesve të perandorisë me shumë gjasë ishte mes shqiptarëve dhe boshnjakëve (perëndimorëve) dhe atyre të krahinës së Kaukazit, abkazët, çerkezët, gjeorgjianët që përfaqësonin krahun “lindor”.
Në shek. XVIII-të i cili nga shumë studiues konsiderohet si shekulli i shqiptarëve në Perandorinë Osmane, lobi shqiptar përveç nëpunësve të nivelit të lartë merr përparësi dhe konsolidon pozitat e tij nëpërmjet feudalëve lokalë, ose siç quhen ndryshe “ajanët”. Mehmet Ali Pasha në Egjipt, Ali Pashë Tepelena në Janinë dhe Kara Mahmud Pashë Bushtalliu në Shkodër sëbashku me disa familje të tjera më të vogla në Kosovë konsiderohen si faktori më imponues për shtetin osman. Këtu nuk përjashtohen edhe “asosacione” më të vogla, që jetonin dhe punonin në qendrën e perandorisë, siç ishin zagoriotët që merreshin me tregti dhe zanate të ndryshme, të cilët, për interesat e tyre lobuan nëpërmjet financimit, që sulltani të dekretonte zyrtarisht Ali Pashë Tepelenën.
Me dobësimin e perandorisë në shek.XIX-të dhe interferimin gjithnjë e më të madh të shteteve europiane dhe Rusisë në shtetin osman nëpërmjet kapitulacioneve dhe marrëveshjeve imponuese, lobi shqiptar humbi terren. Përparësi tani morën pakicat dhe elementët (myslimanë dhe të krishterë) preferencial të fuqive të interesuara. Pavarësisht se në fund të shek.XIX-të ata konsideroheshin si element besnik dhe ishin një nga dy grupimet kryesore në gardën e sulltanit, shkëlqimi dhe fuqia e lobit shqiptar në kuadër të shtetit osman kishte kaluar në plan të pestë…
Please follow and like us: