Lazim Destani dhe Nazmi Jakurti, takime vëllazërore me shqiptarët e Kroacisë
Kryetari i Nderit i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, njëherit dhe Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës me seli në Tiranë, Dr. Lazim Destani dhe Kryetari i Lidhjes Shqiptare në botë, juristi i mirënjohur nga Zvicra, z. Nazmi Jakurti, ndodhen për një vizitë triditëshe në Kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb.
Dje dhe sot ata kanë zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Kroaci.
Fillimisht ata vizituan Qendrën e Unionit të Shqiptarëve të Kroacisë dhe selinë e Lidhjes Shqiptare në Botë, ku u pritën nga Nënkryetari i Unionit z. Agim Gjidoda dhe nga Kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë për Kroaci, z. Sahit Tashevci dhe Nënkryetari z. Rrok Lekaj. Në takim ishin të pranishëm edhe dy ambasadorët shqiptarë, Shkëlqesia e Tij z. Riza Poda, Ambasador i Shqipërisë në Zagreb dhe Shkëlqesia e Tij z. Milaim Fetai, Ambasador i Maqedonisë së Veriut në Zagreb si dhe disa afaristë të suksesshëm shqiptarë të Kroacisë.
Zoti Destani dhe z. Jakurti i bënë një vizitë në shtëpinë e tij, patriotit të madh, z. Simon Kuzhnini, themelues dhe tani Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në botë. Në mbrëmje, Kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë për Kroaci, z. Sahit Tashevci shtroi darkë për të pranishmit.
Në ditën e dytë, z. Lazim Destani dhe z. Nazmi Jakurti u pritën në takime të ndara në tri ambasadat tona në Zagreb, në Ambasadën e Shqipërisë nga Sh.T. Ambasadori Riza Poda, në Ambasadën e Kosovës, nga Sh.T. Ambasadori Martin Berishaj dhe në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut, nga Sh.T. Ambasadori Milaim Fetai.
Pastaj ata vizituan Qendrën Informative dhe Kulturore të Maqedonisë së Veriut në Zagreb, për ta parë ekspozitën e piktorit tonë të mirënjohur nga Gostivari Prof. Reshat Ameti. Në vazhdim mysafirët takuan shumë personalitete të shquara shqiptare të Kroacisë nga fusha e biznesit, kulturës dhe shkencës.
Sot, në ditën e tretë janë paraparë edhe shumë takime me individë dhe përfaqësues shoqatash të ndryshme shqiptare në Kroaci.