Albspirit

Media/News/Publishing

Gazetarja amerikane Kurmasheva, gjashtë muaj në paraburgim në Rusi

Russian-American journalist for Radio Free Europe/Radio Liberty (RFE/RL) Alsu Kurmasheva, who is in custody after she was accused of violating Russia’s law on foreign agents, attends a court hearing in Kazan, Russia, February 1, 2024. REUTERS/Alexey Nasyrov

Për afër 25 vjet, Alsu Kurmasheva ka punuar si gazetare në Shërbimin tatar-bashkir të Radios Evropa e Lirë.

Por, gjashtë muaj më parë, siç tha ajo, “për një çast, gjithçka u shndërrua në krim”.

Ai moment ndodhi pikërisht më 18 tetor kur Kurmasheva, me shtetësi ruse dhe amerikane, u arrestua në Kazan dhe u akuzua se kishte dështuar që të regjistrohej si agjente e huaj në bazë të ligjit ndëshkues rus që ka për cak gazetarët, aktivistët e shoqërisë civile dhe të tjerët.

Më vonë, ndaj saj u ngrit edhe akuza e përhapjes së informacioneve të rreme për ushtrinë ruse dhe nëse gjendet fajtore, mund të dënohet deri me dhjetë vjet burgim.

Radio Evropa e Lirë dhe Qeveria amerikane kanë thënë se akuzat ndaj saj janë hakmarrje për punën e saj si gazetare në REL. Ajo kishte udhëtuar për në Rusi për t’u përkujdesur për nënën e saj të moshuar dhe fillimisht ishte ndaluar teksa po priste avionin e kthimit në aeroportin e Kazanit më 2 qershor, kur iu konfiskuan pasaportat.

“Më 18 tetor të vitit të kaluar, unë u burgosa në akuza që në kokën time ende nuk kanë kuptim”, shkroi ajo në një mesazh të publikuar së fundi nga një revistë mujore në gjuhën tatare në Kazan.

Kurmasheva, e cila jeton në Pragë së bashku me bashkëshortin e saj, Pavel Butorin – i cili po ashtu punon në REL – dhe me dy vajzat e tyre të moshës 12 dhe 15 vjeç, ka thënë se kushtet në burg janë të këqija dhe se po i përkeqësohet shëndeti, teksa nuk ka qasje në trajtime mjekësore.

Alsu shkroi se “disa sëmundje janë intensifikuar”, por ilaçet dhe stërvitjet e rregullta “më japin forcë që të qëndroj dhe të duroj dhimbjen”.

“Ajo po mbahet në kushte çnjerëzore për faktin e vetëm që është amerikane”, tha Butorin.

“Dua që Qeveria ruse ta na e shpjegojë, mua dhe fëmijëve të mi, pse saktësisht Alsu po mbahet peng. Ajo nuk është politikane opozitare. Ajo nuk është aktiviste. Ajo nuk është kriminele. Paraburgosja e saj është e gabuar. Ajo s’e ka vendin në burg”, shtoi ai.

Shumë kritikë dhe grupet për të drejtat e njeriut thonë se i ashtuquajturi ligji për agjentët e huaj përdoret nga Kremlini për ta luftuar disidencën.

Moska është akuzuar gjithashtu edhe për paraburgosjen e amerikanëve për t’i përdorur ata pastaj për shkëmbim me të burgosur rusë në Shtetet e Bashkuara.

“Autoritetet ruse po bëjnë një fushatë kriminale kundër Alsu Kurmashevës, e cila është ndaluar gabimisht”, sipas presidentit të Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus.

Kurmasheva është gazetarja e dytë amerikane e arrestuar në Rusi, prej se Moska e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, ishte arrestuar marsin e vitit të kaluar dhe po pret nisjen e gjykimit nën akuza për spiunim, që ai, gazeta ku punon dhe Qeveria amerikane i mohojnë fuqishëm.

Në shkurt, 23 vende e nominuan Kurmashevën për Çmimin Botëror të Lirisë së Shtypit të UNESCO/Guillermo Cano 2024.

Çmimi, i krijuar në vitin 1997, është një çmim vjetor që nderon një person ose një grup njerëzish që japin një kontribut “të shquar” në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shtypit në të gjithë globin, pavarësisht nga “rreziku dhe persekutimi” me të cilin përballen.

Për Kurmashevën, çmimet janë diçka për të cilën ajo ka shumë pak kohë për t’u përqendruar.

Synimi i saj, thotë ajo, është i thjeshtë: “Dëshira ime më e madhe është të dal nga këtu gjallë dhe shëndosh e mirë”.

Please follow and like us: