Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Veterani i përkushtuar Zilfo Latifi
Historia familjare dhe veterani
Zilfo Latif Zilfo ka lindur në Picar të Gjirokastrës më 20 janar 1928, në një familje fshatari të mesëm dhe familje me tradita patriotike. Siç vjen nga historia familjare një djalë i fisit Zilfo, mori emrin e stërgjyshit Zilfo. Në Labëri, në jetën shoqërore dhe të përditshme, zakonisht familjet njiheshim dhe mbanim për mbiemër emrin e gjyshit. Kjo ndodhte dhe në shumë raste të ngjashme edhe Picar, ku djemtë mbanin për mbiemër emrin e babait. Ishte kjo një normë që praktikohej edhe në Picar. Kështu babai, për pasojë edhe ne, në dokument, rezultonim me mbiemrin Zilfo, porse në jetë dhe në shoqëri thirreshim me mbiemrin Latifi, ashtu si i jati i tij (im gjysh] thirrej Latif Shaqo dhe duke zbritur më poshtë Shaqo Zilfo dhe një brez me poshte Zilfo Zilfo.
Të parët Latif Zilfo dhe Zalo Zilfo (Imaj) lindën 8 fëmijë, nga të cilët vetëm katër jetuan dhe u rritën. Edhe një fakt u ndanë në vllezëri në familje, Lafifit i ra shtëpia më e vogël dhe kopeja më e madhe. Zilfo fëmijërinë e kaloi në Picar, ku ndihmoi prindrit në pubët blegtorale dhe në tokat e pakta bujqësore që kishin. Lufta kishte mbritur deri në Picar. Shumë nga bijtë dhe bijat e tij ishin të angazhuar në këtë luftë masive. Edhe pse ishte i vogël u përfshi edhe Zilfo, i cili fillimisht u angazhua në fillimi i vitit 1944 në komandën e vendit të Fushëbardhës që varej nga Grupi I i Kurveleshit, të Zonës së Parë Operative, duke kryer detyra si korier dhe trasportim të materialeve luftarake për forcat partizane. Në fund të majit 1944 u rreshtua partizan në Brigadën XII Sulmuese dhe mori pjesë në të gjitha luftimet e saj.
Pas çlirimit të vendit Zilfo, vijon studimet, si dhe ishte pjesë e Brigadës VII të Mbrojtjes së Popullit, që vepronte në rrethin e Sarandës, dhe më pas kaloi në Policinë e Gjirokastrës në vitin 1950. Fillimi i vitit 1951 e gjen në detyrën e sekretarit dhe kryetarit të Lokalitetit të Kardhiqit, më pas në detyrën e sekretari të Komitetit Ekzekutiv dhe të Komitetit të Partisë të Rrethit Gjirokastër.
Në vitet më pas ai gjendet në detyra partie dhe të administratës në rrethin e Gjirokastrës. Në vitet 1960-1963 kryej studimet në shkollën e Lartë të Partisë në Tiranë dhe pas studimeve kryen detyra në në aparatin e Partisë të rrethit Gjirokastër dhe sekretar i Komitetit të Parisë të Zonës së Kardhiqit. Në vitet 1975-1980 kryen detyrën e kryetarit në Kooperativën Bujqësore të Bashkuar “Asim Zeneli”. Në vitet ’80 të shek. XX kryen detyrën e sekretarit në Organizatën e Frontit Demokratik të Shqipërisë, për rrethin Gjirokastër dhe në vitin 1988, del në pension.
Gjatë gjithë kësaj periudhe intesive ai ka kryer mjaft detyra shoqërore si anëtar i plenumit dhe i byrosë së rrethit, anëtar i këshillit popullor të rrethit dhe anëtar i kryesisë të Frontit Demokratik etj. Pas dalje në pension ka milituar në Organizatën e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, për Gjirokastrën, duke kryer detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës.
Përkushtim ndaj Organizatës së Veteranëve
Zilfo Latifi ka shkruar për mjaft shokë të luftës dhe të punës, për veteranë, për ngjarje historike të luftës, dëshmorë dhe për punën e organizatës në përkujtimin e tyre. Gjatë gjithë kësaj kohe ai punoi me dokumentacionin, ku secili veteran të kishte dosjen e tij të cilat ndihmuan në marrjen e statusit të veteranit. Ishte kjo një punë e realizuar me mjaft kujdes dhe përgjegjësi, një punë voluminoze vullnetare e bërë me shumë kujdes dhe me një dokumentacion mjaft të saktë dhe të pasur.
Në zyrë dhe në shtëpi Zilfon e gjeje pranë makinës së shkrimit duke daktilografuar materiale të shumtë që i duheshin organizatës së veteranëve. Ai do të bënte mjaft kujdes në çdo gërmë e fjalë që shkruhej për certifikata vlerësimi, motivimi, tituj nderi që u jepeshin ish-luftëtarëve antifashistë, veteranëve në festa e përvjetorë të Brigadave Sulmuese, të ngjarjeve kulmore të LANÇ-it etj. Kontributi i tij në organizatë ishte i pranishëm kudo, i palodhur dhe këmbëngulës në respektimin dhe vlerësimin e figurës së veteranit të luftës.
Ai punoi me shpirt për Organizatën, për Gjirokastrën dhe për Picarin e tij të shtrenjtë. Në të gjithë jetën e tij, por sidomos në kohën e pensionit, u shqua ndër të tjerë si një aktivist i përkushtuar, i devotshëm, i palodhur dhe i papërtuar në detyrën e sekretarit të komitetit të organizatës së veteranëve në Gjirokastër, ku “zyrën e kishte kthyer në shtëpi dhe shtëpinë e kishte kthyer në zyrë”.
Zilfo Latif Zilfo pati një jetë të ngjeshur punë, një jetë shoqërore, të mbushur me aktivitet dhe me kontribute të dukshme, duke u nisur nga lufta çlirimtare dhe deri në detyrën me lavdi të sekretarit të Organizatës së Veteranëve të Gjirokastrës. Jeta e këtij veterani plot vlera na flet dhe sot për një veprimtari dhe përkushtim shoqëror, për një nderim të përhershëm për ata që na sollën lirinë. Vëllimi i dosjeve dëshmojnë për një jetë të gjallë dhe plot kultur, plot dinjitet, për t’u lënë brezave gjithçka të shkruar dhe të sistemuar.
Kujtimet e shokëve për veteranin
Në libër janë plot 16 shkrime me kujtime për veteranin model të thëna nga shokë në vite. Miftar Thana është shprehur se “Zilfoja me gjithë veprimtarinë e tij rreshtohet ndër ata politikanë dhe atdhetarë që i kanë shërbyer kombit dhe ne si picariot krenohemi me këtë burrë të nderuar…”. Ndërsa veterani i librave Sevo Tarifa në shkrimin e tij për “Zilfon e palodhur, punëtorin e partisë, të rinisë e të pushtetit, picariotin dinjitoz, të ndershëm, serioz” e portretizon figurën e tij si një brez i artë.
Gazetari i mirënjohur dhe telekronist i RTV Gjirokastra, Ëngjëll Fino e vendos Silfon si “simboll i atdhetarizmit e intelektualizmit picariot” dhe “mes saktificave e vështirësish, kanë vënë me punë e kontributin e tyre interesat e kombit”. Elmaz Puto ka shkruar se ai “mbeti në memorien time dhe të gjithë atyre që e patën njohur nga afër, si modeli i kuadrit të thjeshtë, të ndershëm, të lidhur ngushtë me popullin dhe modeli i labit të zgjar”. Ndërsa Çerçiz Veipi ka thënë se ishte “një burrë lab buzagas e fjalëëmbël, burrëror e me karakter të fortë, fytyra gjithmonë e qeshur dhe asnjëherë e ngrysur dhe e mërzitur, paraqisnin optimizmin e tij..”. Mësuese Mineko Labi e ka përshkruar se “ai i njihnte mirë problemet e njerëzve, jetonte me to dhe përpiqej dhe dinte të gjente zgjidhje pozitive…”. Për vyrtitet e tij, Kristofor Muka ka theksuar se “ngelet njeri potencial dhe i përkushtuar… ishte i urtë, por shumë i zgjuar. Duronte, por edhe shpërthente. Kujdesej në detaje në marrëdhënie me njerëzit…”. Mudeir Llaziku për veteranin shprehet se “ndihmoi për rritjen e veprimtarive dhe aktiviteteve dhe të gjithë veteranët e kujtojnë me respekt dhe dashuri…”. Kryetari i Organizatës së Veteranëve në bashkinë Gjirokastër, Shkëlqim Guçe ka theksuar se “ai ishte një nga veteranët e lavdishëm që me shembullin e tij lidhte idealet progresiste të dy epokave”. Me admirim për punën dhe kontributin e Zilfos janë shprehur dhe Halil Bilaj, Zabit Hida, Kujtim Puto, Izmet Guçe, Kosta Koruni, Zabit Ahmetaj, Kastriot Hadëri etj.
Shkrime të veteranit për patriot, heronj dhe dëshmor
Libri ka përzgjedhur dhe një kolanë nga shkrimet të Zilfo Zilfos që flasin për përkujtimin e heronjve, të dëshmorëve dhe të veteranëve në vite. Zënë vend në këto shkrime materialet e përgatitura për militantin dëshmor Lato Braho, në 55 vjetorin e rënies, për veprimtaren Beje Mero, një studim për kontributin e Picarit në LANÇ në vitet 1939-1944, për mësuesin Sejat Bihuci që hapi tri shkolla të para shqipe në Labëri, shënime udhëtimi tek fqinjët grekë me ftesë të Komitetit të Rezistencës së popullit grek në Janinë, etj.
Veterani në sytë e familjarëve
Libri vijon me kujtime të përzgjedhura të bashkëshortes Nelo Peçi Zilfo, vijon me shkrimin “Babai im, një epope” të Katjushka Pogaçi Zilfo e cila është dhe autore e librit “Shokët për shokët”.
Libri i autores është shkruar me ndjenjë dhe me shumë përkushtim për të dalë në dukje disa nga cilësitë që karakterizuan në jetë Zilfo Zilfon, që ishin burrëria, pastërtia, ndershmëria, trimëria dhe mirësia. Kryesore dhe vend nderi në libër është se vendi dhe roli i veteranit në familje dhe në jetën e përditshme janë të pazëvendësueshëm dhe plot thesare. Këtë e ka arritur ta zbërthejë e bija në rreshtat e këtij libri disi të veçantë dhe të mbushur me vlera njohëse të një veterani të LANÇ-it.
Është shumë pozitive që jeta e një veterani përmblidhet në një libër të thjeshtë, qoftë familjar, qoftë dhe shoqëror por edhe më tej, për t’u treguar brezave jetën që është bërë dhe jetuar prej tyre, me ngjarje, me vështirësi, me guxim, me ndërgjegje për punën plot përkushtim. Libra të tillë kanë mesazhe dhe janë vlera për shoqërinë tonë, ajo që mbetet është se ne duhet t’i lartësojmë këto vlera në jetën e përditshme, në rrethet familjare e shoqërore, në jetën e organizatave të veteranëve dhe të dëshmorëve, për vlerat dhe mesazhet që na përcjellin.
Autorja me guxim ka shkruar për babanë, që është tepër e vështirë sot, në këtë kohë që jetojmë, e që dëgjojmë dhe shohim gjëra nga më të ndryshmet…por libri bën dhe një thirrje të heshtur për të nderuar dhe respektuar të moshuarit, në mënyrë të veçantë veteranët që ka dhënë kontribut të çmuar dhe madhor në luftë dhe në punë. Për këto vlera ka nevojë familja, shoqëria dhe Shqipëria dhe jo për antivlera që po dominojnë në shoqërinë e sotme. E vlerësoj autoren për respektin e shfaqur ndaj babait të saj, por dhe ndaj veteranëve që ju ka kërkuar ndihmë për të jetësuar edhe pas vdekjes një veteran të nderuar dhe model…