Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: DASHURIA PËR FJALËN E BUKUR

Shire Dhima vjen për lexuesin shqiptar me një vepër të re poetike titulluar “Do ulem mbi vetull të diellit”…
Në poezinë e saj ndjehet dashuria për artin e bukur të fjalës, të cilit di t’i bëjë përdorim të mirë, duke na dhënë kompozime të frymëzuara dhe të shkruara me dorë të shpenguar. Ku përzihet e mira me të keqen, realiteti me fantazinë dhe ku metaforat jo rrallëherë sundojnë strukturën e ngjeshur poetike dhe ëmbëlsojnë poezinë. Edhe figurat e shumta letrare të qëmtuara me kujdes e shije zënë një vend të rëndësishëm brenda vargjeve.
Ky është libri i dytë i autores, por mënyra sesi shkruan flet për një eksperiencë të thellë, gjë që mendojme se poezinë ajo do e ketë ushtruar prej shumë vitesh , por së fundmi ka gjetur kohen dhe mundësinë e botimit.
Ajo që bie në sy është edhe një lloj ekspresionizmi që i vesh vargjet me forcë dhe gjallëri, të ngjyera herë- herë në majat e surrealizmit. Duket sikur bota e magjisë e ka pushtuar zemrën e saj, dhe ashtu sikurse bora fjolla fjolla, derdhet nëpër vargje duke i skalitur me daltën e metaforave te gjetura me mjeshtëri.
Duke shfletuar librin do t’ju duket vetja sikur keni hyrë në një kopsht të lulëzuar. Ku poezitë si pemë që kanë lidhur kokrrat e tyre ju ftojnë ti shijoni e ti prekni me gishtërinjtë e imagjinatës. Çdo poezi është sikurse një guvë apo shpellë e fshehtë ku fshihen vajza të bukura, heronj, kalorës të dashuruar, por edhe bisha me fytyre njeriu, perendi të harrimit e vdekjes, monstra e shtriga me fshesat magjike në dorë.
Çdo poezi është si përjetim përralle, të shtyn drejt të bukurës dhe ideales. Dhe poetja Shire Dhima e njeh më së miri këtë shije , e ia dhuron lexuesit me tepri dhe bujari.
Savona 29. 3. 2024.

 

Please follow and like us: