Shpëtim Emiri: Koncert pianistik i Milës dhe xha Lazja nga Mallakastra
Pianistja Almira Emiri
Disa minuta pasi Radio Televizioni Shqiptar pat transmetuar një koncert të luajtur në piano nga bija jonë, Almira, në atë kohë studente e Konservatorit “Bela Bartok” në Budapest, në Tiranë ra zilja e telefonit të shtëpisë sonë.
Ishte viti 1999 dhe ne atëherë ende mbanim në korridor një telefon të vjetër, që dëgjohej në të tëra qoshet e apartamentit ku banonim.
Unë dhe Vala, ime shoqe, ishim nën pushtetin e emocioneve të bukura që na pat sjellë koncerti dhe e morëm me mend që edhe miqtë tanë nuk donin të prisnin më gjatë për të filluar urimet për atë ekzekutim virtuoz të Milës sonë.
Ngrita dorezën e telefonit dhe e vura në vesh.
“Aloo, alo”, dëgjova zërin e njohur të mikut tonë familjar nga Ballshi. “Familja Emiri”?
“Hë xha Laze, ç’kemi”? – e pyeta.
“O Shpëtim”, m’u drejtua si zakonisht, por me një shprehje të veçantë, si të kishte një dert a një amanet të beftë. “Të mora në kohë të papërshtatçme, po mos ma vur re mua, plakut! Ashtu ma dha truri, mora! Nuk e lija dot për më vonë!… Ça të të them unë, më pëlqeu shumë qy koncerti! Sapo dëgjova në televizor mbiemrin “Emiri”, daç beso e daç mos beso, më ngriu piruni në dorë! Ndënja, e dëgjova nga fillimi gjer në fund, pa vënë gjë në gojë. Më mbetnë sytë mbi televizor, për kokë të fëmijëve! Nuk kam ç’them! Më pëlqeu shumë, më pëlqeu, më pëlqeu…! Bravo i qoftë çupës tënde, edhe ty! Ama, dua të uronj sidomos të jëmën”!
“O Vala, i thirra, eja në telefon, se është xha Lazia. Ka ndjekur koncertin e Milës dhe i paska pëlqyer shumë e do të të urojë edhe ty veçanërisht”!
Ime shoqe fluturoi!
E dhënë me mish e me shpirt mbas dy fëmijëve tanë e sidomos mbas vajzës, mësimeve të saj të pianos, si kur i nisi në Shqipëri dhe i vazhdoi në Hungari. I dinte mamaja, përmendësh pjesët që i luante e bija dhe entusiazmohej me rezultatet e njëpasnjëshme të saj andej. Ja, iu bë qejfi që edhe artdashësit në Shqipëri donin të shprehnin vlerësime të koncertit, që u filmua dhe u dha në transmetim ditët e fundit në atdhe.
Ma rrëmbeu dorezën dhe me padurim, e etur të dëgjonte vlerësime, nuk pati kohë të llogariste se nga cili burim po vinin përshtypjet.
“Alo, hë xha Laze, a e pe koncertin”?
Jo, jo… Nuk e pyeti fare as “si jeni?” as “si janë gjithë familja?” e tjera e tjera, por drejt e në temë, e etur për lëvdatat artistike…
“Oj të parë, thotë qo! Të parë dhe të parë mirë, biles, ja me këta sy!”
“Cila pjesë të pëlqeu më shumë, xha Laze”?
Po e pyeste e drithëruar e ëma e pianistes xha Lazen, këtë spektator dashamirës që po befasonte me atë urim të papritur që nga Ballshi.
“Hëë, do ketë nënqeshur xha Lazja, ça pjese thua ti moj”?! – i lëshoi ai pyetjen mamasë të pjanistes. “Mua më pëlqeu çupa juaj mooj, çuupa moj çupa”, e ngriti zërin. “Çdo gjë e saj! Ishte shumë e thjeshtë, ish veshur si njeri, me një fustan të gjatë deri në fund të këmbëve, kish lezet! Flokët i kishte mbledhur si ti moj, si e ëma, nuk i kish lëshuar mbi sy, si ca e ca të moshës së saj… Ish serioze, moj, ça t’u them më unë, i kish të gjitha të mirat! Bravo njëmijë herë”!
“Po nga pjesët muzikore që luajti, kush të pëlqeu, xha Laze”? – nuk po e lëshonte narkoza e tingujve të pianos të ëmën, që harroi krejt se xha Lazia shtatëdhjetë vjeçar, lerë e rritur si kapedan në krahinën e Mallakastrës, kënaqej me këngët polifonike, ato myzeqare e deri tek ca këngë qytetare të Korçës. Nuk kishte parë e dëgjuar pianon e Milës ai!
“Asanj t’i bjerë si të donjë çupa, moj, se nuk na prish asnjë punë, unë shikonj ato që janë kryesore, nuk shikonj nga rangadungat e…, ça i thonë asanj vegle, piano sikur… I lumtë asanj, ju lumtë dhe juve”!
Shpëtim A. Emiri, Tiranë, mars 2024