Mesazhi i shkrimtarit Petro Marko për Kosovën
Petro Marko (Dhërmi, 25 nëntor 1913 – Tiranë, 27 dhjetor 1991) ishte arsimtar, publicist, gazetar dhe shkrimtar shqiptar i shquar. Ai do të vlerësohet për prozën e tij moderniste, duke thyer rregullat e metodës së realizimit socialist, ndonëse krijimtaria e tij është bërë pikërisht në atë periudhë
Petro Marko u lind në fshatin Dhërmi, në Himarë, nga prindët Marko e Zoica. I ati ishte pasuruar nëpërmjet tregtisë së qitros. Por e la të vogël sepse u sëmur gjatë internimit në ishujt e Tirrenit nga italianët. Me të kryer filloren në fshatin e lindjes në vitin 1924, shkoi nxënës në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932. Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilën jepnin mësim dhe shumë mësues italianë.
Pasi kreu shkollën vjen në Tiranë dhe me ndihmën e Hilë Mosit, që asokohe ishte ministër Arsimi, caktohet mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhrovjan të Dropullit. Gjatë kohës së qëndrimit në këtë zonë, pati probleme dhe emigron për herë të parë në Greqi, ku qëndron fillimisht në Korfuz dhe më pas shkon në Athinë, ku kishte të vëllanë, Dhimitrin (Mimon). Atje hyn në fakultetin e letërsisë.
Petro Marko kthehet në Tiranë ku Branko Merxhani dhe Ismet Toto e thërrasin me rastin e hapjes së gazetës “Koha e Re” si organ i qeverisë. Gazeta mbyllet pas pak kohe ndërsa Petro marko shëtit nga një gazetë në tjetrën (“Illyria”, etj.), dhe në vitin 1936 boton revistën “ABC” bashkë me Branko Merxhanin, Dhimitër Godellin, Zavalanin, Migjenin, e cila u mbyll pas numrit të 2-të. Atë e internojnë në Porto Palermo (2 javë) e pastaj në Llogara, k ulirohet me interesimin te Merxhanit e I. Totos. Bashkëpunon në “Përpjekja shqiptare” e B. Merxhanit, të cilën Brankoja kishte me nijet t’ia vinte për antipod “Hyllit të Dritës”. Por largohet pasi Merxhani shkroi artikullin Pse nuk jam marksist i detyruar nga censura e kohës.
Petro Marko largohet sërsh në Athinë dhe më pas merr anijen për në Marsejë dhe prej andej shkon në Albacete ku ishte qendra e Brigadave Internacionale. Bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, shkon për në Kuintanar de la Republica. Merr pjesë në Mbledhjen e Shkrimtarëve Antifashistë në Valencia, ku ishin dhe Ernest Hemingëay, Pablo Neruda, etj. Lëviz nga Estremadura, Aragona, Gondez e mandej prapë në Francë, ku herë në Paris e herë në Grenoble i financuar nga Ndihma e Kuqe Internacionale i veshur me petkun dhe karizmën e interbrigadistit u ngarkua me agjitacionin në rininë universitare të Grenoble.
Shkon në Itali nga fundi i ’39. Pas 1 mijë e ca ditësh kthehet në atdhe sepse Kominterni kishte porositë t’i çonte legalisht ose jo, të gjithë komunistët në vendet e tyre. Kthehet në Dhërmi dhe mendon pajtimin hasmërive me fshatrat e Dukatit. E burgosin në Vlorë, në Tiranë (maj 1940)… mbas marsit 1942 e nisin për Itali, Palermo e Ustikë. Pas çlirimit të Jugut të Italisë nga forcat aleate anglo-amerikane largohet sëbashku me të burgosur të tjerë dhe kalon në zonat e çliruara italiane. Më 1944 arrestohet nga gjermanët nga të cilët shpëton në sajë të mësuesit të gjimnazit, E. Koliqit. dhe po atë vit kthehet në Shqipëri.
Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin ’44 kthehet ne Shqipëri. Pas çlirimit ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës “Bashkimi” në Tiranë nga 1945-1947, ku nga një kontroll i befasishëm i gjejnë shkrime jashtë vijës së partisë, (shkruan se Hysni Kapo e shpëton nga pushkatimi) lirohet më 15 maj 1950. Në vitin 1957 dërgohet mësues në teknikumin “8 Nëntori”. Në vitin 1973 i hiqet e drejta për botim. Në vitin 1975 e fusin në burg të birin, Jamarbërin.
Më 27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni.
Vepra e tij
Filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra qysh në kohët e shkollës në Vlorë. Ministri i Arsimit Mosi do i thoshte Të shkruesh vjersha. Vjersha asht shprehja ma njerëzore e mendimit dhe e zemrës. Shkruan “Një natë e dy agime”, poemat “Nase labi”, “Horizonti në kuletë”, “Parada e të uriturve”, romanet “Kodashi”, “Rrugëve të luftës”; “Nisja pa mbarim”, “Bija e kapitenit”… gjatë kohës kur ishte në Itali. Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhie. Ata që kanë njohur nga afër Petro Markon, kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Pas çlirimit, Petro Marko shkruan romanet “Hasta la vista” (1959) dhe “Qyteti i fundit” (1960). Në vitet ’70 ai do të shkruajë romanin “Një emër në katër rrugë”, ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm “Nata e Ustikës”.
Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara.
VEPRAT
Hasta la vista (1958)
Qyteti i fundit (1960)
Një emër në katër rrugë
Ara në mal – roman
Nata e Ustikës (1989)
Shpella e piratëve- roman
Vepra autobiografike
Horizont – roman
Fantazma dhe plani
Çuka e shtegtarit
Një natë dhe dy agime
Stina e armëve – roman
“Halimi – roman
Shpella e pirateve
Tregime – tregime
Gazetari, mbreti e uria”- roman
Retë dhe gurët – 2000
Ultimatumi – 2002
Tregime të zgjedhura – 2003