SHKOLLA E XHANDARMËRISË NË GJIROKASTËR, E PARA NË SHQIPËRI
(Në 105-vjetorin e themelimit të shkollës së parë të xhandarmëri/policisë së Gjirokastrës 1919-2024, me programe e instruktorë të Karabinerisë, me përvojë në fushën e policimit në Italinë fqinje)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Gjirokastra e arsimimit, kulturës dhe shkollës së parë të Xhandarmërisë në Shqipëri
Një poet gjirokastrit e përcakton qytetin e gurtë në limitet e dashurisë njerëzore: “Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra”. Duke hulumtuar në dokumentat e fillimshekullit të kaluar, rezulton se Gjirokastra, qyteti i aristorkrat ka pasur etjen për dituri, arsim e kulturë, por edhe për rend, qetësi e siguri publike. Kështu rezulton se e para shkollë e Xhandarmërisë, me funksione policore në Shqipëri është hapur në fillim të vitit 1919 në Gjirokastër. Kjo dokumentohet edhe përmes fotove të gjetura në Gjirokastër nga koleksionisti i njohur gjirokastrit Girando Koti dhe Konsulli i nderit të Italisë në Gjirokastër Teodor Bilushi.
Në “Ballafaqime politike” të Sejfi Vllamasit, është viti 1916 kur autoritetet italianë krijuan Milicinë e Gjirokastrës me dy rregjimente me nga tre batalionenjë forcë prej 2800 vetësh nën komandën e gjeneral Ferreros, Çdo njësi milicie drejtohej nga një major italian dhe një nënkomandat shqiptar, ku nga shqiptarët ishinKasëm Radovicka, Riza Cerova, kapiten Zef Pali, kapiten Halo Kuci. Në gati dy vite oficerët e nënoficerët shqiptarë ishin trajnuar në Itali dhe ishin inkuadruar në milicinë shqiptare në Gjirokastër dhe zonën e vet të pushtimit, ku nga 45 oficerë nëntë prej tyre ishin oficerë akademikë. Gjithë organizimet e Xhandarmërisë dhe milicisë shqiptare në këtë periudhë lidheshin me Urdhërin e Komandës së Lartë të Forcave italiane në Ballkan që mban datën 19.1.1919, që hyri në fuqi si dekreturdhër më datën 15.2.1919. Këtu përfshihej edhe spektri i kurseve e trajnimeve të përbashkëta italo-shqiptare. Prurjet dokumentare dhe fotografike nga Gjirokastra, Shkodra, Vlora, Korça, Burreli, AQSH, AQSHF, etj., janë vlerë për themelet e arsimit të xhandarmërisë dhe policisë në fillim të shekullit të kaluar. Të dhënat për Shkollën e parë të Xhandarmërisë dokumentohen dhe përmes fotos së parë në kalanë e Gjirokastrës, për 120 kursantët e parë të drejtuar nga instruktorë italianë të Karabinerisë, por dhe shqiptarë, një përvojë e shkollave më të përparuara të perëndimit. Kursantët e parë të shkollës së Xhandarmërisë ishin gjirokastritë kryesisht nga fshatrat përreth, por edhe nga Delvina, Tepelena e Përmeti.
Në Gjirokastër dokumentohet gjithashtu aktiviteti i shkollës së Xhandarmërisë që në pranverën e vitit 1919, shkollë e hapur përpara shkollave të tjera në Shqipëri. Nga ana tjetër është edhe një fakt interesat, se edhe sheshi “Çerçiz Topulli”, rrëzë kalasë përpara se të merrte këtë emër të madh të historisë shqiptare quhej: “Sheshi i Xhandarmërisë”. Ky ishte sheshi historik dhe më kryesor i qytetit të Gjirokastrës, që pas përgatitjes nga Odhise Paskali (ishin kontaktuar edhe skulptori italian Givera dhe skulptori vjenez Bildshauer Perseshuer) dhe vendosjes së monumentit të Çerçiz Topullit më 1934, ndërkohë që emërtimi i sheshit “Çerçiz Topulli” ishte bërë pas Luftës së Vlorës, më qershor 1922. (Monumenti që kushtoi 3600 franga ari u ngrit me kontributin e gjirokastritëve nën drejtimin e kryetarit të bashkisë Sami Kokalari, si dhe u përurua më 18.3.1934). Sheshi i “Xhandarmërisë” (Policisë) u emërtua sheshi “Çerçiz Topulli” në qershor 1922 me nismën e Veli Hashorvës dhe Javer Hurshitit. Ideja e bustit ishte hedhur nga gazetari shqiptaro-amerikan Xhevat Kallajxhi, kur kishte vizituar statujat e mahnitshme italiane më 1927.(Revista “Minerva” e Nebil Çikës 15.5.1934). Rol luajtën edhe gazeta Demokratia si dhe Beso Gega, Galip Çano, Xhevat Kallajxhi, Vasil Lito, Aleks Çeçi, Xhevdet Xheneti, Sami Kokalari, Foto Tola, Elmaz Hajdëri dhe Bame Mezini. Shatorja është qëlluar nga një ushtar italian gjatë pushtimit italian gjatë LIIB. Pranë bashkisë, shtatores 2.6 m e lartë prej bronxi të Çerçizit, në ish-sheshin e Xhandarmërisë funksiononte lokali i njohur “Shqipja”, që më vonë do emërtohej edhe “Bela Venecia”. Por përtej etiketimeve të xhandarmërisë emri i dëshmorit dhe heroit të kombit Çerçiz Topulli do të bëhej nderi, krenaria dhe pjesa më e njohur e qytetit të Gjirokastrës bashkë me kalanë, kalldrëmete shtëpitë e njohura të qytetit të gurtë. “Qyteti dhe kalaja e ergjëntë duket se kanë dalë nga mali.. dhe një zgjatim labirintik i malit”, ose sikurse e quante Dervish Mehmet Zilli (Evlia Çelebi 25.3.1611-1682) më 1672: “Kalaja e Gjirokastrës është një kështjellë e pashembëllt”. Objekti i këtij shkrimi është pikërisht fillesat e arsimimit të Xhandarmërisë dhe të trajnimit të trupave xhandare si dhe atyre të xhandarmërisë me funksione policore. Megjithëse gjatë pushtimit osman kanë ekzistuar në Shqipëri si policia dhe xhandarmëria me detyra të ndara dhe me pika takimi midis tyre.Me vendim të QPVmë mbledhjen e 13.1.1913 e shkruar në osmanllisht në pikën I. Është shkruar “ësëhtë e nevojshme të bëhet një reformim në çështjet e financave dhe në ato të qetësisë publike” dhe në pikën II “Organika e xhandarmërisë dhe pagat”… “..ky organizëm do të vihet në zbatim më 1.2.1328/14.2.1913”.(AQSH, Fondi 254/II, 1912, Dosja 69/1 origjinali në osmanllisht dhe përkthim në shqip).
Pas Shkollës së Xhandarmërisë së Gjirokastrës edhe si nevojë e domosdoshmëri e kohës, vëmendja e elitës intelektuale shqiptare, dhe veçanërisht pas Kongresit të Lushnjës e Luftës së Vlorës, rithemeluan institucionet shqiptare, që në këndvështrimin historik mund ta quajmë dhe pavarësia e dytë e Shqipërisë. Edhe pse ka pak të dhëna dokumentare e fotografike përsëri është e njohur se në truallin gjirokastrit, vendit që është i etur për arsim, kulturë e dituri u themelua Shkolla e Xhandarmërisë që përgatiti, trajnoi dhe formoi plotësisht një trupë xhandarmërie të njohur, megjithë kufizimet e kohës nën pushtim. Kursantët kishin një trupë instruktorësh të Karabinerisë italiane si dhe oficerë shqiptarë që kishin mbaruar studimet në Turqi ose në shkollat e Perëndimit. Kursantët ishin prurje rajonale nga Gjirokastra, Libohova, Delvina, Tepelena e Përmeti. Përzgjedhja ishte veçanarisht për parametrat truporë. Pavarësisht se kohëzgjatja e shkollës së parë të Xhandarmërisë me funksione policore nuk ishte shumë jetëgjatë, ajo është një ndër gurëthemelet e arsimimit të Xhandarmërisë dhe policisë në Shqipëri. Shkolla e Xhandarmërisë së Gjirokastrës u pasua me hapjen e shkollës së xhandarmërisë në Vlorë dhe më tej me Shkollën e xhandarmërisë së Tiranës të hapur më 5.6.1919. Shkolla e Tiranës drejtohej nga major Ali Shefqeti dhe më pas nga major Ismail Haki Kuçi.
*
Përpjekjet e para të arsimimit policor. Qetësia dhe rendi publik parësore
Në luftrat ballkanike dhe në Luftën e Parë Botërore, Shqipëria ishte bërë shesh lufte ku shkeli këmba e mbi 250 mijë ushtarëve të shtatë ushtrive: italianë, austro-hungarezë, francezë, bullgarë, grekë, malazezë e serbë. Struktura e parë që në qeverisjen e Ismail Qemalit kreu funksione të rojes, xhandarmërisë e policisë por dhe të gardës ishin 400 luftëtarët shqiptarë të ardhur nga Kosova. Nuk është e rastit që Ismail Qemali i kërkonte Isa Boletinit dy djem besnikë nga shqiptarët e Kosovës që e kishin shoqëruar atë për në Vlorë, për t`i bërë roje tek dera e zyrës së qeverisë të porsaformuar. Fakt është se ai nuk e kishte menduar kurrë se me atë veprim, pa dashur po sanksiononte themelet e armës së Xhandarmërisë së ardhshme të shtetit shqiptar, fuksionet policore por dhe të Gardës shqiptare të ruajtjes e mbrojtjes së personaliteteve të shtetit. Kështu Isa Boletini, teksa urdhëronte ata dy djem të rij nga Kosova, që quheshin Ahmet Llapi (nga zona e Llapit) dhe Halim Bajgora (nga Podujevë), për të ruajtur kryeministrin e parë të qeverisë së porsakrijuar, po ashtu nuk e kishte menduar kurrë, se i kishte dhënë vetes atributet e Komandantit të Gardës, në qeverinë e parë të shtetit shqiptar. Fakt është se gjashtë javë pasi ishte shpallur pavarësia e 28 Nëntorit 1912, nga Kuvendi i Vlorës, më 13.1.1913, qeveria e Ismail Qemal bej Vlorës vendosi krijimin e forcave të rendit. Porosia e babait të Pavarësisë, për shtetin që po ngrinte për herë të parë për shqiptarët ishte pikërisht për ruajtjen e rendit, qetësisë: “Përpiquni të siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik…”. (AQSH, Fonde dokumentare, Viti 1912, Dosja 1, Dokumenti nr. 723/19 datë 28.11.1912). Qeveria e Përkohshme e Vlorës, nxorri Vendimin për Krijimin e Forcave të Rendit, që përbëheshin nga forca Policore dhe forca xhandare (AQSH. Fondi dokumentar nr. 245/II, dosja 69, faqe 1). Për herë të parë në një qeveri shqiptare nisi të funksiononte Zyra e Sigurimit Publik, që po të shqipërohet ishte “Drejtoria e Policisë shqiptare”. Të dhënat arkivore flasin se, Qeveria ngarkoi me detyra për organizmin e xhandarmërisë Alem Tragjasin, Hysni Toskën, Sali Vranishtin dhe Hajredin Hekalin, ndërkohë funksionet administrative i kryente policía. Drejtor i parë i plocisë ishte caktuar Halim bej Gostivarin. Në muajin qershor 1913, Xhandarmëria mori formë funksionale pasi u formuan tre batalione të drejtuara nga major Hysen Prishtina në Vlorë, kapiten Ali Tetova në Berat dhe major Ismail Haki Tatzati në Elbasan. Më 3.6.1913 u vu në zbatim rregullorja e Qeverisë së Vlorës “mbi formimin e Milicisë shqiptare” e shkruar në gjuhën osmane dhe e përkthyer në gjuhën shqipe. Qeveria e Vlorës më 20.12.1913, nxori dekretin e përkohshëm “mbi krijimin e xhandarmërisë së jugut”, ku misioni hollandez i Kolonel William I. H. De Weer-it, i ardhur në nëntor 1913 kontribuoi në formimin e katër reparteve xhandare me treqind vetë secili. Në muajin mars 1914 erdhën disa oficerë të tjerë holandezë, të cilët shpërndanë 4 detashmente të krijuara më parë. Oficerët hollandezë ishin të ngarkuar nga Fuqitë e Mëdha për organizimin e forcave të armatosura shqiptare. Me zhvendosjen e kryeqytetit nga Vlora në qytetin e Durrësit, në krye të policisë erdhi Veli Vasjari. Bazuar në statutin organik të 10 prillit 1914, ose kushtetutës së parë të vendit, kapitullit IX të Statusit Organik të Shqipërisë, në Forcat e Armatosura bënin pjesë Xhandarmëria e Milicia. Milicia ishte një “forcë ushtarake vendëse territoriale dhe sedentare” dhe në kohë paqeje mbështeste veprimet e xhandarmërisë.
Zanafilla e krijimit të arsimit të Xhandarmërisë, që nisi në kalanë e Gjirokastrës daton menjëherë pas përfundimit të LIB, rreth mesit të shkurtit të vitit 1919. Ishte koha kur Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë dhe organizator i saj ishte kolonel Ridolfi dhe ndihmës i tij major Banush Hamiti.
Por tendencat e para të shkollimit i gjejmë në Shkodër më 1916, me mbështetjen e komandësë austro-hungareze në Shqipëri përzgjodhi afro 40 djem, të cilët u dërguan në shkollat ushtarake të Austrisë. (“Shqipënija më 1937”, Veprimi shtetnor gjat njëzet e pesë vjetëve të parë të vetqeverrimit Vëllimi I (1912-1937), Tiranë, 1938, faqe 89). Më 10.12.1916, u krijua Republika “franceze” e Korçës, e drejtuar nga Themistokli Gërmenji dhe kapiteni francez Henri Descoins, u krijua prefektura e policisë dhe zyrat e policisë.
Pas përfundimit të LIB më 25.12.1918, qeveria e ngritur në Durrës, nën komandën e Major Ismail Haki Tatzati, organizatorit italian Ridolfo, e major Banush Hamdiu, formuan një forcë xhandarmërie dhe një vit më vonë u hap një shkollë për aspirantë dhe xhandarë në Tiranë, më 5.6.1919 me komandant Ali Shefqeti dhe më vonë Haki Kuçi. Në gusht 1919, u formuan batalione xhandarmërie në qendrat e prefekturave. Pas Kongresit të Lushnjës dhe formimit të qeverisë së Tiranës të Sulejman Delvinës u bë riorganizimi i forcave të rendit. Varësia e xhandarmërisë sipas rregulloreve ishte tërthorazi nga Ministria e Punëve të Brendshme për qetësinë dhe nga Ministria e Drejtësisë për zbatimin e vendimeve të gjykatave. Ndarja administrative teritoriale organikisht ishte bërë në qark (në çdo prefekturë), rreth (në çdo nënprefekturë), postkomanda (në çdo krahinë ose fshat). Xhandarmëria ndahej në 9 qarkkomanda, 40 rrethkomanda si dhe shumë post-komanda.
Aparati shtetëror, pas vitit 1925 u riorganizua dhe Xhandarmëria u nda në 4 zonëkomanda me qendër në Tiranë, Shkodër, Peshkopi, Sarandë që komandoheshin nga kapitenët Preng Previzi, Fiqri Dine, Muharrem Bajraktari dhe Hysni Dema. Por krahas xhandarmërisë, me 22.12.1925, u krijua si strukturë e posaçme edhe policia, e cila kishte zyrat e saj në Tiranë, Berat, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Durrës. Policia kishte funksione gjurmuese dhe administrative dhe ishte në varësi të prefektit. Kjo vijoi përgjatë gjithë periudhës së Republikës së parë shqiptare, pra në vitet 1925-1928.
Në vitet e mbretërisë Xhandarmëria dhe Policia kishte specifikat e veta, pasi bazuar në ligjin e 18.5.1933, Arma e Gjandarmërisë Mbretnore ndahej në Komandën e Përgjithshme, Komandën e Shkollës së Gjindarmërisë, 10 komanda qarqesh, 31 komanda rrethesh, 253 komanda postash. Në pikëpamja ushtarake vartësinë e kishte nga Komanda e Përgjithshme. Rendi dhe qetësia publike varej nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa shërbimi i policisë gjyqësore nga Ministria e Drejtësisë. Policia, që u krijua më 22.12.1925 me tetë zyra në qytetet kryesore funksionuan deri më 1935, kur qeveria “Pandeli Evangjeli” me dekretligjin e 25 qershorit 1935, policia u shkri dhe në vend të saj u vendos xhandarmëria qytetëse, nën urdhrat e prefektëve, nënprefektëve e kryetarëve të komunave. Fakt është se bazuar në dokumentet zyrtare Komanda e Xhandarmërisë në dhjetor të vitit 1927 në Shqipëri kishte: 112 oficerë të xhandarmërisë, 562 nënoficerë xhandarmërie, 2441 xhandarë, 39 rrethkomandantë, 3000 armë austriake. Po në vitin 1927 emërohet atashe ushtarak në Tiranë koloneli Alberto Pariani, në krye të një misioni të madh ushtarakësh me rreth 200 ushtarakë italianë, që u mor me riorganizimin e ushtrisë shqiptare, duke marrë padyshim si model ushtrinë mbretërore italiane me një sistem pjesërisht i fortifikuar me 60 km vijë kufitare, për të qenë në gjëndje që ta vononte armikun, për t’u dhënë kohë trupave italiane të zbarkonin në Shqipëri. Më 1933, në krye të Xhandarmërisë ishte nënkolonel Shefki Shatku, i cili ishte një nga oficerët më të përgatitur të asaj arme. Në ndihmë të Xhandarëmrisë, gjeneralin anglez Jocelyn Percy, (që zvëndësoi kolonelin Frank W. Stering, që kishte ardhur në Durrës në Maj 1923) i cili dha një kontribut në forcimin e konsolidimin e asaj arme.
Në verën e 1937-ës nisi projekti për formimin e Policisë së Sigurimit Botnor dhe në provën e parë hynë 275 policë, të gjithë të moshës 23 – 33 vjeç me shkollë të posaçme policie. Ajo do të zëvendësonte xhandarmëritë e qyteteve në Tiranë, Shkodër, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Sarandë. Varësia e kësaj strukture ishte nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe në 1938-ën, Xhandarmëria Shqiptare kishte 3643 efektivë. Ndërsa ligji i miratuar më 19.1.1938 nuk mundi të provohej për shkak të 7 prillit 1939, të pushtimit fashist të Shqipërisë. Kursi i parë i policimit i ngritur i 21 Majit 1938 me komandant major Viktor Shantoja, nuk e pati mundësinë që të vihej në provë pasi pas një viti gjithë kursantët e këtij kursi i vijuan studimet në Itali. Në dekadat që pasuan dhe veçanërisht pas LIIB, përmasat e sistemit arsimor policor kishin një rrugëtim të diktuar, ku rutina e përditshmëria e problematikës së rendit, qetësisë e sigurisë nuk lejonin që të shikohej më tej, më shumë dhe më qartë mbi problematikat e sigurisë, ndërkohë që një maksima popullore për këto raste na kujton se, “nuk më lë pema që të shikoj pyllin e prerë”. Stacione të tjera të rëndësishme të arsimimit janë në vitin 1945, në 20 janar 1954 si dhe veçanërisht më 20 dhjetor 1971, kur u formua Shkolla e Lartë e MPB-së. Në 53 vite shkolla ka pasar një transformim të plotë dhe vjen më e plotë dhe më e kompletuar në akreditim, në konsolidim, dhe e gatshme për t’u përballur më sfida të reja. Edhe në tre dekadat e fundit po vërtetohet thënia proverbiale e Tomas Fuller se, “e sotmja është nxënëse e së djeshmes”. Misionarët e shkollimit të xhandarmërisë me funksionme policore, të edukimit policor vijon me mision e përgjegjësi të reja me trajnime e kualifikime bashkëkohore. Pritshmëria e publikut për ofrimin e sigurisë së brendshme, ruajtjen e rendit e qetësisë publike, garantimit të zbatimit të ligjit, vijon të jetë e madhe, prandaj sfida e edukimit policor si profesion i fushës së sigurisë ngelet në vëmëndje të qeverisë, por mbi të gjitha në gjykimin dhe vlerësimin e publikut. Shkolla e xhandarmërisë së Gjirokastrës si dhe shkollat e tjera që u hapën në shumë qytete shqiptare shtruan “pathet” e së ardhmes së shkollimit policor, që po konsolidohet sot në Akademinë e Sigurisë, tashmë të akredituar institucionalisht në bazë të vendimit nr. 7, datë 27.1.2023, “Për akreditimin për herë të parë të institucionit të arsimit të lartë Akademia e Sigurisë, me kohëzgjatjen prej pesë vjeçar.
Burime studimi: Fonde dokumentare të AQSH, AQFA, AQMPB; AQSH, Fondi 254/II, 1912, Dosja 69/1 origjinali në osmanllisht dhe përkthim në shqip; Teki Selenica, Shqipnia më 1927, “Shqipënija më 1937”, Veprimi shtetnor gjat njëzet e pesë vjetëve të parë të vetqeverrimit me parathënie të Dhimitër Berati, Vëllimi I (1912-1937), shtypsh“Kristo Luarasi” Tiranë, 1938; H. Shkëmbi, Zhvillimi i legjislacionit të PSH, Tiranë, 2004; Fletore Zyrtare mr.110, 5.8.1927, Fonde dokumentare të Komandës së Xhandarmërisë; Fletore Zyrtare nr.4 1938, Rregullore e organizimit të kursit policor, 21.5.1938, Piero Crociani, Shqiptarët në Forcat e Armatosura Italiane (1939-1943), Tiranë, 2005; Revista “Minerva” e Nebil Çikës 15.5.1934, Gazeta “Demokratia”; Historia e Shqipërisë, Vëll.III, 1984; VKM nr.545 datë 29.12.1992, “Mbi caktimin e datës së krijimit të Forcave të Rendit”.