+16/Luan Rama: Të gjitha gratë e dashuruara janë të bukura
Detaj i tablosë së Artur Muharremi
—-
“Të gjitha gratë e dashuruara janë të bukura”
– më tha një ditë një plak duke kujtuar të dashurat e tij.
“Si mund të jetë ndryshe, – iu përgjigja,
nga Sulamit tek e dashura më e re
gjithë dashuritë që lindin përkundin botën
e në fund zhyten si diej e përflaken në det
tek ngjizin të tjera jetë”.
Dashuria tyre agimet i bën më të bukura
të kaltrën e qiellit më të thellë
të gjelbrën e pllajave, të madhërishme,
dhe po kështu okrën e diellit mbi sy,
një sonatë dielli e zjarresh
përqafuar nga krahë shiu,
re që vezullojnë mbi njëmijë harqe që i këndojnë Orfeut
dhe një violonçel nderur në fllad
si një shami nusërore që veç endet, s’dihet ku.
E ëmbël kjo dashuri
për të ngrohur shpirtra të tjerë,
të dhimbur, të heshtur,
harruar në zinë e vetmisë.
Ju shpirtra të bukur që të dashurit i ktheni në shenjtë,
ju kortezhe të mrekullisë dhe mistikës,
lëvduar jeni nga poetët e botës,
ju buzë të kantikave më të bukura biblike,
të njomështa, qershiza që pikojnë,
ju jepni veç shpresë dhe shtroni udhë
hapni shtigje
për dashuri vajzash të reja,
shegët e trupit tuaj hapen ngadalë,
të kuqe kardinale që rrjedhin musht,
duar të padukshme ju ngrenë lart
si t’u tregojnë Zotave më të ëmblën dashuri,
më të hirshmen, sensualen,
e denjë për altarin e pjellës
kantikës së kantikave.
Të gjitha gratë e dashuruara janë të bukura
të përkorat gra me aureolën e dashurisë,
me gjinjtë e bardhë, aromë qumështi
që hepohen lehtë në koncertin e madh të pranverës
ku Endërrimtarja e Hendelit i ngre në ajër
në lëndina që nderen në qiell
dhe ju ktheheni në engjëj të bukur
përhumbur në dashuri.
Sa hire e nure mbi tokë,
pikturuar nga dora e një Botiçeli, Ticiani, Modiliani,
hire të ngjizura në bardhësinë e telajos
të bukura dhe të etura gjithnjë,
flokë të pushpurisura kudo e në çdo kohë
në brezare e fusha të dëshirës,
në shtretër të drunjtë fshatrash të largët,
mbi çarçafë të bardhë të botës alpine
aromë sherebeli
mbuluar e zbuluar nga afshet e përgjërimit.
Ju gra të dashuruara që rendni si sorkadhe
veç zogj ju ndjekin pas
tek rrahin flatrat në delir,
ju krijesa të mallit që gjithnjë nxitoni
drejt shesheve të dashurisë,
dëshira në strehëza mjalti,
lëshuar e shtrirë si lotuese
për t’u puthur gishtërinjtë dhe këmbët,
supet, ijet e barqet
si në një tablo të Klimt,
nenyfarë ëndërruar nga Monet
në pritje të gëzimit sublim
në përhumbjen e trupit dhe portat hapur
duke harruar perënditë:
kështu dhe ju vetë ktheheni në hyjni.
Të gjitha gratë e dashuruara janë më të bukura
se statujat e zhveshura të antikitetit
Praksiteli do të zgjohej i mahnitur
nga dashuria dhe ethet tuaj.
Dhe gjaku i nxehtë nxiton
gjer në buzët e hapura e të purpurta,
gojë më gojë
e frymë më frymë,
gjinjtë ju fryhen nga limfa e epshit dhe e dëshirës
si në sytë e mbyllur të Madalenës së Caravaggio-s,
të gjitha ju gra të dashuruara jeni të bukura,
punëtore të tokës, mjelëse, rrobalarëse,
zonja të penës, artit, shkencës,
njëlloj të bukura, përshkëndritur nga dashuria
tek shtriheni në hije vreshtash për të humbur kujtesën.
Po, i dua të gjitha gratë e dashuruara
cilatdo qofshin,
dua të purpurtën e shpirtit të tyre,
gjakun që rend dhe britmën e lehtë të gëzimit,
dihatjen e ekstazës,
dua ecjen e shpenguar dhe fustanet e hapura
që tunden në fllade dashurie,
ashtu të dashuruara
ata kthehen në shpendë mitikë e hyjnorë
mbi çatitë e botës,
shkojnë, dehen e kthehen sërish,
duke harruar se çfarë dite e stinë është,
në sytë e tyre bota të shfaqet ndryshe,
reflekse në një mijë pasqyra
me diej të nxehtë që të drithërojnë
dhe hëna që shkëlqejnë si liqene të argjendta
që të lënë pa frymë…
Të bukura jeni gjithnjë ju gra të dashuruara
që në gjenezën tuaj!
————