ME DEMIR ZYKON NË AKSION NË HEKURUDHËN FIER-BALLSH
(1 SHKURT-10 MARS 1975)
Bashkim Saliasi
Dekorimi i Demir Zykos
Ishte muaji shkurt i vitit 1975. Atë muaj fillova punën prodhuese. Për të gjitha kategoritë e shkollave Ministria e Arsimit vendosi si kriter që të gjithë nxënësit që mbaronin vitin e katërt të kalonin një vit stazh në prodhim dhe më pas ata që plotësonin kriteret do të vazhdonin arsimin e lartë. Ky kriter u vendos edhe për studentët që mbaronin arsimin e lartë. Në një bisedë të lirë me sekretarin e rinisë të rrethit, Kujtim Lame, mësova se gjatë muajit shkurt do të nisej një brigadë vullnetare për në hekurudhën Fier- Ballsh.
Pyes Kujtimin nëse quhej aksioni punë prodhuese. Përgjigjja ishte pozitive. Ditën e dytë regjistrova emrin në listë. Aty mësova se në këtë brigadë ishin dhe dy shokët e mi të shkollës pedagogjike Fier, Pëllumb Bajraktari dhe Qani Ymerali. Në datën 1 shkurt të vitit 1975 u rreshtuam në sheshin para Komitetit të Partisë së rrethit Skrapar të asaj kohe dhe pas përshëndetjes nga sekretari i parë i rinisë së rrethit, Kujtim Lame, u lexua lista e personave pjesëmarrës. Lista e emrave kryesohej nga komandanti që kryente stazhin e Partisë në prodhim dhe komisarit që do të drejtonin brigadën e aksionistëve në hekurudhë. I treti në listë u lexua emri i këngëtarit Demir Zyko. Emri i xha Demirit nuk ishte i panjohur për ne aksionistët që po niseshim për të kryer detyrën e ngarkuar nga partia e rrethit Skrapar, por prania e xha Demirit la mbresa në kujtesën tonë. Pasi mbaroi ceremonia e rastit dhe morëm porosi që në fund të aksionit të ktheheshim me flamur (propagandë që zinte vendin e parë në ato vite), për të nderuar rrethin dhe familjet tona, ne aksionistët zumë vend në autobus.
Në mesditën e datës 01.02.1995 brigada e aksionistëve të Skraparit mori rrugën për në Fier në sektorin e Drenovës. Në vendin e parë u ul xha Demiri. Nuk më kujtohet emri i komandantit të brigadës, por mbaj mend që ishte nga fshati Osojë apo Vëseshtë, nuk jam i sigurt dhe kryente stazhin e partisë në prodhim. Ky me sa mësuam gjatë kohës që qëndruam në sektorin e Drenovës i mbante këngën xha Demirit. Për xha Demirin kisha dëgjuar shumë në ato vite. Kënga e tij “Mbeçë, more shokë, mbeçë”, ishte vlerësuar jo vetëm nga komisioni i festivalit folklorik që ishte realizuar në Kalanë e Gjirokastrës, por ishte vlerësuar dhe nga vetë Enver Hoxha. Xha Demiri me zërin e tij brilant në vitin 1975, nga Presidiumi i asaj kohe ishte vlerësuar me titullin “Naim Frashëri i Artë”.
Xha Demiri, një burrë fisnik e me mustaqe, ishte i rregullt, i pastër si drita dhe tepër modest. Në tiparet e tij burrërore dallonte jo vetëm nga mosha, por edhe nga paraqitja estetike. Në mëngjes çohej i pari dhe pasi kryente shërbimet personale afrohej pranë tribunës dhe ishte ndër të parët që futej në rresht, kur dëgjonte borien e rreshtimit për në mencë dhe më pas nisja drejt frontit të punës. Fronti i punës së brigadës së Skraparit ishte afër qytetit të Ballshit dhe xha Demiri çapitej në fund të rreshtit si një mal hijerëndë me shkopin e tij karakteristik që s’e lëshonte asnjëherë nga dora. Në mbrëmje dhe shpesh në mëngjes xha Demiri hipte në tribunë dhe ia merrte këngës. Të gjithë aksionistët e ndiqnin me shumë vëmendje dhe me një qetësi absolute, kur kënga me zërin e tij në mikrofon mbushte gjithë hapësirën e fshatit Drenovë.
Në mbrëmje priste me ankth se cila brigadë kishte dalë më mirë në realizimin e normës dhe nderohej me flamur. Gëzonte për flamurin dhe nuk përtonte që t’ia merrte këngës. Ne qëndruam një muaj e gjysmë në sektorin e Drenovës për arsye se nuk u arrit të mbaronte faza përfundimtare e punimeve në fund të muajit shkurt përtë arritur treni në qytetin e Ballshit. Kështu, pas inagurimit, që u bë më 10 mars të vitit 1975, brigada jonë u nderua me flamur për realizimin dhe tejkalimin e objektivave të ndërmarra nga sektori Drenovë, në Ballsh tëFierit.
Gjatë rrugës së kthimit xha Demiri nuk reshti së kënduari dhe gëzuari bashkë me ne…
Tiranë më 14. 4. 2024.