Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: FJALA E LIRË DHE MANIPULIMI I SAJ



Njeriu ka një vëllim të caktuar mendimi, i cili gjendet brenda inteligjencës që e dallon atë në ekzistencë. Mendimi nuk është flakë por bëhet si flaka, nuk është as shkëmb por bëhet si shkëmbi, nuk është as ujë, por bëhet si uji që rrjedh e mbush dete e oqeane.
Shpirti njerëzor ka nevojë për këtë ushqim-mendimi, i cili bëhet rrënjë ku mbahen fort ato vlera, të cilat e shquajnë çdo qenie njerëzore kur shprehet, kur flet, kur artikulon brenda sjelljes dhe veprimeve të tij.
Sot të artikulosh një mendim, tregon se si je ushqyer në vlerë njerëzore, por vlerat as nuk shiten dhe as nuk blihen në tregun e oportunistëve apo edhe të manipulatorëve të fjalës, të cilët janë kthyer në matrapazë të rëndomtë, duke stimuluar kështu, krijesa me afat të shkurtër dhe jo të gjatë prodhimi. Këto krijesa që shesin atë çfarë ju ofrojnë, quhen skllevër të fjalës, e cila e ndryshon kuptimin e saj, duke pasqyruar kështu në tezgën e tregut manipulativ, atë shtresë shoqërie, e cila tregton “mallra konsumi” si debate, analiza, konsulenca etj, gjoja në emër të fjalës së lirë. Por nuk mund të themi se fjala është e lirë kur mendimi është manipulativ dhe i shitur. Nuk mund të themi se mendimi i cili e ka burimin tek manipulimi i fjalës së lirë, është ai që duhet të ushqejë masën që e dëgjon dhe e konsumon si ushqim shpirtëror këtë fenomen.
Vlera e njeriut bazën e ka jo tek manipulimi i ligjit, por tek zbatimi i ligjit, brenda të cilit buron vlera e shpirtit njerëzor. Fjala ka peshë kur mbështetet fort brenda kësaj vlere, prej së cilës ushqehen breza dhe gjenerata që do të trashëgojnë jetën.
Ushqimi shpirtëror është tregues që ve në dukje shëndetin mendor të çdo njeriu. Fjalimet, debatet konsiderohen shterpë, nëse nuk mbështeten brenda vlerave, të cilat e bëjnë njeriun të denjë në shoqëri.
Bukuria e fjalës është kurorë e mendimit, e kjo kurorë nuk thurret me manipulime mendimesh. Çdo njeri meriton të quhet i denjë në shoqëri kur udhëhiqet nga forca e këtyre vlerave, të cilat na tregojnë, se si duhet të mbështetemi fort tek ligji, i cili nuk të rrëzon kurrë në rrugën e jetës.

17 Prill 2024.

Please follow and like us: