Albspirit

Media/News/Publishing

REL: SHBA-ja vendos sanksione të reja kundër Iranit

Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten se kanë vendosur sanksione të reja kundër Iranit. Cak i sanksioneve është prodhuesi iranian i dronëve, pas sulmit të Iranit kundër Izraelit në fundjavë.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së tha në një komunikatë për media se sanksionet e reja janë vendosur kundër 16 individëve dhe dy subjekteve, të lidhur me prodhimin e dronëve të Iranit, përfshirë prodhimin e motorëve të dronit Shahed të Iranit, i cili u përdor për ta sulmuar Izraelin më 13 prill.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha në një komunikatë se i kishte kërkuar vetë Thesarit amerikan “të vazhdojë me vendosjen e sanksioneve të cilat do t’ia dobësojnë edhe më shumë Iranit industritë ushtarake”.

“Ta kenë të qartë të gjithë ata që i mundësojnë apo mbështesin sulmet e Iranit, ne nuk do të ngurrojmë të ndërmarrim veprime të nevojshme për t’i mbajtur ata përgjegjës”, tha Biden.

Thesari theksoi se do të vendoste sanksione edhe kundër pesë kompanive në juridiksione të shumta, të cilat i ofrojnë kompanisë së Iranit, Khuezetan Steel Company, materiale përbërëse për prodhimin e çelikut.

Cak i sanksioneve, sipas komunikatës, janë edhe filialet e prodhuesit iranian të automjeteve, Bahman Group, për të cilin tha se i kanë mbështetur materialisht Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).

Edhe Britania e Madhe ka vendosur sanksione kundër disa organizatave ushtarake iraniane, individëve dhe subjekteve të përfshira në industrinë e Iranit për prodhimin e dronëve dhe raketave balistike, sipas komunikatës.

Kjo vjen pas një takimi të ministrave të Financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të industrializuara, G7, të cilët thanë të mërkurën se do siguroheshin për “bashkëpunim të ngushtë për masat e ardhshme për t’ia rrënuar aftësitë Iranit për sigurimin, prodhimin apo transferimin e armëve për mbështetjen e veprimeve përshkallëzuese në rajon”.

Edhe liderët e Bashkimit Evropian vendosën të mërkurën t’i rrisin sanksionet kundër Iranit, pas sulmit të tij kundër Izraelit, i cili ka shkaktuar shqetësime për shpërthimin e një konflikti të gjerë në Lindjen e Mesme.

Irani tha se e kreu sulmin e 13 prillit si hakmarrje për sulmin e dyshuar izraelit ndaj një konsullate iraniane në Siri më 1 prill.

Izraeli është zotuar se do t’i përgjigjet sulmit të Iranit, pa treguar se si dhe kur.

Irani ka thënë se cilëson këtë çështje të mbyllur, por ka paralajmëruar se, në rast të hakmarrjes “qoftë edhe më të voglën” në territorin iranian, përgjigja e tij do të ishte “e jashtëzakonshme dhe e ashpër”.

Please follow and like us: