Albspirit

Media/News/Publishing

Arrestohet zëvendësministri rus i Mbrojtjes, dyshohet për korrupsion

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Rusisë, Timur Ivanov, është arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti, njoftoi Komiteti Hetues rus më 23 prill.

Komiteti njoftoi për arrestimin e Ivanovit në Telegram, por nuk dha hollësi të tjera.

Por, 49-vjeçari kishte qenë cak i një hetimi të publikuar në dhjetor 2022 nga Fondacioni Kundër Korrupsionit i Alexei Navalnyt (FBK).

Sipas FBK-së, Ivanovi i kishte udhëhequr dhe kishte përfituar nga projektet e ndërtimit në qytetin ukrainas Mariupol, i cili u shkatërrua pothuajse tërësisht nga forcat ruse në muajt e parë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Hetimi gjeti se Ivanovi dhe bashkëshortja e tij, Svetlana, i shpenzuam më shumë se një milion euro për pushime, në qira për vila dhe jahte, dhe për blerjen e stolive dhe rrobave. Ai gjithashtu gjeti se faturat personale të gruas së Ivanovit ishin paguar nga një kompani e lidhur me rindërtimin në Mariupol.

Sipas FBK-së, e cila është ndaluar në Rusi për gjoja ekstremizëm, zëvendësministri u shkurorëzua nga bashkëshortja në mënyrë që ajo t’i shmangte sanksionet e Bashkimit Evropian.

“Sot është një ditë e mirë”, tha Maria Pevchikh, e cila e udhëhoqi hetimin në FBK.

“Njeriu i përfshirë në hetimin tonë u ndalua nën dyshimin për ryshfet. Në folëm për jetën luksoze të zëvendësministrit të Mbrojtjes Timur Ivanov në vitin 2022”, shkroi ajo në X.

Ivanov ishte emëruar zëvendësministër i Mbrojtjes me urdhër presidencial në maj 2016.

Ai është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Kanadaja. Revista Forbes e kishte shpallur Ivanovin si njërin nga burrat më të pasur në strukturat ruse të sigurisë.

https://www.evropaelire.org/a/arrestohet-zevendesministri-rus-per-korrupsion/32918466.html

 

Please follow and like us: