Albspirit

Media/News/Publishing

Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

 

 

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin ekonomiko-social, ato tani kanë edhe rëndësinë e tyre gjeostrategjike dhe gjeopolitike duke u bërë pjesë e rëndësishme e strategjive të luftës hibride. Pas Malit të Zi, këtë po e shohim edhe në Maqedoni të Veriut, ku u përfshi edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, duke paraqitur një qëndrim të perëndimit dhe jo vetëm preferencë të tij personale.

Shkruan: Dr. Gurakuç Kuçi – Hulumtues në Institutin për Studime të Luftës Hibride OCTOPUS

Proceset zgjedhore kanë filluar të evoluojnë nga çështje të brendshme social-politik dhe ekonomik, në një forcë kryesore në formimin e politikës dhe gjeopolitikës. Zgjedhjet në SHBA nga viti 2016 e deri më sot, pastaj në Gjermani, Itali dhe vende tjera të Evropës tregojnë se ndryshimet ideologjike të partive nuk janë duke u paraqitur vetëm si ndryshime të brendshme në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror por edhe atë të jashtëm gjeopolitik. Por këto ndryshime po godasin më së shumti vendet e treta. Regjimet autokratike, si Rusia dhe Serbia, e kanë njohur potencialin e proceseve zgjedhore nëpërmjet luftës hibride si një armë për të ushtruar ndikim në demokracitë e brishta, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Ky manipulim i proceseve demokratike është një manifestim i luftës hibride, ku përdoren strategji politike, ekonomike dhe informative për të arritur objektivat strategjikë.

Së fundmi jemi dëshmitarë edhe të deklaratës së kancelarit gjerman Olaf Scholz mbi zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut duke kërkuar qartazi që të votohet LSDM-ja. Kjo deklarata e z. Scholz nuk është thjesht një preferencë personale e tij, por një lëvizje e llogaritur brenda një strategjie gjithëpërfshirëse për të mbrojtur interesat kryesore të NATO-s dhe BE-së në rajonin strategjik të Ballkanit Perëndimor.

Çdo ndryshim në peizazhin politik të Maqedonisë së Veriut që nuk përputhet me interesat e Perëndimit mund të krijojë potencialisht një bosht të rrezikshëm anti-perëndimor dhe quasi perëndimor, duke përfshirë Serbinë, Republikën Srpska, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Ky zhvillim mund të ketë implikime të gjera për stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit, dhe si rrjedhojë, për interesat e Perëndimit.

Në këtë kontekst, proceset zgjedhore janë bërë një komponent kritik i ndikimit gjeopolitik, duke formuar aleancat dhe duke ndikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Si e tillë, të kuptuarit e dinamikës së politikës zgjedhore në vendet e treta është thelbësore për të hulumtuar në kompleksitetin e rendit bashkëkohor global. Pra jemi në trendin “zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë”.

Shembull, në SHBA sfida elektorale mes pretendentëve Joe Biden dhe Donald Trump nuk është thjesht një duel politik brenda kufijve të tyre, por gjithashtu është një spektakël që mund të prekë thellësisht strukturat gjeopolitike globale.

Në këtë kontekst, vëzhgohet me kujdes se si ndryshimi i qeverisë në SHBA potencialisht mund të ndikojë në orientimin e saj gjeopolitik dhe në marrëdhëniet me aktorët ndërkombëtarë.

Gjatë kësaj periudhe zgjedhore, është e vështirë për të mos vënë re ndikimin e interesave të jashtme në fushatën dhe rezultatin e zgjedhjeve në SHBA. Në një mjedis gjeopolitik të ndryshuar dhe të rëndësishëm, aktorët ndërkombëtarë përdorin mjetet e tyre diplomatike, ekonomike dhe propagandistike për të ndikuar në rrjedhën e ngjarjeve në vendin më të fuqishëm në botë.

Në këtë mënyrë, vendimi elektoral nuk do të jetë vetëm një manifestim i preferencave politike të popullsisë amerikane, por gjithashtu një shprehje e përcaktimit të përgjegjësive dhe sfidave që i takojnë një lideri të ri të përzgjedhur në kontekstin e një bote në ndryshim.

Në kontekstin e sfidave gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor, veprimet e Rusisë dhe Serbisë nëpërmjet përdorimit të strategjive të luftës hibride në Maqedoninë e Veriut përfaqësojnë një përpjekje të qartë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe për të manipuluar strukturat politike në favor të interesave tyre. Në këtë skenar, qëllimi është krijimi i një situate politike të paqëndrueshme, e cila do të rezultojë në një qeverisje të pasigurt, e cila do të mbajë Maqedoninë e Veriut në një gjendje të ngjashme me atë të Malit të Zi.

Në detaj, kjo strategji synon që të sigurojë një fitore për partitë e djathta nacionaliste si VMRO-DPMNE, duke ndërlidhur ato me një lëvizje të majtë siç është Levica, për të krijuar një koalicion qeverisës që përfshinë edhe ndonjë koalicion shqiptar në emër të multietnicitetit dhe garancisë kinse pro-perëndimore, megjithatë, në kushtet e një qeverisje të tilla, nuk mund të garantohet një stabilitet shtetëror dhe institucional.

Në këtë situatë, fuqitë perëndimore do të jenë të detyruara të pranojnë një strukturë të tillë qeverisje në emër të stabilitetit, siç kanë vepruar më parë në rastin e Malit të Zi.  Stabiliteti mund të rikthehet në një sfidë por jo nga faktori shqiptar pasi është e rëndësishme të përcaktojmë se rreziku i përkeqësimit të tensioneve etnike në Maqedoninë e Veriut nuk ka burim në faktorin shqiptar. Në vend të kësaj, tensionet etnike kryesisht vijnë nga faktorët e brendshëm maqedonas.

Shqiptarët, qofshin ata në aspektin politik apo etnik, kanë demonstruar një ndërgjegje shtetërore të qëndrueshme ndaj Maqedonisë së Veriut, duke ruajtur një orientim pro-perëndimor dhe duke shprehur vullnetin e tyre për të qenë pjesë e strukturave shtetërore dhe politike të vendit. Ky qëndrim i tyre i përhershme ka përbërë një element stabilizues në peizazhin politik të Maqedonisë së Veriut, pavarësisht nga ndryshimet në karakteret ideologjike dhe strategjike të partive politike nga ana maqedonase.

Prandaj, për të kuptuar dhe adresuar tensionet etnike në Maqedoninë e Veriut, duhet të kthehemi te sfidat dhe dinamikat brenda komunitetit maqedonas, duke i shqyrtuar ato në kontekstin e historisë së vendit dhe të politikës së brendshme, dhe duke identifikuar burimet e tyre kryesore për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata për stabilitetin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut.

Për të ruajtur integritetin Maqedonia e Veriut dhe për të shmangur influencën e përhapur ruso-serbe, një nga sfidat kryesore që duhet ta marrë seriozisht është zhvillimi ekonomik dhe social. Për të arritur këtë objektiv, është e rëndësishme që klasat politike, intelektuale e qytetare më Maqedonia e Veriut të luajnë rolin e patriotëve të vërtetë, duke u përpjekur për të mbrojtur mëvetësinë e saj dhe duke përparuar në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm.

Ky proces kërkon që aktorët politikë dhe shoqërorë të vendit të punojnë në harmoni për të shmangur përfshirjen e politikave të jashtme që mund të çojnë në kapjen e shtetit, duke krijuar kështu një klimë të favorshme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për përparimin e vendit. Në kundërshtim, mosmarrëveshjet dhe tensionet politike mund të shkaktojnë revoltë sociale dhe destabilizim, duke rrezikuar ekzistencën e Maqedonisë së Veriut si një entitet shtetëror në strukturën e tashme politike.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të vlerësojë seriozisht sfidat e brendshme dhe të jashtme, duke marrë si shembull përballjen dhe trajtimin e tyre nga Malit të Zi. Lidhja e fortë me NATO-në dhe përpjekjet për integrim në Bashkimi Evropian janë gjithashtu thelbësore për të garantuar sigurinë dhe zhvillimin e vendit në një kontekst të ndryshuar gjeopolitik. Prandaj, është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të kuptojë dhe të ndërmarrë hapat e duhur për të ruajtur integritetin dhe për të përmbushur objektivat e saj strategjike në skenën ndërkombëtare.

Këto konkluzione kanë dalë nga punimi me titullin: “Lufta e Hibride dhe Rëndësia e Zgjedhjeve në Gjeopolitikën e Maqedonisë së Veriut: Në Shënjestër të Perëndimit ose Rikthimi në Sferën e Rusisë dhe Serbisë” i publikuar nga Instituti OCTOPUS. Ky punim shqyrton çështjen se si Maqedonia e Veriut në krye të saj kishte një subjekt me segmente të forta pro-ruse dhe pro-serbe, për të ndryshuar pastaj në subjektin tjetër pro-perëndimor pas shumë sfidave dhe që tani rrezikohet prapë të bëjë kthim prapa si para 2016 apo më keq.

Gjatë punimit kemi shqyrtuar kërcënimet e serbizimit në Maqedoni të Veriut, influencën ruse dhe angazhimet për ndryshim të qasjes drejt perëndimit dhe luftën hibride e cila përveç që e ka dëmtuar Maqedoninë e Veriut, ajo ka qenë aq e fortë sa të angazhohet edhe në zgjedhjet në SHBA.

Please follow and like us: